Durrësi, një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në Shqipëri, po përballet me një krizë të re mjedisore që ka ngritur shqetësime të mëdha për shëndetin publik dhe integritetin e mjedisit. Së fundmi, pranë vijës bregdetare të qytetit janë kthyer mbetje të rrezikshme që kanë rritur alarmet për mungesën e kontrollit dhe dështimin e institucioneve për të menaxhuar mbetjet në vend.
Një analizë e detajuar e problemit nxjerr në pah një sërë dështimesh institucionale që po mundësojnë një krizë të tillë. Krizë e cila reflektohet në mungesën e plotë të transparencës nga qeveria për këtë çështje.
Dështimi i subjekteve për raportimin e saktë të mbetjeve
Legjislacioni mjedisor për menaxhimin e mbetjeve në vend është pothuajse perfekt, por subjektet publike dhe private në vend nuk po raportojnë sasinë e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, sikurse kërkohet nga vendimet e Këshillit të Ministrave. Sipas Vendimit Nr. 229, datë 23.04.2014, subjektet janë të detyruara të deklarojnë sasinë e mbetjeve jo të rrezikshme, ndërsa për mbetjet e rrezikshme kërkohet një dokument i veçantë sipas Vendimit Nr. 371, datë 11.06.2014. Këto kërkesa, të cilat janë në thelb për një menaxhim të përgjegjshëm të mbetjeve, shpesh anashkalohen nga subjektet, duke krijuar një boshllëk në kontrollin institucional.
Ministria përgjegjëse për mjedisin
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM), përpara se të lëshojë një autorizim për importin e mbetjeve, shpesh nuk ka të dhëna të sakta për sasinë reale që eksportohet drejt Shqipërisë. Këto sasira shpesh raportohen me pasaktësi, duke ngritur dyshime mbi origjinën e vërtetë të mbetjeve dhe duke e bërë të paqartë nëse ato përputhen me kërkesat dhe standardet e vendit. Ky mungesë kontrolli dhe transparence krijon rreziqe serioze për menaxhimin e sigurt të mbetjeve dhe rrit shqetësimet për ndikimin e tyre mjedisor dhe shëndetësor në komunitetet lokale. Transparencën me sa duket ministria e ruan vetëm për prezantimet zyrtare.
Dështimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për inspektime dhe kontroll
Në raportimet e fundit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) rezulton se nuk ka kryer vlerësime të rregullta të statusit mjedisor në tokë, ujë dhe ajër, duke mos përmbushur përgjegjësitë kryesore të saj. Gjithashtu, inspektimet dhe monitorimet mbi subjektet private dhe publike janë të rralla, ndërkohë që lejet mjedisore dhe licencat mbeten të pa monitoruara. Pa një program të bazuar në risk dhe pa inspektime të rregullta, AKM nuk arrin të garantojë një menaxhim të duhur të mbetjeve.
Pikat kyçe për t’u zbardhur: Sa kompani janë licencuar për mbetje të tilla?
Një nga çështjet më të rëndësishme për t’u zbardhur është numri i kompanive që kanë marrë leje të posaçme nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM) për administrimin e këtyre mbetjeve të rrezikshme. Sa kompani janë të licencuara për mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme? A ka të dhëna të sakta për sasinë e mbetjeve që ata prodhojnë dhe kualifikimin e tyre sipas kodeve të caktuara? Mosraportimi nga ana e kompanive për sasinë e mbetjeve që ata prodhojnë dhe administrojnë ngre pyetje të forta nëse këto mbetje janë në të vërtetë të krijuara në vend apo kanë ardhur nga jashtë.
Agjensia Kombëtare e Ekonomisë të Mbetjeve Krijuar me VKM 132 të Marsit të 2024, PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË EKONOMISË SË MBETJEVE, kjo agjensi me rreth 40 punonjës, duket se ka zgjedhur një strategji krejt inovative për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme në Portin e Durrësit: injorimin e plotë. Në një qetësi të admirueshme, pavarësisht alarmeve për rreziqe mjedisore dhe shëndetësore, as një deklaratë nuk është dhënë, duke i lënë qytetarët të hamendësojnë vetë për sigurinë e tyre. Ndoshta Agjencia ka vendosur se mbetjet e rrezikshme do të vetë-menaxhohen apo do të zhduken magjikisht – një shpresë që, për fat të keq, ka pak të ngjarë të funksionojë në realitet.
Kujdesi i munguar: Një rrezik në rritje për qytetarët
Mungesa e të dhënave të sakta për sasinë e mbetjeve dhe përllogaritjet e gjenerimit të tyre krijon një situatë të rrezikshme për publikun. Paniku ka filluar të rritet mes qytetarëve, të cilët janë të shqetësuar për ndikimin që këto mbetje toksike mund të kenë mbi shëndetin dhe mjedisin. Nga ana tjetër, opozita duket se nuk ka reaguar me forcën e duhur për të shtyrë institucionet që të marrin masa për të parandaluar ndonjë katastrofë të mundshme.
Rasti i Durrësit dhe mësimet nga bota
Krahasuar me vendet e tjera, rasti i Durrësit tregon një dështim institucional dhe mjedisor, i cili është përjetuar dhe në shumë vende të tjera. Për shembull, Italia dhe Spanja, që kanë përjetuar incidente të ngjashme në të kaluarën, kanë forcuar ndjeshëm ligjet dhe sistemet e kontrollit për menaxhimin e mbetjeve toksike. Italia, pas skandalit të mbetjeve toksike në rajonin e Kampanias, miratoi një ligj që kërkonte mbikëqyrjen e çdo lëvizjeje të mbetjeve, për të siguruar që ato të mos përfundonin në tregun e zi ose të shkaktonin ndotje të mëtejshme.
Edhe vende të tjera si Suedia dhe Gjermania kanë investuar në teknologji të avancuar për të identifikuar dhe monitoruar saktësisht mbetjet toksike. Këto vende kanë zbatuar sisteme të integruara që monitorojnë mbetjet në çdo fazë, nga krijimi deri në asgjësim, për të shmangur çdo kërcënim ndaj shëndetit publik dhe mjedisit.
Çfarë duhet të ndodhë më tej?
Institucionet shqiptare duhet të ndjekin shembullin e vendeve që kanë krijuar sisteme të forta kontrolli për mbetjet toksike. Ndërhyrjet ligjore dhe rregullative janë të domosdoshme për të garantuar që mbetjet të mos shndërrohen në një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe integritetin e mjedisit në vend. Nëse këto subjekte nuk mbahen përgjegjëse dhe nëse kontrolli mjedisor vazhdon të jetë i dobët, Durrësi dhe pjesë të tjera të vendit mund të përballen me një krizë mjedisore të përmasave të paparashikuara.
Në fund, është e rëndësishme të ngremë ndërgjegjësimin publik dhe të forcojmë presionin ndaj institucioneve për veprime konkrete. Shqipëria nuk mund të lejojë që bregdeti dhe tokat e saj të shndërrohen në depo të paligjshme mbetjesh të rrezikshme. Qoftë kjo edhe 1 km larg portit.