Nuk më kanë pëlqyer kurrë gënjeshtrat publike të Albin Kurtit.
Ai ka ndërtuar një narrativë politike ku realiteti shpesh shtrembërohet për t’iu përshtatur interesave të tij.
Kjo qasje i ka sjellë Kosovës shumë dëme, duke krijuar një iluzion për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe duke e paraqitur veten si një lider të pakompromistë, kur në fakt kompromiset e pashmangshme janë bërë gjithmonë në dëm të vendit.
Por po aq sa më shqetësojnë gënjeshtrat e Kurtit, më shqetëson edhe gjuha jashtëzakonisht jodiplomatike e Richard Grenellit.
Ai nuk po flet më si një ish-emisar apo si një analist, por si njeriu më me peshë i administratës Trump për Ballkanin, dhe deklaratat e tij nuk janë thjesht kritika, ato janë një paralajmërim i qartë për Kosovën.
Ne si qytetarë jemi këtu dhe duhet të përballemi me realitetin.
Çfarë do të thotë kjo për Kosovën? A duhet të frikësohet populli nga ky ton i ashpër dhe të ndëshkojë Kurtin me votë? Apo duhet të sfidojë administratën e Trumpit dhe të refuzojë këtë lloj presioni?
Në një moment të tillë, kur një superfuqi si SHBA po e vendos Kosovën përpara një prove të vështirë, çfarë duhet të bëjë një qytetar që nesër do të japë votën?
Ky është thelbi i dilemës së madhe në të cilën ndodhet Kosova sot.
Deklarata e Richard Grenellit, njeriut më të fuqishëm të administratës Trump për Ballkanin, është një shuplakë e fortë diplomatike për Albin Kurtin dhe një sinjal alarmi për Kosovën.
Në kulmin e fushatës zgjedhore, Kurti deklaroi se marrëdhëniet me SHBA-në janë të mira, por Grenell e rrëzoi këtë pretendim brenda pak orësh me një paralajmërim të qartë dhe të rrezikshëm.
Richard Grenell, emisari special i Trumpit për Ballkanin dhe njeriu me peshën më të madhe në politikën amerikane për rajonin, po e shpall publikisht qeverinë e Kurtit si të pabesueshme dhe të papranueshme për Shtetet e Bashkuara.
Me këtë qëndrim, ai jo vetëm që i mohon Kurtit pretendimet për marrëdhënie të mira me Washingtonin, por edhe e vendos Kosovën në një pozicion të rrezikshëm gjeopolitik.
Në deklaratën e tij të fuqishme, Grenell e akuzon hapur Kurtin për veprime të njëanshme që destabilizojnë rajonin dhe për refuzim të bashkëpunimit me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në.
Ky është një mesazh i qartë se SHBA ka humbur durimin dhe nuk e sheh më Kurtin si një partner të besueshëm.
Me Trumpin tashmë në Shtëpinë e Bardhë dhe Grenellin si zërin e tij më të fuqishëm për Ballkanin, Kosova rrezikon të mbetet jashtë projekteve strategjike amerikane dhe të përballet me izolim diplomatik dhe ekonomik.
Grenell e tha qartë: investimet amerikane po shkojnë në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Kosovë, për shkak të politikave të Kurtit.
Kjo deklaratë tregon se SHBA nuk do të tolerojë më refuzimin e marrëveshjeve të nënshkruara, mungesën e bashkëpunimit në çështjet strategjike dhe qasjen konfrontuese të Kurtit në dialogun me Serbinë.
Mesazhi është i prerë: ose Kosova do të bashkëpunojë me SHBA-në, ose do të përballet me pasoja të rënda.
Grenell nuk ka harruar që Kurti e sfidoi hapur gjatë mandatit të parë të Trumpit, duke rrëzuar marrëveshjet e ndërmjetësuara nga administrata amerikane dhe duke kundërshtuar planet e Washingtonit për Ballkanin.
Tani që republikanët janë kthyer në pushtet, Grenell po e bën të qartë se nuk do të ketë tolerancë për një qeveri që nuk është në linjë me politikën amerikane.
Ky nuk është thjesht një qëndrim personal i Grenellit, por një pozicion zyrtar i administratës Trump.
Nëse Kosova vazhdon të udhëhiqet nga një lider që Washingtoni nuk e konsideron partner të besueshëm, atëherë marrëdhëniet historike mes dy vendeve mund të hyjnë në krizën më të rëndë ndonjëherë.
Kurtit nuk i ka mbetur më shumë hapësirë për të manovruar.
Me një administratë amerikane që e sheh atë si një problem dhe me një emisarin më të fuqishëm të Trumpit që po e shpall haptas si të pabesueshëm, Kosova është në prag të një izolimi diplomatik të pashmangshëm.
Nëse Kurti nuk ndryshon kurs dhe nuk pranon të bashkëpunojë në linjë me politikën e re të SHBA-së, atëherë mund të vijë një presion i fortë diplomatik dhe ekonomik që mund ta rrëzojë qeverinë e tij më shpejt nga sa ai e mendon.
Nuk do të jetë hera e parë që SHBA përdor mekanizma të fortë për të larguar një lider që nuk i përshtatet interesave të saj.
Mesazhi i Grenellit është i qartë dhe i pakompromis: SHBA nuk do të pranojë më një qeveri të udhëhequr nga Kurti.
Kosova është përpara një momenti kritik: ose të zgjedhë rrugën e bashkëpunimit me aleatin më të madh, ose të përballet me izolimin dhe pasojat e një përplasjeje me administratën Trump.