Isha i lumtur kur u nisa për në Londër, për të ndjekur Shqipërinë në Wembley. Emocioni ishte i natyrshëm, jo vetëm se po niste kualifikimi për botëror, jo vetëm sepse luanim ndaj një ekipi si Anglia, por edhe për faktin se Shqipëria tashmë është kthyer në një ekip që ngjall krenari dhe ndjekje masive.
Stadiumi ishte plot me shqiptarë nga çdo cep i Evropës. Një popull që e ndjek Kombëtaren kudo. Dhe kjo nuk është pak. Është kapital i çmuar që duhet respektuar me lojë, me karakter, me identitet.
Por ajo çfarë ndodhi në fushë ishte cinike. Jo për humbjen, se Anglia mund të mposhtë këdo me cilësinë e saj. Por problemi qëndron te mënyra e lojës. Problemi qëndron te frika që ishte instaluar si sistem loje.
Para ndeshjes me Andorrën, Shqipëria duhet të jetë më e përgatitur, jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht. Përballë do të jetë një ekip që në letër duket modest, por që në realitet përbëhet nga lojtarë të formuar në akademitë spanjolle. Lojtarë që edhe pse nuk kanë vend në kombëtaren e Spanjës, posedojnë teknikë, disiplinë dhe qasje moderne ndaj lojës. Ata janë më shumë se një Andorrë klasike. Janë një test për një Kombëtare që kërkon vazhdimësi, por që vjen e lënduar në besim dhe identitet.
Ndeshja e fundit ndaj Anglisë nuk ishte vetëm një humbje. Ishte dëshmia e një frike të ndërtuar, të ushqyer dhe të legjitimuar nga vetë drejtuesi i skuadrës , trajneri Sylvinho.
Shqipëria u paraqit me një filozofi të tërhequr, pa zemër, pa guxim për të luajtur futboll. Në vend të ndërtimit të një loje me dinjitet, pamë një menaxhim minimalist të dëmit, të diktuar nga ndjenja se përballë Anglisë, gjithçka është e humbur që në nisje. Ky është gabimi fatal i mentalitetit të një trajneri që duket sikur e sheh veten ende në fazë testimi, jo në ndërtim të një ekipi me vizion të qartë për të ardhmen.
Zgjedhjet ishin po aq dëshpëruese sa edhe loja: Asani, Ramadani, Bajrami janë lojtarë me kontribute në të kaluarën, por pa freskinë dhe ndikimin që kërkohet në këtë fazë. Ata janë të konsumuar në aspektin fizik dhe emocional. Dhe më keq akoma, janë kthyer në simbol të një skuadre që nuk rrezikon, por përpiqet të mos gabojë. Nuk mjaftojnë më shuplakat që bëjnë shqiponjën.
Sylvinho i është kapur fort të kaluarës, të kujtimeve të suksesshme të Evropianit. Por kjo është një tjetër kohë, një tjetër betejë. Na ishte njëherë Evropiani mund të thuhet, tani na duhet Botërori. Dhe rruga drejt Botërorit nuk përshkohet me kujtime, por me zgjedhje të guximshme dhe me besim te gjenerata e re.
Në fushë mungonin Kumbulla, Ismajli, Mitaj. Por kjo nuk e justifikon konceptin e frikës. Sepse frika nuk është vetëm mungesë lojtari, por thjeshtë dhe qartë është mungesë vizioni. Në vend që të shohim një Shqipëri që përshtatet dhe kërkon, pamë një skuadër që thjesht e pranon realitetin dhe mbyllet.
Aty ku pritej që në Angli, një trajner brazilian të sillte shpirt gare, kreativitet dhe ritëm, Sylvinho po instalon një futboll burokratik, të bazuar në kontroll kohe, jo në shije loje. Dhe ky është rreziku më i madh: Kur një ekip që humb, e bën jo për faktin se nuk ka cilësi, por se nuk ka leje nga trajneri të besojë.
Andorra mund të jetë një ndeshje për pikë, por në fakt është një sfidë për karakterin e Kombëtares. Nëse edhe aty shohim një Shqipëri të përmbajtur, pa guxim dhe të frikësuar, atëherë ky cikël e ka humbur jo rrugën, por qëllimin.
Sylvinho duhet të zgjedhë tani, ose të ndërtojë me guxim dhe të besojë te rinia, ose të largohet si një trajner që pati një moment suksesi, por që nuk mundi ta përkthejë atë në projekt. Shumë trajnerë janë të mirë, por rrugës janë topitur. Trajneri i sotëm i Anglisë e ka pasur këtë fat vetëm një vit më herët.
Kombëtarja e Shqipërisë nuk është më një skuadër që kërkon përkrahje me lutje. Ajo ka fituar respektin dhe besimin e një populli që udhëton, këndon dhe shpreson përtej rezultatit. Kërkon një lojë që përfaqëson karakterin tonë.
Por respekti nuk është përjetësisht i garantuar. Ai fitohet dhe ruhet me guxim, me ide, me ndryshim. Dhe nëse trajneri nuk është i gatshëm të shohë realitetin dhe të marrë vendime që kërkojnë kurajë, atëherë realiteti do ta largojë me heshtjen e publikut, me ftohtësinë e stadiumit dhe me një boshllëk që kujtimet nuk e mbushin më.
Sepse kujtimet, për sa të lavdishme qofshin, nuk janë kualifikim. Nuk mund të udhëtosh drejt një Botërori me valixhe të mbushura me nostalgji për dy golat e Asanit. Na duhet dritë e re, lojtarë me gjak të ngrohtë, me etje dhe pa frikë. Përndryshe, edhe kujtimet kthehen në barrë , dhe historia, nga krenari, kthehet në poshtërim.
Sylvinho u thirr për të udhëhequr, jo për të administruar frikën. Dhe Kombëtarja nuk është vend për llogari të kujdesshme, as për menaxhim kohe. Është fushë për ata që guxojnë. Dhe kush nuk ka guxim, kush nuk ka besim, kush nuk ka as shpirt loje e as ide të reja, nuk ka vend për të vazhduar në pankinë.
Kombëtarja nuk është vend për eksperimente pa fund. As për kujtesë. Është pasqyrë e një kombëtareje që po mësohet të kërkojë më shumë.