Opinione / Sport

Dilemat e Klopp dhe penalltitë e United


Mark Doyle

Trajneri i Liverool teknikisht ka të drejtë për numrin e penalltive që Manchester United ka fituar dy sezonet e fundit. Por a ka ndonjë shpjegim logjik?

Në një prononcim pas ndeshjes me Southampton-in, Jurgen Klopp u tha gazetarëve: “Dëgjova tani që Manchester United ka më shumë penallti në dy vjet, sesa unë në pesë sezone e gjysëm. Nuk e kam idenë nëse është faji im, apo si mund të ndodhë kjo”.

Bujë e madhe. Tifozët e futbollit i duan teoritë konspirative.

VAR, sigurisht kishte si qëllim të barazonte ekipet në fushën e lojës, duke shmangur gabimet arbitrare, por loja e të hënës ka trazuar ujërat. Pretendimet për favorizime janë të tepërta dhe mbeten subjektive, me interpretime që ndryshojnë nga ndeshja në ndeshje.

Por a kishte të drejtë Klopp? A po merr Manchester United penallti të paqena? Dhe, a ka ndonjë shpejgim për këtë? Ashtu si edhe Rafa Benitez, 12 vjet më parë, le të merremi me faktet.

Që nga koha e mbërritjes së Klopp më 8 tetor 2015, Liverpool ka fituar 30 penallti në Premier League. Leicester është i pari me 45 penallti të fituara, i ndjekur nga Manchester City me 43 dhe Manchester United me 41.

Interesante është se që nga gushti i 2018, United ka fituar 32 penallti (në Premier League), çka do të thotë që Klopp është teknikisht i saktë. Për të qenë të saktë, United, ka fituar dyfishin e penalltive në krahasim me Liverpool, përkatësisht 48 me 24 (në të gjitha kompeticionet).

Askush nuk është si United-i në top pesë ligat kryesore. Juventus-i ka marr 37 penallti, që renditet i dyti.

Cilat janë arsyet e mundshme për këtë?

Sigurisht që një herë u argumentua se zyrtarët favorizojnë klubet e mëdha dhe ndoshta ato më të pasurat.

Teoria u zhvillua në Itali, për “favorizimet” që arbitrat i bënin Juventus dhe se ishin bërë palë në mënyrë të papërgjegjëshme me Zonjën e Vjetër. Sigurisht që skandali “Calciopoli” i hodhi dritë këtij pretendimi, duke lejuar teoritë konspirative të krijonin trazira.

Në një mënyre më të përgjegjëshme, argumentohet se ekipet e mëdha mund të fitojnë më shumë penallti sepse ato dominojnë lojën, mbajnë më shumë topin, përdorin presionin më shumë dhe janë prezente në fushën e kundërshatrit për shumë kohë.

Sidoqoftë, United është jashtë kësaj hipoteze. Prekjet e topit në fushën kundërshtare në Premier League që nga viti 2018, kryesohen nga City me 3 681 prekje, Liverpool-i me 3 095 etj, ndërsa në vendin e pestë qëndron United-i me 2 329 prekje të topit në gjysëm fushën kundërshtare.

Ndërsa në krahasim me top pesë ligat në të gjitha kompeticionet, i pari për prekje në gjysëm fushën kundërshtare, që nga 2018 është City me 5 772 prekje, Liverpool i treti me 4 404 prekje, kurse United renditet në vendin e 10 me 3 553 prekje.

Që nga sezoni 2018-19, United ka fituar 48 penallti, 11 më shumë se Juventus, i vendit të dytë.

Por, United nuk është si City, Bayern Munich apo Liverpool që bëjnë presion shumë lartë. Madje në Top Pesë ligat, gjithmonë që nga 2018, që u referohet Klopp-i, në të gjitha kompeticionet, United-i nuk është as ekipi më i faulluar.

Në krye qëndron Barcelona me 458 faulle të pësuar, Juventusi me 390 faulle, ndërsa United është në vendin e pestë me 381 faullë të pësuar, Liverpool-i është në vendin e 16 me 324 faulle.

Ndonëse United ishte në vendin e 10-të  për sa i përket prekjeve të topit në gjysëm fushën kundërshtare, ata renditeshin të pestët për faulle të fituara.

Është e vështirë për ta shpjeguar se pse ata marrin më shumë penallti, kur nuk janë të parët që kalojnë më shumë kohë në gjysmëfushën e kundërshtarit, e as më të faulluarit.

United theu rekordin për më shumë penallti të fituara, brenda një sezoni, kur sezonin e kaluar mori 14 të tilla. Ata shquhen për kundërsulme dhe kanë lojtarë shumë të shpejtë, që për t’i ndaluar shpeshherë kundërshtarët i faullojnë.

Ky është një argumentim interesant, për dy arsye.

Fillimisht, United ka një kundërsulm të shkëlqyer dhe renditet pas PSG, City, Liverpool dhe Wolves, për shpejtësin e kundërsulmit, në të gjitha kompeticionet që nga sezoni 2018/19.

PSG me Neymar dhe Kylian Mbappe, dy nga lojtarët më të shpejtë në botën e futbollit, janë mbretërit e kundërsulmit, duke realizuar 38 gola me kundërsulme, por kanë fituar 15 penallti më pak se United-i.

Së dyti, United nuk ka një lojtarë të sajin në mesin e 20 lojtarëve më të faulluar, por kjo nuk e ka penguar që të marri një penallti për çdo dy pikë nëntë ndeshje – raporti më i mirë deri tani në Europë.

Marcus Rashford dhe Anthony Martial janë përgjigja e pyetjes pse. Ata janë dyshja që ka fituar më së shumti penallti, 18 të tilla, më shumë se dyshja Neymar-Mbappe me 15, apo dhe Salah-Mane me 14.

Sidoqoftë, nuk ka ndonjë arsye fikëse për suksesin e tyre. Sigurisht që asnjë lojtar i United, nuk është akuzuar për stimulim. Mund të jetë thjesht rasti kur mbrojtësit mundohen të mbrojnë por shkaktojnë faulle në dëmë të sulmuesve.

Sigurisht, kjo nuk shpjegon se pse lojtarët apo ekipet e tjera nuk marrin kaq penallti. Numri i lartë i penalltive të marra nuk mund tu atribuohet vetëm dy sulmuesve. Ne thjesht po shikojmë një anomali statistikore, që mund të dal vetë përgjatë pesë viteve.

Tani për tani, është vetëm një fakt, që United po merr një numër të madh penalltish. Dhe Klopp duhet të pajtohet me këtë gjë, për të mirën e Liverpool, shpresojmë më shpejt sesa Benitez.


Lajmet kryesore