Kosova ka disa vite që ndërton në publik iluzionin për anëtarësimin në NATO pa shpjeguar disa çështje shumë të rëndësishme. Edhe pse Kosova ka bërë disa hapa të rëndësishëm në relacionet me NATO si Seminari Rose Roth i asamblesë parlamentare të NATO-s në vitin 2016 dhe 2022 që u mbajt në Prishtinë, si dhe vëzhgimi i seancave parlamentare, relacioni më NATO-n ka qenë i komplikuar.
Në Kosovë, diskutimi publik është pothuajse tërësisht ai politik. Procesi për anëtarësimin në NATO shihet si aplikim dhe shqyrtim nga NATO, ndërsa e vërteta është se të gjitha shtetet anëtare duhet të ratifikojnë ftesën për anëtarësim duke përfshirë vendimin e ShBA-ve që përfshin vendimin nga Kongresi.
Procesi për anëtarësimin në NATO, si dhe e mësuam praktikisht me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë, mund të duket se nuk ka ndonjë listë me kërkesa, por jo formalisht ka pesë kritere: ruajtjen e demokracisë duke përfshirë tolerancën e diversitetit, progresin në ekonominë e tregut, forcat ushtarake duhet të jenë nën kontroll të plotë të pushtetit civil, fqinjësia e mirë dhe respekti për sovranitetin e vendeve jashtë kufijve të vet; si dhe duhet të punohet për përputhje me politikat e NATO-s. Sipas Departamentit të Shtetit të ShBA-ve, faktori kryesor për secilën ftesë për anëtarësim në NATO është shtimi i sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.
Vizita e fundit e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, dëshmon se NATO ende e sheh Kosovën si faktor, e cila nuk arrin të përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë ndërkombëtare dhe e sheh Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) si forcë reaguese humanitare me mision civil ndaj fatkeqësive natyrore apo njerëzore.
Përveç kushteve formale që varen shumë nga konteksti politik, ka disa argumente që duhen shtjelluar për të kuptuar saktë këtë çështje.
E para është se në të vërtetë, Kosova ka dështuar të rreshtohet me bashkësinë ndërkombëtare dhe vazhdon të keq lexoj situatën në raport me organizatat ndërkombëtare për demokracinë në vend dhe diversitetin në vend.
Ndërhyrjet e fundit në veriun e vendit, sado që janë legjitime, nuk ishin në interesin më të mirë të objektivave strategjike të Kosovës për anëtarësim në NATO.
Gjithashtu, deklaratat në platforma digjitale e rrjete sociale janë të pamjaftueshme kur duhet shpjeguar thelbi për situatën e krijuar me mungesën e implementimit të marrëveshjes për Asociacionin, regjistrimet e veturave dhe aspekte tjera që në sytë e partnerëve ndërkombëtarë kanë vështirësuar jetën e minoritetit serb në veri.
Kosova ka mungesë të përkrahjes nga BE-ja dhe ShBA-të për situatën në veriun e Kosovës. Për këto arsye, ajo sot gjendet nën masa sanksionesh nga BE-ja.
Këto aspekte të sigurisë janë shumë të dëmshme kur përdoren nga eksponentë që e kundërshtojnë atë për Kosovën.
Në kontekstin e kontrollit civil e demokratik për forcat e armatosura, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm por jo të mjaftueshëm.
Ministrat dhe ish-ministrat e mbrojtjes në Kosovë, kanë tashmë një traditë më profesionale në fushën e mbrojtjes se sa ata që janë në sektorë të tjerë dhe në të shumtën e rasteve vijnë nga sektori ushtarak që i diskualifikon ata për ekspertizë në politikën ndërkombëtare.
Politika e mbrojtjes në Kosovë në fakt është jo vetëm politikë për mbrojtjen e saj, por edhe politikë ndërkombëtare dhe ministri i mbrojtjes së Republikës së Kosovës duhet të jetë një «ministër i punëve të jashtme» gjithashtu i cili do të sigurojë aleancat në fushën e sigurisë. Deklarimet sistematike në rrjetet sociale se Kosova do të aplikoj për anëtarësim në NATO nga ministrat e mbrojtjes në Kosovë (të kujtojmë se një gjë e tillë ndodhi edhe gjatë mandatit të ministrit Mehaj) nuk e ndihmojnë situatën sepse janë në rastin më të mirë, joserioze.
Në Kosovë, aplikimi për anëtarësimin në NATO interpretohet vetëm si çështje administrative dhe formale pasi NATO-ja vetëm se është në Kosovë me praninë e KFOR-it. Ndërsa KFOR në Kosovë, nuk ka këso qëndrime.
Këto qëndrime të KFOR-it janë bërë të qarta disa herë përmes komunikimeve zyrtare publike por edhe u konfirmuan me letërkëmbimin e Komandantit të KFOR-it dhe ministrit Maqedonci. Ky i fundit, konfirmon zotimin e mos lëvizjes së FSK-së në veriun e Kosovës duke e konfirmuar letrën e Presidentit Thaçi për këtë zotim, që FSK-ja mos të lëvizë në veriun e Kosovës pa aprovimin paraprak apo koordinimin me KFOR-in dhe NATO-n dhe që konfirmon KFOR-in si garantues të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Ka edhe disa faktor tjetër shumë të rëndësishëm për të cilin mbase nuk u fol këtyre ditëve në Prishtinë.
Fondi i Sigurisë në Kosovë është problematik për politikat e mbrojtjes. Pra, shteti që ka një buxhetim të stilit të lëvizjeve sociale apo parashteteve në stilin e crowdfunding (mbledhje fondesh nga grupe njerëzish me të njëjtat interesa), shihet me skepticizëm të madh nga NATO. Kjo do të krijonte situata kur fondi për siguri kontrollohet nga politika, por jo në mënyrë demokratike dhe civile.
Argumenti tjetër që u dha nga elita politike kosovare u interpretua se vendet mos-njohëse të pavarësisë së Kosovës të BE-së nuk do ta votonin anëtarësimin në NATO dhe, ndërkohë, votat e vendeve që njohin Kosovën merren si të mirëqena. Nëse shohim lojën politike të anëtarësimit të Suedisë në NATO, duhet kuptuar mësimi se anëtarësimi në NATO është negociatë e re edhe mes shteteve që njihen mes vetes si Turqia dhe Suedia. Jo më në një rast si ai i Kosovës.
Politika Kosovare është e pasionuar mes fajësimeve dhe gjetjes së faktorëve për mossuksesin e deritanishëm. Dhe kjo po reflekton në marrëdhëniet politike për të vazhduar aleancat dhe krijuar aleanca të reja.
Në kohën kur Donald Jr. Trump viziton Beogradin, Mark Rutte viziton Kosovën, por nuk është e sigurte cila vizitë është më strategjike. Një gjë është e sigurtë, Kosova ka stagnuar në avancimin e pozitës së vet vis-a-vis NATO-s por edhe BE-së.
Autori është ligjërues në Universitetin e Agder dhe Stavanger në Norvegji. Mirret me studime shkencore në fushën e medias, demokracisë dhe konfliktit si dhe menaxhon me projektin e BE për Mediat e Qëndrueshme për Demokraci në Epokën Digjitale (ReMed). Në vitin 2012, ka diplomuar për Politikat e Mbrojtjes dhe Diplomacisë në Institutin për Siguri Globale të Universitetit të Durham në Mbretërinë e Bashkuar.