

E lexova me vonesë letrën e përbashkët të Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç në Frankfurter Allgemeine Zeitung dhe ndoshta kjo distancë kohore më lejoi ta shoh më ftohtë se çfarë po tentohet realisht të ndërtohet përmes saj. Në pamje të parë ajo duket si një apel racional për Evropën, mirëpo në thelb është një përpjekje për të rikthyer në skenë idenë se stabiliteti i Ballkanit kalon përmes dy kryeqyteteve dhe përmes dy liderëve që e kanë parë veten si boshti i rajonit.
Në fakt, problemi nuk është përmbajtja e mesazhit, sepse çdo thirrje për integrim evropian është legjitime, mirëpo forma e tij krijon një hierarki të heshtur. Sepse kur dy shtete i drejtohen Bashkimit Evropian si zë i rajonit, ndërkohë që katër të tjerat mungojnë, atëherë mesazhi nuk është horizontal por vertikal. Ndërsa Ballkani është tepër i ndjeshëm ndaj vertikalitetit politik, sidomos kur Serbia dhe Shqipëria paraqiten si dy shtyllat e vetme të racionalitetit rajonal.
Këtu hyn edhe hija e Ballkanit të Hapur. Sepse ajo nismë, e mbështetur fuqishëm nga Angela Merkel në fazën e saj fillestare si një formë pragmatike bashkëpunimi rajonal, u paraqit si motor integrimi ekonomik, ndërkohë që në realitet u perceptua si klub i dy liderëve me një satelit periferik. Ndërsa u fol për lëvizje të lirë, për treg të përbashkët dhe për heqje barrierash, megjithatë mungesa e konsensusit të plotë rajonal e bëri projektin të duket më shumë si arkitekturë politike e Ramës dhe Vučić sesa si platformë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Për më tepër, Ballkani i Hapur dështoi jo sepse ideja e bashkëpunimit ishte e gabuar, por sepse nuk pati besim të ndërsjellë dhe nuk pati barazi simbolike. Sepse Kosova nuk mund ta shihte veten të barabartë në një tryezë ku Serbia nuk e njeh shtetësinë e saj, ndërsa Bosnja kishte frikë nga çdo mekanizëm që mund të forconte ndikimin serb në rajon. Ndërkohë që projekti u prezantua si ekonomik, ai mbeti thellësisht politik.
Në këtë sfond, letra e sotme duket si një tentativë për të ringjallur frymën e atij boshti, mirëpo në një kohë tjetër dhe para një Evrope tjetër. Sepse Merkel e mbështeti idenë në një moment kur stabiliteti ishte prioriteti absolut i Berlinit, ndërsa sot Gjermania e drejtuar nga Friedrich Merz është më skeptike ndaj iniciativave që krijojnë arkitektura paralele me procesin formal të zgjerimit të BE. Ndërsa Merkel operonte me logjikën e menaxhimit të krizave dhe me pragmatizëm të ftohtë, Merz operon me rezerva më të theksuara ndaj çdo formule që mund të interpretohet si zëvendësim i integrimit evropian me struktura alternative rajonale.
Madje, në këtë kontekst, më kujtohet një episod që flet më shumë për psikologjinë e pushtetit sesa për diplomacinë. Pas largimit nga detyra, Merkel i kishte thënë Ramës se muajin e parë e shijoi pushimin sepse ishte e lodhur, muajin e dytë filloi të merrej me gjithçka bënin të tjerët dhe t’i kritikonte, ndërsa më pas e kuptoi se kishte hyrë në depresion dhe vendosi të izolohej në male për tre muaj duke ecur çdo ditë nën hijen e tyre për të ridimensionuar veten karshi botës. Vetëm madhështia e maleve, i kishte thënë, e bëri të kuptonte se tashmë ishte thjesht një qenie njerëzore që duhej të jetonte një jetë normale.
Ky rrëfim është më shumë se anekdotë. Sepse pushteti krijon iluzionin e përmasës historike, ndërsa largimi nga pushteti e rikthen njeriun në përmasën reale. Ndërsa liderët e Ballkanit shpesh e projektojnë veten si arkitektë të rajonit, historia ka treguar se asnjë arkitekturë nuk qëndron nëse nuk është e përbashkët dhe e barabartë.
Prandaj letra në FAZ mund të jetë një përpjekje për të rikujtuar Evropës se dy liderë janë gati të flasin në emër të rajonit, mirëpo Evropa e sotme duket më pak e prirur të delegojë përfaqësim informal dhe më shumë e interesuar për mekanizma institucionalë gjithëpërfshirës. Ndërsa Ballkani i Hapur u rrëzua nga mungesa e besimit, çdo përpjekje e re që ngjan me të do të përballet me të njëjtin dyshim.
Megjithatë, në thelb të kësaj lëvizjeje qëndron një bindje e heshtur e Ramës dhe Vučić se stabiliteti i rajonit nuk prodhohet nga gjashtë shtete të barabarta, por nga dy kombe që për nga madhësia demografike dhe pesha historike e përbëjnë boshtin e tij. Sepse në logjikën e tyre vertikalja ka më shumë fuqi se horizontalja, ndërsa dy kombet më të mëdha kanë të drejtë të artikulojnë fatin e përbashkët. Rama në mënyrën e vet duket se nënkupton se shqiptarët dhe serbët janë dy shtyllat pa të cilat nuk ka arkitekturë sigurie në Ballkan, prandaj edhe thirrja e përbashkët nuk është aksidentale, por konceptuale.
Mirëpo ky vizion përplaset me një zhgënjim tjetër që nuk thuhet hapur. Shqipëria dhe rajoni kanë vite që presin integrimin evropian, ndërkohë që kushtet shtohen dhe horizonti largohet. Ndërsa Moldavia dhe Ukraina marrin status e ritëm të përshpejtuar në emër të gjeopolitikës, Ballkani sheh se standardi nuk është vetëm teknik por edhe strategjik, ashtu siç ndodhi dikur me Rumaninë dhe Bullgarinë kur vendimi ishte politik para se të ishte procedural. Kështu krijohet ndjenja se Evropa lëviz kur e kërkon historia e saj e madhe, por heziton kur bëhet fjalë për periferi që nuk prodhojnë urgjencë gjeopolitike.
Prandaj fundi i kësaj historie mbetet i hapur. Sepse nëse dy liderë besojnë se vertikalja e dy kombeve është garanci stabiliteti, ndërsa Evropa vazhdon të ndryshojë kriteret sipas krizave të veta, atëherë rajoni rrezikon të mbetet mes ambicies për t’u dukur i madh dhe frustrimit për t’u trajtuar si i vogël. Dhe pikërisht në këtë hendek mes vetëperceptimit si bosht stabiliteti dhe realitetit të një dere që hapet me vonesë, fshihet tensioni i vërtetë i Ballkanit sot.
Sepse në fund, stabiliteti i rajonit nuk mund të ndërtohet mbi perceptimin se dy shtete janë më të mëdha se të tjerat, por mbi bindjen se të gjashtat janë të barabarta. Ndërsa çdo projekt që niset si bashkëpunim dhe përfundon si përfaqësim i pabarabartë, herët a vonë do të përballet me kufirin që vetë historia e Ballkanit e ka vendosur prej kohësh.