Fitorja juridike dhe humbja politike e Kryeministrit Rama

Standarti politik anti-korrupsion i qeverisë Rama sot është nën standartin politik anti-korrupsion që vendosi Ilir Meta dje me dorëheqjen nga posti i zv.kryeministrit, ndërkohë që akuzohej për korrupsion
Blendi Kajsiu
Loading Icons...
test12

Fitorja juridike dhe humbja politike e Kryeministrit Rama

Blendi Kajsiu
Loading Icons...

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta pezulluar pezullimin e zv.kryeministres Balluku dhe për ta kthyer atë në zyrë ndërsa çështja e saj shqyrtohet me themel, është një fitore juridike për kryeministrin Rama. Është një vendim që për momentin mbron kufinjtë e pushtetit ekzekutiv përballë ndërhyrjes së SPAK-ut.

Ama bëhet fjalë për një fitore juridike që ngrihet mbi gërrmadhat e një standarti themelor politik; tërheqja nga detyra e një zyrtari të lartë që përballet me akuza serioze për korrupsion nga ana e organeve të gjyqësorit.

Nihilizmi që e ka përfshirë prej kohësh skenën tonë publike na bën të harrojmë se nuk bëhet fjalë për një standart të ri. Mjafton të kujtojmë që ish zv.kryeministri Meta në vitin 2011 dha dorëheqjen nga poset e tij zyrtare pas shpërthimit të videoskandalit ku ai shfaqej në zyrën e Dritan Priftin me bllok në dorë.

Ndaj fitorja jurdike e Edi Ramës sot, që kthen në punë një zv.Kryeministre e cila përballet me akuza të rënda për korrupsion nga sistemi i drejtësisë, hedh në erë një standart të rëndësishëm anti-korrupsion që është zbatuar edhe nga politikanë që vetë Rama i ka cilësuar si simbol të korrupsionit.

Pra, standarti politik anti-korrupsion i qeverisë Rama sot është nën standartin politik anti-korrupsion që vendosi Ilir Meta dje me dorëheqjen nga posti i zv.kryeministrit, ndërkohë që akuzohej për korrupsion. Në këtë aspekt fitorja juridike e Ramës është një humbje e madhe politike për qeverisjen e tij që pretendon ta çojë Shqipërinë drejt standarteve anti-korrupsion evropiane.

Në këtë pikë mund të argumentohet se Meta dha dorëheqjen dje sepse kishte garanci që gjygjësori ynë i tredhur nuk do ta dënonte. Ndërkohë Balluku nuk e jep dorëheqjen sepse nuk e ka këtë garanci me SPAK-un.

Padyshim që diçka e tillë është e vërtetë. Ama kjo nuk ndryshon faktin që standarti politik anti-korrupsion i zv.kryeministrit Meta dje ishte më i lartë se standarti anti-korrupsion i zv.kryeministres Balluku dhe i kryeminstrit Rama sot, që insistojnë se ajo duhet të përballet me drejtësinë jo si depuetet, dhe aq më pak si qytetare e thjeshtë, por si zv.kryeministre.

Sqimëtarët e prezumimit të pafajësisë do më thonë që asnjë zyrtar nuk ka përse të dorëhiqet derisa gjykata të vërtetojë fajësinë e tyre. Në fakt ekziston një kor gjithnjë e më i zëshëm që denoncon “gjyqin populllor” që i bëhet zyrtarëve të lartë, të cilët sipas tyre po viktimizohen dhe kryqëzohen si Jezu Krishti në mediat tona të kapura nga histeria anti-qeveritare.

Është një argument i çuditëshëm që na fton të heshtim derisa të jepet vendimi përfundimtar i gjykatës. Ajo që denoncohet si “gjyq popullor” është në fakt gjykata e opinionit publik (apo the court of public opinion siç njihet në anglisht). Është një nga instituconet themelore të demokracisë moderne, ku opinioni publik jep gjykimin e tij pasi të gjitha palët kanë paraqitur versionin e tyre të ngjarjeve në media apo në hapësirën publike.

Në rastin e zv.kryeministres Balluku dhe të shumë zyratrëve të tjerë të lartë të qeverisë Rama ky gjykim është dhënë dhe mjaft qartë. Nga evidenca që është paraqitur në media, nga përgjigjimet që janë publikuar është mëse e qartë se tenederat, kontratat dhe koncesionet publike janë menaxhuar si biznes privat, në shkelje të të gjitha standarteve, procedurave apo të konkurrencës së nderëshme publike.

Ankesat që bëhen publikisht nga ana e avokatëve mediatikë të qeverisë se evidenca apo përgjimet janë vendosur jashtë kontekstit, apo janë rrjedhur në mënyrë ilegale nga prokuroria mund të jenë të vërteta. Ama ata e kanë të gjithë mundësinë ta ndriçojnë opinion pubik në lidhje me kontekstin dhe manipulimin e provave që ata pretendojnë.

Asgjë e tillë nuk është shfaqur në mediat tona. Asnjë kontekst që mund të na shpjegojë se përse zonja zv.kryeministre, dhe jo komisioni përkatës, ka përcaktuar se kush fiton tenderat, kush duhet të paraqitet dhe kush jo në tenderat e shtetit. Dhe kjo nuk ka ndodhur sepse mediat tona janë anti-qeveritare, por sepse argumente të tilla duket se nuk ekzistojnë.

Ndaj avokatët publik të qeverisë pasi e kanë humbur betejën e opinionit publik denoncojnë gjykimin e këtij të fundit si “gjyq popullor”, në vend që të na shpjegojnës se përse, apo se si, është manipular apo nxjerrë jashtë kontekstit ajo që kemi parë nga përgjimet e bëra publike në media, të cilat tregojnë qartë se zv.kryeministrja tenderat i ka dhënë me gisht dhe jo me ligji dhe për interesin publik.

Të kuptohemi, gjyqi i opnionit publik mund të manipulohet dhe të deformohet sidmos kur kombinohen interesat shtetërore dhe private kundër një zyrtari publik. Ky ishte fillimisht rasti i ish drejtorit të RTSH-së Thoma Gëllçi paraburgimi i të cilit nga SPAK u deklarua i paligjëshëm nga ana e Gjykatës Evropiane të të Drejatve të Njeriut.

Edhe pse i dënuar nga SPAK për një akuzë tejet të dyshimtë siç është “shpërdorimi detyrës”, mund të thuhet me plot gojë se sot Thoma Gëllçi e ka fituar betejen për pafajësi në gjykatën e opinionit publik. Dhe bëhet fjalë për një zyrtar publik jo të niveleve më të larta, të braktisur nga qeveria dhe shteti, në luftë me interesa të mediave private që nuk e honepsin dot suksesin e RTSH-së.

Është një shembull që na ndihmon të kptojmë se gjyqi i opinionit publik dhe gjyqi juridik janë dy procese krejt të ndryshme. Gjyqi i opnionit publik nuk përcakton as nivelin, as llojin e përgjegjësisë dhe aq më pak nivelin e dënimit që duhet të vuajë një zyrtar publik. Për këtë janë organet e specializauara të drejtësisë.

Ama opnioni publik mund të gjykojë dhe konkludojë nëse një rast konkret mban apo jo era korrupsion bazuar mbi faktet e bëra publike në media. Aq më tepër kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë që kanë të gjithë mbështetjen e qeverisë dhe hapësirën mediatike për tu mbrojtur.

Në rastin e Gëllçit, për shembull, kushdo që e ka ndjekur atë me kujdes në media mund të konkludojë se aty nuk vjen aspak era korrupsion, por era zell i tepëruar ndëshkimi nga SPAK kombinuar me interesa të ngushta private që duan shkatërrimin e televizionit publik.

Në rastin e Ballukut, nga ana tjetër, nga ajo që është debatuar, zbuluar dhe diskutuar në media është vështirë të konkludosh se zv.kryeministrja është viktimë e një zelli anti-qeveri nga ana e SPAK-ut apo e ndonjë histerie mediatike dhe publike. Ndaj për shumicën e opinionit publik faktet që janë zbardhur në media janë shembuj të qartë të një qeverisje të korruptuar që bëhet në shkelje të ligjit, në funksion të interesave private dhe jo atyre publike.

Pikërisht për këtë arësye fitorja e fundit e kryeminstrit Rama në Gjykatën Kushtetuese është një humbje e madhe politike. Është një vendim që konfirmon jo thjesht kufinjtë e pushteteve por realitetin e rëndë politik se kryeministri Rama nuk mund të qeverisë dhe të japë tendera pa zv.kryeministren Balluku, pavarësisht akuzave të rënda me të cilat ajo përballet.

Është një betejë jurdike që na vërteton personalizimin e skajëshëm të pushtetit. Kryeministri Rama nuk po lufton për ruajtjen e postit të zv.kryeministrit, por për një zyrtare specifike që është e pazëvendësueshme në dhënien e tenderave, edhe pse tashmë duhet ta ndajë kohën e saj mes tyre dhe mbrojtjes së saj juridike.

E thënë ndryshe, fitorja jurdike e Kryeministrit Rama më shumë se ndarjen e kufinjve të pushteteve ka qartësuar se qeverisja e tij bazohet tek personat më shumë sesa tek procedurat, institucionet dhe ligjet.

Ky është në fakt konfirmimi më i qartë i korruptimit të saj. Është një qeveri ku mesa duket tenderat mund ti japë vetëm dikush me profilin politik të Ballukut.