Kur Albin Kurti kërkon armik në Tiranë

Si Narcisi që dashurohej me pasqyrën e vet, Kurti kërkon dashurinë e të gjithë shqiptarëve, pa kuptuar se ajo pasqyrë nuk ta kthen më kurrë dashurinë, por vetëm vetminë
Baton Haxhiu
Loading Icons...
test12

Kur Albin Kurti kërkon armik në Tiranë

Baton Haxhiu
Loading Icons...

Ka diçka domethënëse në faktin që Vetëvendosje dhe Albin Kurti reaguan pikërisht tani, në vigjilje të protestës për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Jo sepse Edi Rama u bë papritur temë e rëndësishme për ta, por sepse Kosova po hyn në një periudhë elektorale të nxehtë dhe Kurti ka nevojë për një kundërshtar që ta mbajë ndezur konfliktin moral që e mban gjallë politikisht.

Kësaj radhe, për ta ushqyer këtë narrativë, ai ka zgjedhur ta shtrijë betejën përtej kufirit, në Shqipëri.

Sulmi ndaj Ramës nuk është ideologjik. Është i menduar, i llogaritur dhe emocionalisht i kalkuluar. Rama është kundërshtari ideal për ta ndezur publikun shqiptar. Albini provon gjithçka për ta vënë në lëvizje atë instinkt sentimental që reagon ndaj çdo kujt që perceptohet si “armiku politik i tij”.

Por kjo nuk është më betejë për drejtësi. Është një lojë për pushtet që përdor drejtësinë si dekor moral.

Në të vërtetë, Kurti po bën sot në Shqipëri atë që ka bërë më parë në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës: e ka përdorur retorikën e bashkimit kombëtar për të ndarë shqiptarët në “të pastër” dhe “të përlyer”.

Në Maqedoninë e Veriut, ndihmoi Mickovskin përmes retorikës së përçarjes ndaj partive shqiptare tradicionale dhe nxiti konfuzionin që i dobësoi përfaqësuesit e shqiptarëve në pushtet.

Në Luginën e Preshevës, retorika e tij për “bashkim” solli ndasi, duke e kthyer një hapësirë të brishtë politike në një rrëmujë rivalitetesh lokale që s’prodhuan as rezultat, as strategji.

Tani, me të njëjtën frymë, kërkon të prodhojë përçarje edhe në Shqipëri,  një përçarje simbolike që i duhet për t’u dukur si “lider i gjithë shqiptarëve”.

Edi Rama, në reagimin e tij, e kuptoi këtë lojë. Prandaj e ndau qartë veten nga çdo organizim partiak i protestës, por jo nga qëllimi i saj moral.

Ai e mbështeti kauzën e drejtësisë për çlirimtarët, por kundërshtoi përpjekjen për ta kthyer në miting partiak.

Në thelb, Rama po e mbron shtetin nga politizimi i emocioneve, ndërsa Kurti po përpiqet të mbajë gjallë politikën përmes emocioneve që nuk i kontrollon dot.

Në të dy reagimet e tyre, kontrasti është i dukshëm:

Kurti flet për “të kaluarën që e ndan”, për ta mobilizuar të tashmen.

Rama flet për “të ardhmen që bashkon”, për ta shpëtuar kauzën nga përdorimi politik.

Në këtë përplasje, Shqipëria bëhet arenë e një loje që nuk është e saj.

Sepse për Albin Kurtin, çdo hapësirë ku flitet shqip është potencial politik.

Pasi nuk arriti ta fitojë Shqipërinë me votë, tani kërkon ta fitojë me konflikt, që shqiptarët ta duan UÇK-në, por të mos duan ata që ishin pjesë e saj.

Është një mënyrë për të kontrolluar kujtesën dhe për ta kthyer në kapital politik.

Albin Kurti nuk po lufton vetëm kundër Gjykatës Speciale, por edhe kundër çdo kujt që i kujton kufirin midis politikës dhe drejtësisë.

Në Kosovë e ka bërë këtë me Hashim Thaçin, në Shqipëri po e bën me Edi Ramën.

Dhe ndoshta, sepse nuk arriti ta fitojë Shqipërinë me votë, tani kërkon të bëjë që as kundërshtarët e tij të mos i dojë Shqipëria.

Kjo është filozofia e një lideri që s’e pranon dot që kauzat kombëtare të ekzistojnë edhe pa të.

Si të gjithë ata që kërkojnë dashurinë e një kombi të tërë, ai përfundon duke dashur veten përmes pasqyrës së kombit.

Dhe pasqyra, një ditë, si tek Narcisi i mitologjisë greke, s’ia kthen më dashurinë, por vetëm reflektimin e vetmisë së tij.

Sepse kush kërkon të dashurohet nga të gjithë, në fund mbetet vetëm. Natyrisht, i dashuruar me zërin e vet.