Emri që u bë zë për Kosovën – kujtimet e mia për Janusz Bugajski

Kur kolumnat e tij “nga kryeqyteti i botës” nxitnin një lexues që kërkonte më shumë se lajme. Ai ishte i madh nga një zyrë kutizë
Baton Haxhiu
Loading Icons...
test12

Emri që u bë zë për Kosovën – kujtimet e mia për Janusz Bugajski

Baton Haxhiu
Loading Icons...

E takova për herë të parë në fund të viteve ’97 dhe ‘98 në një zyrë modeste në Uashington. Në të vërtetë, për dikë që kishte një zë kaq të rëndësishëm në çështjet e Evropës Juglindore, prania e tij nuk kishte asgjë madhështore. Një zyrë e qetë, disa libra në rafte, dhe një tryezë pune që dukej se nuk pushonte asnjëherë. Ishte koha kur unë ndodhesha në ShBA si pjesë e një programi për të rinjtë organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Takimi me të ndodhi natyrshëm, si me dikë që të kishte njohur prej kohësh.

Quhej Janusz Bugajski. Por për mua, shumë shpejt, u bë thjesht Janusz, një mik që nuk kishte asnjë nevojë të fliste me ton akademik për të treguar sa shumë dinte për Ballkanin, Kosovën, Shqipërinë. Ai nuk kishte as qëllim të bëhej i dukshëm në Uashington, megjithëse ndoshta e meritonte më shumë se shumë të tjerë. Por kishte një prani të vazhdueshme dhe të qartë. Ishte aty për të folur me zë të fortë, dhe ndryshe kur të tjerët hezitonin.

Më vonë, rastisa ta dëgjoja sërish në një kurs për gazetari në Universitetin e Stanfordit, ku ai ligjëronte dhe une isha aty së bashku me të dashurën e tij të atëhershme, më pas bashkëshorten. Fliste për Ballkanin pa ndonjë përpjekje për ta zbukuruar apo dramatizuar. Ishte i prerë, i qartë dhe i vërtetë. Aty u lidhëm më shumë. E ndjeva që kishim një kod të përbashkë sepse Ballkanin e donim të qartë, të lirë, dhe të sinqertë.

Kolumna e tij “Nga kryeqyteti i botës”, që ai e nisi në ato vite, nuk ishte vetëm një përpjekje për të informuar shqiptarët. Ishte një akt politik, një ndërhyrje publike në një kohë kur fati i Kosovës shkruhej çdo ditë në tavolinat ndërkombëtare. Përmes atij shkrimi të përjavshëm, ai dërgonte në Prishtinë dhe Tiranë jo vetëm lajme nga Uashingtoni, por paralajmërime, analiza, sinjale që shpesh ishin më të drejtpërdrejta se vetë qëndrimet zyrtare amerikane.

Në ato kolumna, Janusz nuk e shihte Kosovën si një histori anësore të politikës ndërkombëtare. Ai e paraqiste si një çështje të drejtësisë, të përgjegjësisë dhe të parimeve që nuk mund të lëkundeshin për shkak të interesave të ditës. Ai ishte një nga të paktët që e tha troç se, nëse bota nuk vepron në Kosovë, atëherë bota do të mbetet një spektatore e një tragjedie që po ndodhte para syve të saj.

Ky zë nuk u shua me çlirimin e Kosovës. Përkundrazi, ai vazhdoi të shkruante edhe më me ngulm. E shihte Kosovën jo vetëm si një projekt të përfunduar ushtarakisht, por si një sfidë që kishte filluar politikisht. Për të, rreziku nuk vinte vetëm nga e kaluara, por edhe nga e ardhmja. Sidomos nga mbetjet e nacionalizmit, nga mungesa e konsolidimit institucional, nga ndikimet e huaja që gjithnjë përpiqeshin të mbillnin dyshim dhe ndarje.

Ai besonte se rajoni kishte vetëm dy rrugë: përfshirja e plotë në projektin evropian, ose rënia në margjinat e historisë. Dhe këtë nuk e thoshte për t’i bërë qejfin dikujt në Bruksel. E thoshte sepse e njihte mirë Ballkanin dhe e kuptonte se në mungesë të një orientimi të qartë, çdo gjë mund të kthehej në përsëritje të së shkuarës.

Janusz ishte më shumë se analist. Ai ishte një mbështetës i paepur i asaj që ne në Kosovë e quanim drejtësi historike. Ishte zë që nuk e humbi as në vitet kur fokusi ndërkombëtar ndaj Kosovës u zbeh. Ai qëndroi aty, duke shkruar, duke folur, duke ndikuar.

Në sytë e mi, ishte një nga ata njerëz që kishin zgjedhur anën e duhur jo për shkak të përfitimit, por për shkak të bindjes. Kishte zgjedhur të ishte me Kosovën sepse e besonte, jo sepse ishte e lehtë. Dhe ndoshta për këtë arsye, zëri i tij nuk është zë i zakonshëm në kujtesën tonë, por ishte dhe mbeti zë që mobilizonte lexues rreth tij, që të vinte në mendje edhe kur nuk ishte i pranishëm.

Sot, kur ai nuk është më, ndjej nevojën jo për të bërë homazhe, por për të kujtuar thelbin e asaj që ai përfaqësonte. Një mik i mirë. Një mbështetës i sinqertë. Një analist që nuk e kishte për zanat të bëjë politikë, por që politika kishte nevojë për të. Një zë që vinte nga qendra e botës, por që i fliste një rajoni që shpesh ndjehej në periferi.

E ruaj me kujdes kujtimin e atij takimi të parë në një zyrë të vogël. Dhe gjithmonë do të kujtoj se nga aty, ai shkroi fjalët që na ndihmuan të mos e ndjejmë veten të vetëm në botë. Ai ishte i madh nga një zyrë e vogël.( Sa kam bërë mirë që asnjëherë skam folur në publik se ai ka shkruar kolumnen nga një kutizë dhomë që quhej institut gjeopolitik).

Kosova kishte shumë zëra brenda saj. Por pati disa që e mbështetën nga jashtë, pa bujë, me dinjitet, me përkushtim. Janusz ishte ndër ta.