

Presidentja kosovare Vjosa Osmani e kuptoi në fund të mandatit se shtetet nuk kanë ndergjegje, por interesa. Ajo mbrojti interesin jetik të vendit të saj, përtej ligjerimeve të ‘kruzhokëve’ socialistë…
1.
Presidentja Osmani e shtini Kosovën në “bord” të anijes që po merr nji kahje të re, nën drejtimin Donald Trump.
Sëkëndejmi Kosova nuk qëndron keq në aspektin e gjeopolitikës.
a) ShBA me ligj mbronë Kosovën tue garantu sovranitetin e saj, tue ndalu këmbim territoresh apo ndarje.
Ky âsht fundi i ripërkufizimit ndërmjet shteteve, në dâm të Kosovës.
b) ShBA e ftoi Kosovën në klubin e shteteve, që ai i konsideron të duhuna e të besueshme, për me iu bashku Bordit të Paqes, organ që synon zgjidhjen e konflikteve globale, me theks Gazën. Shteti i ri kosovar u bâ pjesë e arkitekturës së re globale dhe në këtë nuk ka pasë mëdyshje nga elitat pararendëse pos në mendjet e ndonji popullisti si Albin Kurti, (që i binte në qafë pa hak Avdullah Hotit për zotimet e Washingtonit!?) e që vet blen zgjedhjet me taksat e qytetarëve!?
c) ShBA po kujdeset për sektorin e sigurisë në Kosovë, në korniza të interesit për Sigurinë Kombëtare në rajon.
2.
Në fillim të mandatit pata shkru se Presidentja Osmani âsht diga e fundit e mbrojtjës së kursit proamerkan në Kosovë.
Ajo, megjithë se shpesh nuk u këshillu nga postulati i vetëpërmbajtjës institucionale gjatë mandatit, doli në fund, të luej mirë rolin e garantes së aleancës ekzistenciale me Amerikën, tue marrë besimin e Trump, që po e rimerr rolin prijës të Amerikës në rrafshin global, si hegjemoni qëllimmirë!
Presidentja Vjosa Osmani vazhdon me vlejtë si mburoja e fundit e besueshme e proamerikanizmit institucional të Kosovës dhe roli i saj diplomatik u rrit sëfundi nga vet Presidenti Dinald Trump. Zonja Osmani e luejti pjesën e saj maestrale, tue marrë anën e Trump, hapun dhe pamdyshje.
Shtetet e vogla ashiqarshëm e pa brejtje ndërgjegje, duhet me siguru ekzistencën e vet në epokat e shthurrjës globale piknisht në rreshtim.
Dhe këtë – kundër mburrjës së Kurtit – Zoja Presidente e ka kuptu drejt!
Nuk vlejnë ligjet morale kur âsht në pyetje ekzistenca.
Shthurrja dramatike e Rendit Botnor, urojmë të jetë Chekhoviane!?
Mas tensioneve ShBA-BE dhe NATO, mas lotëve e friknave tona, gjithçka qetësohet e askush nuk vdes!
Hiqni dorë nga idetë moralizuese të socialistave europeanë dhe nga ligjeratat e tyne skolastike, për të drejtat e njeriut dhe demokracinë – pa qenë në gjendje me i mbrojtë ato me trupa – pra këto postulate nuk janë në dorën tonë.
Kosova mbijeton, vetëm kështu, e rreshtueme me ShBAnë, kundër boshtit të së keqes.
3.
Ndryshimi po bâhet nomosi i epokës tonë dhe pjesë e pashmangshme e jetës, porse duhet me e ditë se me u përballë me ndryshimin nuk âsht e letë.
Na duhet me gjetë mënyra e mekanizma me i bâ këto transicione ma të buta dhe jo aq stresuese.
Jemi në nji epokë (post-truth) kur para syve po na shemben konceptet moderne për shtetin/komb dhe marrdhaniet ndërkombëtare po zavendësohen nga marrëveshjet korporative, kurse qeverisja në sistem menagjerial.
Sëkëndejmi, asnji e keqe nuk vjen, nga diskursi i Presidentit Donald Trump, nëse i mbyllim kapakët e librave të klasikëve si “Politika ndërmjet kombeve: beteja për fuqi dhe paqe” të Hans J. Morgentau (themeltar i teorisë realiste) dhe hyjmë në realitetin e nji bote të re post-westphaliane ose – po e cilësojmë – trumpizëm!
4.
Kjo botë âsht e padrejtë.
Sidomos për fatet e kombeve të vogla.
Dhe tash jemi të lirë të çelim librin e Morgentau për me rikujtu trashëgiminë: Shtetet e vogla ia dedikojnë pavarësinë ekuilibrit të fuqisë mes shteteve të mëdha. Jashtë ktyne ekuilibrave, nji prototip trumpist as që ia di se ekzistojnë!?
Baraspeshën e kësaj bote shtetesh dhe marrdhaniesh të egra diplomatike nuk e mbajnë vlerat morale por fuqia!
Shtetet nuk kanë ndergjegje, por interesa.
5.
Makiavelizmi keqinterpretohet qinda vjet dhe madje edhe nga kosovarët. ‘Princi’ (lideri) duhet me nxjerr ma të mirën për shtetin e tij, në secilen rrethanë dhe nga çdo marrdhanie, paçka se ka me u detyry me përdor edhe mjete jopopullore, ligësinë dhe mashtrimin ndaj kundërshtarëve.
Simas Niccolo Machiavell-it nuk âsht e rëndësishme për nji lider (Princ) të këtë të gjitha cilësitë që ai proklamonte, por âsht e nevojshme për liderin me u doktë sikur i ka të gjitha ato cilësi…, ai duhet me rrezatu i gjithi (vetëm tue pa dhe tue dëgju atë) mëshirë, besnikni, integritet, dashamirësi, besim, por mendja e tij duhet të jetë e përshtatun në atë mënyrë që në qoftëse âsht e randësishme mos me i pasë këto cilësi, atëherë ai duhet me e ditë se si me ndryshu në të kundërtën.
Ai duhet me ditë me u qasë nga ana e ligësisë kur e lypë puna. Ky ishte shpjegimi briliant i Machiavell-it.
Kjo âsht e vërteta kërcitëse, se si duhet të jetë nji lider i suksesshëm.
6.
Vjosa Osmani ia doli!
Ajo nxori ma t’mirën e mundshme për vendin, në nji situatë të pazakontë globale!
Ky âsht kursi i domosdoshëm që duhet me e mbajtë Kosova në këto ujna të trazueme.