Në ditën e nisjes së fushatës, ndjeva një qetësi të madhe në Tiranë. Një lloj qetësie që zakonisht vjen para një vendimi të madh. Dhe ky vendim nuk është thjesht zgjedhor. Është ekzistencial. Shqipnia është në prag të një kapërcimi historik, ose përparon me ritmin e saj evropian, ose bie pre e statuseve të përhershme tranzicioni.
Rruga evropiane nuk është një fjalë-klishe. Është një provë e vërtetë. Dhe për Shqipërinë, kjo rrugë është bërë më e prekshme se kurrë më parë nën udhëheqjen e Edi Ramës. Më shumë se një mandat politik, ajo që është ndërtuar në këto vite është një arkitekturë e qëndrueshme e shtetit që e di ku don me shku. Sepse Evropa nuk është një destinacion gjeografik, është një zgjedhje kulturore dhe qytetëruese.
Zgjedhjet që vijnë janë më shumë se sa një rrotacion pushteti. Janë një referendum për orientimin e Shqipërisë. Për të vazhduar një proces që ka dhënë rezultate konkrete: hapjen e negociatave, kapitujt e drejtësisë e sigurisë, klasërat e tregut të brendshëm dhe marrëdhënieve të jashtme, dhe përfitimet nga Plani i Rritjes prej qindra milionë eurosh.
Rruga drejt BE-së është tashmë e hapur. Por kjo nuk do të thotë se është e garantuar. Sepse në politikë, asgjë nuk fitohet përjetësisht. Çdo arritje lyp mbrojtje. Çdo hap përpara lyp një votë që ta forcojë dhe një vizion që ta çojë përpara.
Sot, Shqipnia s’e ka luksin me u kthy mbrapa. Nuk ka më vend për protagonizma të vogla dhe projekte të shkurtra. Kemi nevojë për qëndrueshmëri. Dhe Edi Rama, me të gjitha sfidat dhe rezistencat që ka përballuar, është arkitekti më i qëndrueshëm i këtij orientimi strategjik.Lufta në Ukrainë dhe tensionet globale janë sfondi i kësaj historie. Por Shqipëria është pjesë e së ardhmes, jo e traumave të së shkuarës. Dhe kjo e ardhme është në Bruksel, jo në errësirën e autoritarizmit.
Nëse e shikojmë ftohtë, Shqipnia ka pasë rritje të prekshme ekonomike. Prej 17.2 miliardë dollarë në vitin 2022, PBB-ja u rrit në 22.98 miliardë në 2023. Kjo rritje s’është veç numër – asht shenjë se ekonomia po hyn në një cikël të ri, ma të qëndrueshëm e ma evropian. Për një vend të vogël, kjo s’duhet me u marrë si e mirëqenë.
Për dekada kemi dëgjuar për integrimin. Por sot, për herë të parë, Shqipëria është reale në tryezat ku vendoset fati i Evropës. Dhe kjo është arritje që nuk duhet të rrezikohet nga cinizmi, kaosi apo kthimi te një politikë që përfiton nga rrëmuja.
Rritja ekonomike, dixhitalizimi, investimet në infrastrukturë dhe energji nuk janë vetëm statistika. Janë simptoma të një shteti që po bëhet. Dhe reforma në drejtësi, sado e vështirë, ka ndërtuar themelet e besimit.
Në një kohë kur shumë vende përreth përjetojnë kthesa të rrezikshme, Shqipnia po rritet me durim. Dhe kjo është arsyeja pse zgjedhjet e ardhshme janë vendimtare: për të mos u kthyer më në grindjet sterile, por për ta çuar vendin në stacionin që ka ëndërruar Evropën.
Rruga evropiane nuk është rruga e askujt individualisht. Por Rama, me stilin e tij, e ka personalizuar. Ka lidhur emrin e tij me një kapitull të ri kombëtar. E këtë s’mundet me ia mohue as historia, as kundërshtarët e tij.
Ne kemi nevojë për vazhdimësi. Sepse ndryshe nga e kaluara, këtë herë kemi diçka për të humbur.
Arianit Shehu është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit, me bazë në SHBA dhe me mbi 25 vite përvojë në drejtimin e programeve shumëmilionëshe në promovimin e demokracisë dhe luftës kundër terrorizmit. Për më shumë se dy dekada, z. Shehu ka shërbyer si drejtor i konzorciumeve të Instituteve Politike Amerikane dhe ka udhëhequr iniciativa të rëndësishme në më shumë se njëzet vende në Evropën Qendrore e Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.
Z. Shehu gjthashtu ka shërbyer edhe si këshilltar i ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright për institutet prestigjioze ndërkombëtare si Aspen Institute dhe Atlantic Council. Kontributi i tij në fushën e sigurisë dhe demokracisë është vlerësuar me një sërë dekoratash civile dhe ushtarake, përfshirë Medaljen e Paqes dhe Medaljen e Nderit. Krahas angazhimit diplomatik dhe strategjik, Arianit Shehu është edhe ligjerues pranë Universitetit të Filadelfias, ku ndan përvojën e tij të pasur me brezin e ri të liderëve dhe profesionistëve. Gjatë viteve ’90, ka punuar si korrespondent lufte për Los Angeles Times duke sjellë në vëmendjen globale realitetin e rajonit.