Kosova, “tokë e premtuar” për refugjatë dhe kriminelë

Nga ‘marrëveshja e burgjeve’ te planet për refugjatë: rreziku për sigurinë, të drejtat e njeriut dhe sovranitetin; importi i të dënuarve dhe azilkërkuesve
Behxhet Shala
Loading Icons...
test12

Kosova, “tokë e premtuar” për refugjatë dhe kriminelë

Behxhet Shala
Loading Icons...

Një ish-ministre e papërgjegjshme e Drejtësisë nënshkroi një marrëveshje me MD të Danimarkës për “shitblerje” të 300 të dënuarve në Danimarkë për vepra të rënda kriminale, asnjëri prej tyre shtetas danez. Deputetë të painformuar, disa dashakeq, e votuan këtë marrëveshje, që në planin afatgjatë do të prodhojë pasoja të rënda për sigurinë dhe të drejtat e njeriut. Asnjë vend i rajonit nuk ka pranuar propozimin e Danimarkës, duke vlerësuar drejt rrezikun dhe pasojat. Pas kësaj, shumë shtete shfaqën interes për të marrë burgje me qira në Kosovë, si Mbretëria e Bashkuar dhe Belgjika.

Kosovën, së fundi, e vizituan dy ministre të qeverisë belge, për të përsëritur “marrëveshjen e Danimarkës për burgje…”. Për opinionin nuk pati më shumë informata. Ndërkaq, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, pasi dështuan me Ruandën për vendosjen e refugjatëve të paligjshëm, hodhi spirancat në Kosovë si vend ku, pa asnjë kundërshtim nga autoritetet e vendit, mund të vendosen dhunshëm dhe kundër vullnetit të tyre refugjatë të paligjshëm nga vendet e treta, si dhe të burgosur e të dënuar, asnjë prej tyre shtetas kosovar apo i Mbretërisë së Bashkuar. Për më keq, Albin Kurti, KM kujdestar i Kosovës, pa asnjë diskutim apo debat me institucionet e vendit, i premtoi KM Starmer se Kosova do të pranojë refugjatë të paligjshëm nga Anglia, si ndihmë e Kosovës. Mbase edhe të burgosur, në këmbim të dhënies së garancioneve të sigurisë së Mbretërisë së Bashkuar kundër rrezikut nga Serbia dhe Rusia për Kosovën, në kohën kur garancione të tilla nuk ka as Ukraina.

Kosova ka një grusht refugjatësh dhe azilkërkuesish në dy qendra dhe ka shumë vështirësi në menaxhimin e tyre. Ata përfshihen në aktivitete të ndryshme kriminale si vjedhje, narkotikë, sulme seksuale, përleshje midis tyre, etj.

Kosova nuk ka asnjë kapacitet fizik, material, profesional dhe njerëzor për të strehuar dhe menaxhuar një numër të madh refugjatësh dhe të burgosurish; prandaj duhet të refuzojë kërkesa të tilla, siç kanë bërë vendet e rajonit. Ky eksperiment me Italinë po dështon në Shqipëri. Refugjatët, sipas ligjeve ndërkombëtare dhe vendore, gëzojnë disa të drejta, si lirinë e lëvizjes dhe, në disa raste, të drejtën për punë. Ata nuk mund të mbahen dhe trajtohen si të burgosur. Me mungesën e madhe të kapaciteteve pranuese dhe trajtuese, Kosova do të identifikohej si shkelëse e të drejtave të njeriut. Pasi edhe refugjatët, si edhe të burgosurit, do të transferohen në Kosovë kundër vullnetit të tyre dhe në mënyrë të dhunshme, vetë pranimi i tyre nga Kosova paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Pastaj, në çastin kur Kosova pranohet në Këshill të Evropës, këto marrëveshje diskriminuese do të anulohen.

KMDLNj-ja fuqishëm ka kundërshtuar marrëveshjen për burgje me Danimarkën, duke kërkuar përgjegjësi penale për ish-ministren e Drejtësisë për rrezikim të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

KMDLNj fuqishëm e kundërshton marrëveshjen eventuale me Mbretërinë e Bashkuar për refugjatë të paligjshëm dhe të burgosur, aq më tepër që aktualiteti politik në Kosovë nuk i jep mandat institucional, politik, ligjor dhe kushtetues deputetit Kurti për të negociuar marrëveshje të tilla. Për KMDLNj-në ka kuptim dhe do të përkrahte çdo përpjekje për riatdhesim të refugjatëve të paligjshëm dhe të të burgosurve që janë shtetas të Kosovës e që nuk kanë siguruar lejeqëndrim në Mbretërinë e Bashkuar.

Jetësimi i këtyre marrëveshjeve do të paraqesë rrezik serioz për sigurinë në Kosovë, duke rritur vepra të rënda penale, si rritja e kriminalitetit të të gjitha llojeve, përhapja e islamit radikal, trafikimi i qenieve njerëzore, tregtimi dhe përdorimi i narkotikëve, prostitucioni dhe trafikimi i qenieve njerëzore, si dhe ngacmimi dhe dhunimi seksual.

(Autori është kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut)