Ndahet nga jeta e veja e fundit e Luftës Civile


Martesa e Helen Viola Jackson me James Bolin në vitin 1936, ishte ngjarje e pazakontë. Ai ishte një 93 vjeçar me probleme shëndetsore, ndërsa ajo një nxënëse 17-vjeçare.

Bolin ishte gjithashtu një veteran i Luftës Civile i cili luftoi për Unionin në shtetin kufitar të Misurit. Jackson është me siguri e veja e fundit e mbetur nga lufta Civile. Ajo vdiq në moshën 101 vjecare, më 16 dhjetor, në një shtëpi pleqsh në Marshfield, Misuri.

Organizatat e trashëgimisë së Luftës Civile, e kanë vlerësuar rolin e qetë që Jackson ka patur në histori. “Gjë që ajo e ka mbajtur të fshehtë gjithë jetën përvec tre viteve të fundit të jetës së saj”, tha Nicholas Inman, pastori dhe miku i saj i vjetër.

Jackson jetonte në qytetin e vogël në jugperëndim të Misurit, Niangua. Bolin-i, një i ve që kishte shërbyer në Kalorësinë e 14-të të Misurit gjatë Luftës Civile shtatë dekada më parë, jetonte pranë saj.

Babai i Helen Viola Jackson-it, ofroi në atë kohë vajzaën e tij adoleshente, si ndihmëse në shtëpinë e Bolin-it. Në shenjë mirënjohje për mirësinë e bërë, ky i fundit i kërkoi martesë Jackson-it. Kjo gjë do ti siguronte asaj pensionin e ushtarit pas vdekjes së tij.

Jackson e kishte pranuar sepse “ajo ndjente se kujdesi i saj i përditshëm  ia zgjaste jetën”, u shpreh Inman.

Ata u martuan më 4 shtator të vitit 1936, në shtëpinë e tij. Gjatë tre viteve të martesës nuk kishte intimitet mes tyre dhe ajo kurrë nuk jetoi me të. Ajo kurrë nuk u tha prindërve të saj, vëllezërve të saj ose dikujt tjetër për martesën. Jackson-i nuk u martua më kurrë “duke ruajtur këtë sekret që duhej ta hante të gjallë”, tha Inman.

Pas vdekjes së Bolin në 1939-n, ajo nuk kërkoi pensionin e tij.

Ajo u ruajt nga skandali i mundshëm i një dasme midis një adoleshenteje dhe një burri në të 90-at e tij, pavarësisht nga arsyeja e saj. Në një regjistrim të historisë në 2018-tën, Jackson tha se ajo kurrë nuk foli për martesën për të mbrojtur reputacionin e Bolin-it dhe të sajin.

“Unë kisha shumë respekt për z. Bolin dhe nuk doja që ai të lëndohej nga përbuzja e gojave të liga”, ishte shprehur ajo.

Inman dhe Jackson ishin miq prej kohësh. Ajo ishte anëtare e statutit të kishës metodiste ku ai shërben si pastor. Një ditë në dhjetor të 2017-tën, ajo i rrëfeu Inman-it martesën e saj të fshehtë me një burrë shumë më të vjetër. Kalimthi i përmendi se ai kishte luftuar në Luftën Civile.

I interesuar për historinë Inman e pyet “Çfarë do të thuash me ai kishte luftuar në Luftën Civile?”, tregon Inman.

Ai shqyrtoi historinë e saj dhe zbuloi se gjithçka që ajo i kishte thënë ishte e vërtetë. Zyrtarët në ‘Wilson’s Creek National Battlefield’ i dërguan atij kopje të informacionit të shërbimit të Bolin-it në luftën civile.

Jackson gjithashtu mbante një Bibël që ia kishte dhënë ai në të cilën shkruante për martesën e tyre. Ato fjalë ishin mjaftueshëm që bijtë e veteranëve të Luftës Civile dhe organizatave të tjera të trashëgimisë, të njohin konributin e Jackson-it në histori.

“Pas një jete të tërë duke shmangur të kaluarën e saj, Jackson e rrëfeu atë në vitet e saj të fundit të jetës”, tha Inman. Ajo foli me nxënës shkolle dhe kishte dhe një faqe në Facebook kushtuar asaj. Jackson-it i pëlqente të merrte letra dhe kartolina.

Ajo gjithashtu gjeti paqe të re. Ajo natyra stoike që e mbante atë të mos derdhte lot në varrimet e vëllezërve dhe motrave të saj dukej se avulloi.

Pasi të afërmit e Bolin-it morën vesh për rolin e Jackson-it në jetën e tij, ata e vizituan atë në shtëpinë e të moshuarve dhe i dhuruan një foto të tijën.

“Ajo u prek dhe u përlot”, kujton Inman.

“Ky është njeriu i vetëm që më ka dashur ndonjëherë”, ishte shprehur Jackson-i teksa prekte foton e Bolin-it, sipas rrëfimit të Inman për median amerikane “AP”./AlbanianPost.com



Lajmet kryesore