

Kush e ka parë filmin “Në Emër të Atit” të Jim Sheridan, në mendje nuk i mbetet vetëm fytyra e një djali të thyer nga burgu. Nuk ishin vetëm britmat nga zemërimi e as tensioni ato që ta ngushtojnë krahërorin. Ajo që të mbetet vërtet në kujtesë, që nuk të lë rehat, është një tronditje edhe më e rëndë: momenti kur e kupton se një sistem i tërë, me gjyqtarë, prokurorë, policë, ministra e gazetarë, mund të ndërtojë një realitet paralel dhe pastaj atë realitet ta quajë drejtësi.
Kjo vepër kinematografike është e bazuar në ngjarje të vërtetë. Rasti i “Guildford Four” (Katërshja e Guildfordit në Angli) nuk ishte thjesht vetëm gabim procedural. Ishte pasqyra e një shoqërie që kërkonte qetësi me çdo kusht. Frika nga terrori i pandërprerë dhe etja për rezultate e zhveshën njeriun nga dinjiteti, e kthyen dëshminë në dekor dhe çdo pikëpyetje në një luks të papërballueshëm. Kur, pas shumë vitesh, e vërteta doli në dritë, ajo nuk solli vetëm lirimin e të pafajshmëve, por u ngrit edhe si aktakuzë e rëndë morale ndaj vetë shtetit.
Prandaj ky film të rikthehet vetvetiu në mendje sa herë që përmendet Haga dhe Gjykata Speciale. Sepse edhe atje, mbase në një formë edhe më të sofistikuar është ndier pesha e politikës mbi procesin, herë e dukshme e herë e zbuluruar me gjuhë juridike. Procesi kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve nga shumëkush nuk perceptohet si përballje e rëndomtë mes prokurorisë dhe mbrojtjes. Për një pjesë të madhe të shoqërisë ky proces duket si përballje mes dy pretendimeve morale: llogaridhënia individuale përballë përshtypjes se vetë historia e luftës çlirimtare po vihet në bankën e të akuzuarve.
Kritika më e fortë ndaj kësaj gjykate kurrë nuk ka qenë se pse hetohen krimet. Askush që e merr seriozisht sundimin e ligjit nuk duhet të ketë frikë nga hetimi. Problemi ka qenë tjetërkund: mungesa e pronësisë vendore dhe ai deficiti i legjitimitetit që nuk korrigjohet dot. Sepse besimi nuk krijohet me statute. Besimi ndërtohet kur njerëzit e ndjejnë se drejtësia buron prej tyre, se u përket atyre, dhe jo kur u duket si diçka e sjellë nga jashtë, e huazuar, dhe e imponuar mbi ta.
Kur një gjykatë lind nga presioni ndërkombëtar e jo nga kërkesa që buron si nevojë e brendshme, pyetja lind vetvetiu: pse në këtë mënyrë dhe pse vetëm ndaj nesh? Për ata që luftën nuk e kanë parë nga ekranet, por e kanë përjetuar mes oborresh të djegura, shtëpish të rrënuara dhe kolonash të pafundme të dëbuarish, krijohet përshtypja e një drejtësie të posaçme për Kosovën, një laborator ku përpara syve të botës duhet dëshmuar se të qenurit viktimë nuk është krim. Ndërkohë që krimet shtetërore serbe, pas përfundimit të Tribunalit për ish Jugosllavinë, nuk u pasuan me mekanizma të rinj të barasvlershëm për të rihapur kapituj të mbyllur para kohe.
Këtu drejtësia gjithmonë rrezikoi të kthehet nga procedurë penale në instrument balancimi narrativash. Pikërisht ky është ai terreni i rrëshqitshëm sepse sapo të etablohet se po synohet ekuilibri simbolik e jo e vërteta e plotë, besimi bëhet inekzistent.
Sot në Hagë nuk ekziston frika nga IRA si në Britaninë e viteve të shtatëdhjeta, por ekziston ankthi diplomatik për gjoja stabilitet. Një stabilitet që kërkon llogari pa trazuar shumë ekuilibrat më të mëdhenj gjeopolitik. Kjo nuk është fare teori konspirative. Është realiteti i institucioneve hibride të ndërtuara në kontekste të brishta ndërkombëtare. Ekspertë të drejtësisë tranzicionale e kanë cekur qartë se pa pronësi vendore dhe pa besim publik, një mekanizëm i tillë vështirë që mund të prodhojë pajtim. Mund të prodhojë vendime të çfarëdoshme por assesi shërim.
Në ditët e fundit, me kërkesat për dënime të ashpra dhe me mbrojtjen që flet për mungesë lidhjeje direkte provash me një zinxhir të mirëfilltë komandues, jashtë sallës së gjyqit ekziston një ndjenjë kolektive se po gjykohet më shumë se individi. Kjo është pikërist pika ku i tërë procesi bëhet emocionalisht i brishtë.
Dështimi, ashtu siç e shoh unë, nuk qëndron te fakti se ekziston një gjykatë e tillë. Dështim është mënyra se si drejtësia ndërkombëtare shpesh operon sikur të mund të shkëpusë pa pasoja një dosje nga historia dhe ta trajtojë si fragment të thatë. Por konfliktet nuk janë mostra laboratorike. Ato janë histori të përgjakura, me rrethana të caktuara, me shkak e pasojë, me varg përgjegjësish që shtrihen përtej kufijve dhe kohës. T’i trajtosh si fragmente të thata do të thotë t’u heqësh shpirtin dhe t’ua shtrembërosh vetë kuptimin e tyre.
Nëse Gjykata Speciale nuk do të donte të mbetej në kujtesë si simbol i selektivitetit, ajo duhej të kuptonte se paanshmëria nuk duhet të jetë vetëm deklarative. Është standard i njëjtë, intensitet i njëjtë, guxim i njëjtë kudo ku ka krim, edhe kur ai është i mbrojtur nga shteti i caktuar e edhe atëherë kur prek aleanca moralisht të korruptuara.
Këtu më kthehet sërish në mendje filmi “Në Emër të Atit”. Sepse ky film nuk flet vetëm për disa të pafajshëm të dënuar padrejtesisht. Flet për shoqërinë që në heshtje pranon versionin e gatshëm të drejtësisë sepse është më komode se sa ta pranojë se sistemi mund të manipulohet. Britanisë iu deshën vite të tëra për ta pranuar atë dështim. Në Kosovë frika është tjetërkund: që cilido qoftë vendimi, një pjesë e madhe e shoqërisë të mos e përjetojë si drejtësi, por si vazhdim të një rruge ku rregullat nuk i shkruajnë domosdoshmërisht ata që i jetojnë pasojat, por ata që kanë fuqinë t’i imponojnë ato rregulla.
Unë nuk kërkoj pafajësi të dhuruar falas dhe as mbrojtje emocionale të askujt. Po kërkoj diçka shumë më të thjeshtë dhe shumë më të vështirë për t’u zbatuar: barazi reale standardi, proporcionalitet moral dhe guxim për të ndjekur përgjegjësinë kudo që ajo çon. Sepse drejtësia, në momentin që kthehet në test pranueshmërie politike, ajo zbehet nga brenda dhe humb atë që e bën të tillë.
Drejtësia duhet të shërojë e jo të disiplinojë. Kur drejtësia perceptohet si mjet për të edukuar apo balancuar popuj të vegjël, atëherë edhe vendimi më i saktë juridik rrezikon të mbetet i mangët në sytë e atyre që duhet ta besojnë.
Në fund, le ta themi troç se ky proces është shndërruar më shumë në spektakël politik sesa në akt drejtësie, një skenë ku Kosova është e detyruar ta dëshmojë pafajësinë e saj kolektive ndërkohë që kapitujt kryesor të krimeve monstruoze të Serbisë mbeten të mbyllur e të paprekur. Ajo që e bën këtë edhe më të rëndë është entuziazmi i disa zërave këtu brenda që mbajtjen e liderëve të UÇK-së e trajtuan dhe vazhdojnë ta trajtojnë si triumf personal dhe si eliminim të kundërshtarit politik e jo si barrë e rëndë morale që peshon mbi krejt Kosovën.
Drejtësia selektive është precedent i rrezikshëm. Fillon si instrument kundër dikujt e përfundon si model kundër kujtdo.