Opinione / Editoriale

Fshatrat e Lezhës, si një fabul me zë


Ornela Çuçi

Fshatrat e Lezhës janë si një fabul me zë, një faqe e fshehur e Shqipërisë që duhet ta përjetosh me gjithë shpirtin, në heshtje dhe përulësi.

Përulësi që e ndjen në dashurinë me të cilën ata banore e trajtojnë tokën!

Kam përshkuar çdo shteg të këtij vendi, duke e lëvizur me këmbë, por asgjë nuk më ka përfshirë me aq butësi sa këto kodra të arta, që shtrihen me një elegancë të qetë drejt përjetësisë së detit.

Një udhëtim i fundit i shoqes sime të shtigjeve Alma Bazhdari Naraci, e cila mi përshkruajti kështu këto zona:

“Në shoqërinë e një francezi që po e çoja nga Shkodra tek Mrizi i Zanave, përmes rrugëve të Vau të Dejës, në një moment, duke vështruar dritën e pluhurit që dridhej mbi asfalt, ai më pyeti: “Ku jemi?” Buzëqesha me pyetjen e tij të habitur. “Në Shqipëri,” i thashë. Ai më shikoi i hutuar. “Nuk mund të jetë. Ku janë plehrat?” Ngrita sytë dhe vërtet, rrugët ishin të pastra, brigjet e lumit pa njollë. Asgjë nuk mund të tregonte për një botë të lodhur nga dora e njeriut. Ishte një Shqipëri tjetër, ajo që ndoshta kemi ëndërruar gjithmonë.”

Është e vërtetë. Nuk ka bashki më të pastër se Lezha në vendin tonë! Me përgjegjësi profesionale e them këtë! Por fshatrat kanë autenticitetin e tyre të trashëguar ndoshta gjithashtu.

Këto fshatra, të vendosur mbi kodra që duket sikur përqafojnë qiellin, shohin përballë perëndimin e diellit, si të ftuar në një shfaqje qiellore që ndryshon çdo mbrëmje. Flladet e detit i japin shpirt ngjyrave, ndërsa retë lozin me dritën si aktorë të një drame të përjetshme.

Dhe, ka një mikroklimë magjike këtu, që nuk e ndjen askund tjetër – ndoshta është ujëvarë e padukshme që zbret nga degët e Drinit, duke mbushur rrënjët e çdo bime, duke u dhuruar vreshtave esencën e verës më të mirë që mund të pijë njeriu.

Uji këtu ka një shije të rrallë, si të kishte thithur të gjitha misteret e malit dhe po i rrëfen, pikë pas pike. Çdo frymëmarrje në këto fshatra është një kthim në esencën e asaj që do të thotë të jesh i gjallë, i lidhur ngushtë me tokën, me erën, me ajrin e pastër, dhe me hijet e një kohe që duket se ka ndaluar për të ruajtur atë çfarë ka më të mirë. Në këtë parajsë të fshehur, çdo gjë përjetohet më thellë – nga bukuria e thjeshtë e rrugicave, tek qetësia që mbështjell gjithçka si një mantil i endur nga natyra vetë.

Këtu, në këtë cep të Shqipërisë që i ka shpëtuar kohës, njeriu e kupton që bukuria nuk është luks, por domosdoshmëri.

Lëreni rrugën kryesore se mbase ju lodh edhe me trafik. Vizitojeni këtë pjesë magjike të vendit, e postojeni pastërtinë. Ia vlen ta bëjmë shembull!


Lajmet kryesore