

Gjykata Kushtetuese vendosi 5 me 3 në favor të parimit juridik që, një kryetar i zgjedhur nuk mund të shkarkohet pa dënim të formës së prerë. Ky është thelbi i vendimit.
Shumica mbrojti sovranitetin e votës përballë ndërhyrjes së Qeverisë. Në nivel kushtetues, kjo është e drejtë. Vota nuk mund të zëvendësohet me vendime administrative. Mandati nuk ndërpritet nga arresti, por nga dënimi.
Por ajo që Gjykata nuk pa është qytetari. Qyteti nuk jeton në dispozita. Qyteti jeton në shërbim, në praninë e kryetarit në detyrë, në përgjigje ndaj nevojave të përditshme. Sot kemi një kryetar që nuk ndodhet në zyrë, por në burg. Kjo e kthen Tiranën në një qytet të pezulluar midis një zyre bosh dhe një qelie të mbyllur.
Dhe kjo nuk është çështje Veliaj. Kjo është çështje e funksionimit të shtetit vendor.
Veliaj sot po e bën betejën e vet politike nga burgu. Pyetja që duhet bërë nuk është nëse ai është viktimë, por nëse ai po e lexon burgun si trampolinë për t’u ngjitur më lart në parti.
Arsyetimi është i thjeshtë: O kryetari është në zyrë dhe i shërben qytetit, o është në burg dhe shpallen zgjedhje të reja.
Nuk mund të jetë njëkohësisht në qeli dhe në detyrë. Ai që është në burg, nuk qeveris. Ai vetëm mban peng.
Këtu pesëshja gabon, sepse zgjodhi të mbrojë të drejtën individuale, por nuk gjeti mënyrën për të mbrojtur të drejtën kolektive. E drejta e qytetit për të pasur qeverisje funksionale u la jashtë ekuacionit.
Juridikisht, shteti mund ta kompensojë individin kur gabon. Por kush kompenson qytetin që pret?
Votimi 5 me 3 nuk është vetëm numër. Është ndarje brenda vetë Gjykatës. Dy kultura të të menduarit u përplasën dhe shihet se njëra që sheh tekstin si normë të palëvizshme, dhe tjetra që sheh realitetin institucional dhe moral si pjesë të së drejtës.
Dhe për mënyrën si funksionon kjo gjykatë, krejt armiqesisht brenda, raporti 5 me 3 shpesh nuk është juridik, por konstelacion i marrëdhënieve të brendshme. Në një çështje kaq të madhe, ky është sinjal se institucioni nuk është homogjen në vizionin e tij.
Në fund, debati nuk është: a është Veliaj fajtor apo jo? Ky është vendim që i takon gjykatës penale.
Debati i vërtetë është ky dhe i vetmi: A mund të mbahet peng një kryeqytet prej një njeriu që nuk është i pranishëm?
Ligji mbron të drejtën e tij të presë, por morali nuk mbron të drejtën e askujt të pengojë një qytet.
Prandaj zgjedhja është e detyrueshme, e vetme, pa të tretë:
O kthejeni në zyrë.
O mbajeni në burg dhe hapni kutitë e votimit.