Morali i Blendit që prodhon burg pa gjykim

Një replikë e dytë me Blendi Kajsiun dhe kufijtë mes etikës politike dhe drejtësisë penale
Baton Haxhiu
Loading Icons...
test12

Morali i Blendit që prodhon burg pa gjykim

Baton Haxhiu
Loading Icons...

Që të jem i qartë, Blendi, kam qenë ndër të paktët që kam mbështetur SPAK-un në fillim, kur të tjerët e quanin drejtësi të dirigjuar nga Rama.

Gjithashtu, i pari kam shkruar dhe kam bërë paralajmërimin për Republikën e prokurorëve, që do marrin mision tjetër rrugës, duke ndertuar sistem hakmarrjeje ndaj arrogancës së pushtetit, sepse jemi vendi i vetëm ku Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata speciale ndajnë të njëjtën ndërtesë, edhe pse Prokuroria është vetëm palë në drejtësi, jo pushtet mbi drejtěsinë.

Blendi Kajsiu, në reagimin e tij ndaj shkrimit tim, këmbëngul se nuk ka kërkuar dënim paraprak, por vetëm një standard moral më të lartë për politikën. Ai mbështetet te rasti i Ilir Metës, te gjykimi i opinionit publik dhe te ideja se largimi nga detyra i një zyrtari nën hetim nuk bie ndesh me prezumimin e pafajësisë. Sipas tij, problemi është politik, jo juridik.

Por pikërisht këtu nis keqkuptimi themelor.

Sepse në realitetin shqiptar, standardi moral që përshkruan Blendi Kajsiu nuk mbetet moral. Ai prodhon pasoja reale penale, institucionale dhe personale, të ngjashme me dënimin paraprak, vetëm se me një gjuhë më të butë. Pikërisht për këtë arsye, ky nuk është një debat abstrakt etik, por një debat konkret për kufijtë e drejtësisë.

Blendi Kajsiu këmbëngul se kërkon standard moral dhe jo dënim paraprak. Por në realitetin shqiptar, kjo ndarje është më teorike sesa reale. Kur standardi moral përkthehet në largim nga detyra, delegjitimim publik dhe presion institucional përpara se gjykata të flasë, ai prodhon të njëjtin efekt që ka dënimi paraprak. Ky është pikërisht dallimi që Blendi Kajsiu e sheh si teorik, por që në realitetin shqiptar funksionon si ndëshkim paraprak.

Në çdo demokraci më normale, paraburgimi trajtohet si masa më ekstreme ndaj lirisë personale para një vendimi përfundimtar. Ai duhet të jetë proporcional, i kufizuar në kohë dhe i justifikuar nga rreziku konkret.

Në Shqipëri, paraburgimi i zgjatur është kthyer në normë. Jo sepse drejtësia funksionon mirë, por sepse ajo kompenson dobësitë e veta strukturore me burg. Kur drejtësia është e fortë, paraburgimi është i rrallë. Kur është e dobët, ai bëhet mjet standard. Këtu është pika ku argumenti i Blendi Kajsiut për standardin moral shkëputet nga realiteti institucional.

Paraburgimi i zgjatur nuk është thjesht masë procedurale. Ai është presion psikologjik, traumë personale dhe, në shumë raste, prodhon prezumim fajësie de facto.

Dhe kur më pas personi lirohet ose akuzat bien, dëmi nuk riparohet. Besimi në drejtësi po ashtu. Kjo është arsyeja pse sistemet abuzojnë me paraburgimin  jo sepse janë më pak demokratike, por sepse i frikësohen rrezikut politik më shumë se sa shkeljes së të drejtave individuale. Është drejtësia e dobët ajo që e kthen burgun në instrument të zakonshëm.

Rasti i Erjon Veliajt, me një paraburgim të zgjatur pa vendim përfundimtar, tregon qartë se në Shqipëri masa e jashtëzakonshme po funksionon si standard dhe jo si përjashtim.

Dorëheqja, në parim, është akt mbrojtjeje institucionale, jo pranim faji. Por kjo vlen vetëm në një sistem ku drejtësia është e shpejtë, e rezervuar dhe e besueshme.

Në një realitet ku hetimet zgjasin pafund, ku rrjedhjet e informacionit, shpesh nga vetë prokurorët, paraprijnë vendimet, dhe ku media prodhon gjyq paralel, dorëheqja nuk është më zgjedhje morale e lirë, por përgjigje ndaj një fushate fajësimi dhe kërkesës me burg në studio televizive.

Blendi Kajsiu e trajton dorëheqjen si akt etik abstrakt, por e anashkalon faktin se ajo ndodh brenda një sistemi presioni penal dhe mediatik, si hakmarrje për shkak të një pandeshkueshmerie të gjatë ndaj politikës.

Shembulli i Ilir Metës në vitin 2011 përdoret gabimisht si standard moral dhe politik i dorëheqjes.

Meta dha dorëheqjen sepse sistemi gjyqësor ishte i kontrolluar dhe rezultati i procesit ishte i parashikueshëm. Presioni ishte mediatik, jo penal. Siguria e mosndëshkimit ekzistonte. Sot situata është e kundërt.

Prokuroria ka fuqi reale, paraburgimi përdoret gjerësisht dhe gjykata vjen shumë vonë. Pikërisht këtu krahasimi që bën Blendi Kajsiu me vitin 2011 bie, sepse konteksti institucional ishte krejt tjetër.

Dobësia e opozitës ka prodhuar një efekt anësor të rrezikshëm. SPAK ka marrë mbi vete një rol që në demokraci normalisht i takon politikës, atë të riformësimit të strukturës politike. Kur opozita nuk funksionon, drejtësia mbushet me mision të përkrahur nga SHBA, Britania e madhe dhe BE.

Dhe drejtësia me mision ka tendencë, të mos themi vrazhdëson masat në dëm të drejtave të njeriut, duke humbur arsyen. Kjo është pikë që Blendi Kajsiu e prek kalimthi, por nuk e përball drejtpërdrejt.

Shembujt ndërkombëtarë e tregojnë këtë qartë. Në Francë, Nicolas Sarkozy, François Fillon, Marine Le Pen, Jean Luc Mélenchon.

Në Spanjë, Pedro Sánchez dhe José Luis Ábalos. Në Gjermani, Boris Pistorius dhe skandali Cum Ex. Në Itali, Matteo Salvini, Silvio Berlusconi, Vincenzo De Luca. Në Maltë, Joseph Muscat. Në Sllovaki, Robert Fico.

Të gjithë janë hetuar, disa janë dënuar, nuk kanë dhënë dorëheqje, dhe politika nuk është shembur. Demokracia nuk funksionon mbi dorëheqje automatike, por mbi gjykata që vendosin drejtësinë për burg dhe jo paraburgim pa fund.

Eksperienca italiane dhe rumune është paralajmërim, jo model. Drejtësia kirurgjikale mund të presë një tumor, por nuk ndërton trup të shëndetshëm.

Amputimi i vazhdueshëm i klasës politike përmes “fuqisë” së prokurorëve krijon boshllëk pushteti, jo domosdoshmërisht politikë më të pastër. Dhe boshllëqet zakonisht mbushen nga forma më të errëta të pushtetit.

Rreziku është i qartë. Kur standardi antikorrupsion matet me paraburgime, pezullime dhe presion moral para vendimit gjyqësor, drejtësia pushon së qeni garantuese dhe kthehet në ndëshkues. Dhe një drejtësi që pret pa dallim rrezikon vetë sundimin e ligjit.

Lufta kundër korrupsionit është e domosdoshme. Disa eksponentë politik meritojnë drejtësinë e vertetë, por ajo nuk fitohet vetëm me shtrëngim penal. Ajo kërkon institucione funksionale, kontrolle administrative, reforma strukturore dhe kulturë ligjshmërie. Përndryshe, epërsia morale dhe gjykmi popullor(qëdon gjak) zë vendin e drejtësisë.

Në këtë kuptim, debati me Blendi Kajsiun nuk është për moralin, por për kufijtë e drejtësisë në një demokraci funksionale.

Ndryshe kthehemi të poshtnimi publik dhe moral ku dominojnë vibratorët , brekët, dhe fjalori për palloshët.