

E përcolla konferencën për shtyp të Albin Kurtit dhe më vonë lexova edhe statusin e njërit prej zëdhënësve të tij të heshtur në Instagram, që gjithmonë i paraprin vendimeve të tij me moral të lodhur dhe me fraza të gjata që mbulojnë shkeljet.
Të dy, secili në mënyrën e vet, dhanë të njëjtin mesazh, se kriza është mjet, jo problem. Se rregullat mund të thyhen, për sa kohë që pushteti mbijeton.
Dhe kur e dëgjova Kurtin që fliste me tonin e njeriut që flet për shtetin si pronë të veten, e kuptova se ajo që po ndodh nuk është më debat politik, por përgatitja e një kolapsi të qëllimshëm.
Memli, Lumir, Ramush, Fatmir, ky shkrim është për ju. Edhe mund mos ta përfillni fare, por po mundohem ta them këtë që më mundon. Dëshira ime është të gaboj dhe të gjithë këtë që shkruaj të mos ndodhë as në një ëndërr të keqe.
Po e shkruaj sepse jeni të vetmit që sot mund ta ndalni rrëshqitjen e shtetit drejt një kolapsi që po afrohet çdo ditë e më shumë.
Ju shoh të heshtur, sikur po prisni që kriza të vetëpërmbyllet, sikur jeni spektatorë të një rrëmuje që s’është e juaja.
Por, ajo që po ndodh nuk është lojë politike. Është shembje institucionale. Dhe nëse ju sot nuk e analizoni krizën, nesër do ta trashëgoni atë si faj historik.
Keni përpara një moment që përcakton jo vetëm të ardhmen e opozitës, por të Republikës.
Sepse në këtë fazë, mosveprimi është pjesëmarrje.
Ju nuk mund të thoni se nuk jeni palë, sepse duke mos ndërtuar zgjidhjen, po lejoni që Vetëvendosja dhe të tjerët ta përmbysin shtetin.
Në historinë e shteteve të reja ka momente kur heshtja e atyre që mund të flasin është më e rrezikshme se veprimi i atyre që shkatërrojnë.
Sot nuk i shkruaj pushtetit, sepse ai e ka bërë zgjedhjen e vet që ta çojë vendin drejt rrënimit për të mbijetuar vetë.
Këtë letër ia drejtoj opozitës, sepse vetëm ajo mund ta ndalë rënien e shtetit në një fazë që shumë shpejt mund të mos quhet më krizë, por kolaps.
Dështimi për të formuar qeverinë nuk është thjesht mungesë numrash në Kuvend. Është mungesë morali politik, mungesë kulture demokratike dhe mungesë aftësie për të kuptuar se dialogu nuk është dobësi, por themel i shtetit parlamentar.
Albin Kurti dhe rrethi i tij e kanë shndërruar konsensusin në fyerje, marrëveshjen në mëkat dhe bashkëpunimin në tradhti.
Ajo që ndodhi në kuvend nuk është vetëm një seancë e dështuar por është radiografia e një mendësie që po e përmbys vetë idenë e shtetit.
Opozita duhet ta kuptojë se kjo krizë nuk është më e tij, por e republikës. Nëse e trajton si lojë të radhës, do të bëhet pjesë e skenarit që ai e ka menduar me kujdes e që lidhet me shembjen e sistemit nga brenda.
Skenari i parë është ai që duket më i pafajshmi dhe është mbajtja e zgjedhjeve në dhjetor, ose në janar në variantin më të zgjatur, e shtyn konstituimin e Kuvendit deri në fund të shkurtit.
Në atë moment, vendi do të gjendet në përplasje të tre krizave dhe të gjitha janë të rënda. E para është kriza kushtetuese, e dyta është ekonomike dhe e treta është demokratike.
T’i sqarojmë një nga një.
Sipas Kushtetutës, (më korrigjoni nëse gaboj!), presidenti duhet të zgjidhet 30 ditë para se t’i skadojë mandati. Kjo përkon me fundin e shkurtit dhe fillimin e marsit 2026.
Nëse nuk arrihet marrëveshje politike për zgjedhjen e organeve të Kuvendit, procesi mbyllet me shpërbërje automatike. Kuvendi shkon në shtëpi, dhe qeveria aktuale mbetet në detyrë.
Por nëse Kurti arrin t’i sigurojë 41 deputetë dhe t’i mbajë jashtë sallës gjatë votimit të Presidentit, atëherë Kosova hyn në fazën e neutralizimit kushtetues që nënkupton as qeveri të re, as president të ri, as kontroll demokratik.
Në atë moment, shteti mbetet në duart e një qeverie në detyrë dhe një presidence në detyrë.
Në mars, vendin e Presidentit e merr Albulena Haxhiu, sepse të gjitha shenjat janë se do ketë dorëheqje, të cilën pritet ta japë Dimal Basha.
Kështu, Kurti do të ketë në duar edhe qeverinë, edhe Presidencën, edhe Kuvendin e paralizuar. Kjo do të thotë pushtet absolut përtej çdo kufiri institucional.
Nuk është më politikë kjo, por një formë e butë e grushtit shtetëror, që vjen nën emrin e ligjit dhe nën hijen e demokracisë.
Skenari i dytë është ekonomik dhe shkatërrues në themel.
Qeveria në detyrë nuk mund të propozojë buxhetin e ri, ndërsa kuvendi i vjetër nuk mund ta miratojë.
Pa komisione parlamentare dhe pa shumicë funksionale, diskutimi i buxhetit bëhet i pamundur.
Më 1 mars 2026 Kosova do të hyjë në një realitet absurd që do të thotë pa buxhet, pa paga, pa pensione, pa pagesa për kontraktorët e shtetit.
Pas 28 shkurtit, shteti do të hyjë në “shut-down” financiar dhe një paralizë që do të prekë çdo qytetar, çdo biznes dhe çdo familje.
Kjo do të jetë hera e parë në historinë e Kosovës që institucionet do të ndalen jo nga mungesa e fondeve, por nga mungesa e qeverisjes.
Pasojat do të jenë të ngjashme me krizën e 1997-ës në Shqipëri që nëse keni kujtesë ka ndodhur rrëzim i sistemit ekonomik, falimentim i bizneseve, rënie e besimit publik dhe ringjallje e frikës si gjendje shoqërore.
E gjithë kjo nuk është rastësi, por pjesë e llogarisë politike të një njeriu që e di se kriza është terreni më pjellor për populizmin dhe për Kurtin dhe Republikën e tretë të tij.
Skenari i tretë është më i rrezikshmi, sepse vjen i veshur me petkun e “arsyes”.
Në javët që vijnë, do të shfaqen disa zëra që do të thonë se “është mirë të votohet buxheti, edhe nga ky Kuvend, vetëm të mos ndalet jeta ekonomike”.
Ata do të flasin me ton të qetë, si njerëz të “mençur”, që predikojnë maturi ndërsa shkelin Kushtetutën.
Njëri prej tyre, i njohur për shkrime të zgjatura dhe moral politik dhe me ndonjë status në Instagram, do ta paraqesë këtë si një akt përgjegjësie kombëtare.
Ai është zëdhënësi më i përulur i pushtetit, zëdhënësi që flet përmes heshtjes, që legjitimon çdo shkelje me fjalën “arsye”.
Në të vërtetë, është figura më e rrezikshme sepse është ai që e shet shkeljen si urtësi, që e maskon anarkinë me tonin e racionalitetit.
Por momenti kur një vend pranon shkeljen e Kushtetutës në emër të “të mirës së përbashkët”, është momenti kur ndalon së ekzistuari si demokraci.
Aty ndahet shteti nga pushteti personal. Aty ndahen kombet që mbijetojnë nga ato që humbin kuptimin e tyre.
Skenari i katërt është ai i shpëtimit, dhe për ironi, është i vetmi që s’e do Kurti dhe pushteti aktual.
Ai kërkon një qeveri teknike të dalë nga opozita, pa asnjë emër partiak, që do të kishte vetëm disa detyra jetike siç janë miratimi i buxhetit të ri, rritja e pagave dhe të skemave sociale për të zbutur krizën, ringjalljen e qarkullimit financiar dhe koordinimin me aleatët për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kushdo në opozitë që sot e sheh këtë si mundësi për post e jo si detyrë për shpëtim, bëhet bashkëautor me Kurtin.
Sepse sot nuk është në pyetje kush e udhëheq qeverinë, por a mbijeton Kushtetuta.
Kjo nuk është garë politike, por moment morali.
Ramush, Lumir, Fatmir dhe Memli, desha ta them edhe këtë që tashmë është bindje dhe përvojë e kohës.
Shtetet nuk bien vetëm nga armiku i jashtëm, por nga mungesa e përgjegjësisë së brendshme.
Kosova nuk është sot në krizë pushteti, por në krizë ndërgjegjeje.
Nëse opozita hesht, shumë shpejt do të zgjohemi në një vend ku kryeministri është në detyrë, presidentja është në detyrë, dhe Kuvendi nuk ka më asnjë detyrë.
Një vend që do të kujtojë me nostalgji edhe krizën që e solli deri këtu.
Tani është koha e arsyes, jo e ambicies.
Koha kur heshtja bëhet faj dhe veprimi bëhet detyrë.
Nëse opozita nuk vepron sot, shumë shpejt do të flasim për Kosovën si për një shtet që kishte demokraci dhe jo që e ka.