Një bllokadë e projektuar: Kur politika i shërben vetvetes, jo shtetit

Pas shtatë dështimeve radhazi për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, nuk mund të flitet më për një krizë aksidentale. Kjo është një krizë e projektuar me qëllim politik të qartë: të mbahet shteti në “...
Baton Hahxiu
Loading Icons...
test12

Një bllokadë e projektuar: Kur politika i shërben vetvetes, jo shtetit

Baton Hahxiu
Loading Icons...

Pas shtatë dështimeve radhazi për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, nuk mund të flitet më për një krizë aksidentale. Kjo është një krizë e projektuar me qëllim politik të qartë: të mbahet shteti në “autopilot”, të shtyhet përgjegjësia dhe të përgatitet terreni për një kalkulim të madh elektoral. Në qendër të kësaj loje është Vetëvendosja, e cila nuk kërkon thjesht të mbajë kontrollin mbi institucionet ekzistuese, por të arrijë diçka më të madhe. Ajo do bashkimin e zgjedhjeve lokale me zgjedhjet e përgjithshme, për të shpëtuar kapitalin e saj politik në rënie.

Duke refuzuar çdo kompromis për emrin e Kryetarit të Kuvendit, duke imponuar me ngulm Albulena Haxhiun si kandidate të vetme, Vetëvendosja shpreson të bindë Presidenten që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgjithshme për shkak të pamundësisë për funksionalitet dhe, në të njëjtën kohë, të përfshijë brenda tyre edhe zgjedhjet lokale të tetorit. Argumenti do të jetë racionalizimi i kostove dhe koha e krizës, por pas kësaj retorike fshihet interesi brutal i një partie që e di se i ka humbur bastionet lokale dhe që pa një valë të re zgjedhjesh qendrore nuk do t’i rikuperojë dot ato.

Në anën tjetër, opozita, pavarësisht deklaratave të ashpra, nuk ka asnjë interes të marrë pushtetin tani. Asnjëra parti opozitare nuk dëshiron të jetë ajo që do të përballet me administratën e re amerikane të Donald Trump në çështjen e Asociacionit. Sepse të gjithë e dinë se presioni për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë më i madh se kurrë. Dhe askush nuk dëshiron të mbajë mbi vete damkën historike të dorëzimit të një pjese të sovranitetit të Kosovës.

Opozita po kalkulon me të njëjtën ftohtësi si Vetëvendosja dhe mendon më mirë të qëndrojë jashtë qeverisjes, të mos marrë “fajësinë” e detyrimeve ndërkombëtare, dhe të presë momentin e duhur për të kërkuar pushtetin me çmim më të ulët politik. Në këtë mënyrë, përmes bllokadës, të gjitha partitë po ruajnë veten dhe po shtrijnë dorën mbi tavolinën e ardhshme të madhe: zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet lokale, dhe mbi të gjitha, zgjedhjen e Presidentit të ri, për të cilin duhen 80 vota është një objektiv që kërkon koalicione të fshehta dhe marrëveshje të parapërgatitura.

Në këtë situatë, Vetëvendosja mundohet ta zhvendosë fajësinë tek opozita, duke pretenduar se mungesa e kompromisit për Kryetarin e Kuvendit është përgjegjësi e tyre. Por në të vërtetë, mungesa e kompromisit është pjesë e një strategjie që i konvenon të gjithëve, sepse dëshirojnë të shtyhet çdo përballje reale me qeverisjen derisa situata të qartësohet ndërkombëtarisht dhe elektoral.

Kosova kësisoj mbetet e ngrirë, pa Kuvend funksional, me një qeveri të dorëhequr, dhe me një klasë politike që mat çdo hap jo me interesin e qytetarëve, por me interesin e vet për zgjedhjet dhe pushtetin. Nuk kërkohet rrugëdalje për shtetin, por kërkohet rrugëdalje për partitë. Nuk kërkohet përgjegjësi, por kërkohet kohë për pazar.

Qytetarët nuk janë thjesht spektatorë në këtë lojë, por ata janë viktima. Ndaj, reagimi që kërkohet nuk është një revoltë spontane rrugëve, por një ndërgjegjësim i thellë politik. Një mospranim i këtij teatri, një presion inteligjent mbi klasën politike, dhe një refuzim i status quo-së në çdo hap ku ofrohet mundësia.

Nëse kjo krizë kalon pa kosto politike për ata që e projektuan dhe e shfrytëzuan, atëherë nuk do të ketë fund: do të jetë vetëm fillimi i një cikli të ri krizash të projektuara për interesa të ngushta, ku shteti mbetet veç një vegël, jo një qëllim.