

Le ta nisim nga e vetmja gjë që sot dihet me siguri!
Në dosjen e ngritur nga prokurori nuk ka para që kanë kaluar dorë më dorë. Nuk ka korrupsion. Nuk ka asnjë provë të përfitimit personal. Ka vetëm një tejkalim procedure. Pra, pyetja nuk është juridike.
Pyetja është konceptuale. A është e barabartë çdo procedurë? A mund të trajtohet një tender strategjik si tender rrethrrotullimi? A mund të gjykohet një vendim gjeopolitik me matjen e çmimit për metër?
Nëse prokurori nuk ka bërë këtë dallim, atëherë ai nuk ka gabuar vetëm në interpretim. Ai ka gabuar në të kuptuar. Dhe kur një prokuror nuk kupton kontekstin, atëherë ai nuk po gjykon shtetin, por po e rrezikon atë.
Era e akuzës filloi jo në sallën e gjykatës, por në rrugë. Një këshilltare u ndaluar papritur, me një vrazhdësi që nuk shpjegohet me procedurë. Ishte mënyra se si Byroja e Hetimit i dha vetes pushtetin e spektaklit, sikur e vërteta gjendet në befasi dhe jo në provë. Gjithmonë kur një institucion shtetëror kërkon të tregojë forcë përmes gjestit, e kupton se brenda tij ka më shumë politikë se sa drejtësi.
Ka një skenë tjetër që duhet kujtuar, se pa të nuk kuptohet asgjë. Ajo e mëngjesit pas tërmetit. Banorë të zhveshur nga shtëpia, fëmijë nën çadër, një plagë që nuk kishte fjalë. Në atë çast, Erdogan dha urdhër që të ndërtohet një spital dhe dy lagje të reja në Shqipëri. Dhe ato u ndërtuan. Mijëra njerëz morën shtëpi. Në atë moment, një kompani turke nuk ishte më thjesht kompani. Ajo u bë pjesë e një marrëdhënieje strategjike që nuk matet me çmim për metër betoni, por me marrëdhënie shtetërore, besim gjeopolitik dhe një kujtim të dhimbjes së përbashkët. Kjo është një gjuhë që e kupton vetëm ai që ka parë shtetin nga brenda dhe botën nga lart.
Por këto dy skena nuk përmenden në dosje. Dosja flet për procedura, për barazinë e pjesëmarrësve, për një tender që ka pasur favorizim. Dhe është e qartë se mund të ketë pasur të tilla. Por drejtësia nuk është vetëm leximi i shkronjave. Drejtësia është edhe interpretim i kontekstit, është nuhatje e rrethanës, është kuptim i natyrës së vendimmarrjes politike kur fati i një vendi matet jo me burokraci por me partnerë strategjikë.
Prokurori ka pasur kohë të dalë përpara. Ka pasur hapësirë të jetë në kontakt me partinë fituese të zgjedhjeve për t’i thënë se cilët ministra nuk duhej të ishin më pjesë e qeverisë. Nuk e bëri. Akuzën e shpalli vetëm disa ditë para se çështja të parashkruhej. Dhe në një kohë kur ai vetë ndodhet në garë për postin e Kryeprokurorit. Një goditje ndaj një zëvendëskryeministreje, në një vend ku simbolika vlen më shumë se prova, rrit peshën e tij në tryezat ku flitet për emra dhe jo për dosje.
Ka edhe diçka tjetër që nuk përmendet, por dihet. Prokurori dhe Belinda Balluku kanë një armiqësi të njohur përmes rrjeteve miqësore dhe politike që qarkullojnë midis institucioneve. Dhe shtytja e një çështjeje të tillë merr gjithmonë pak shije personale, edhe kur dosja është e vërtetë. Sidomos kur në sfond qëndron edhe një tjetër eksponent i Partisë Socialiste, sot në ekzil politik, që ka ndihmuar në ndërtimin e rrëfimit që ta arrijmë deri këtu.
Janë tre fronte që kërkojnë rrëzimin e Belinda Ballukut.
Biznesmenë që humbën qasjen në një ministër të fortë.
Socialistë që duan që fatin e Veliajt ta ndajë dikush tjetër.
Opozita dhe një pjesë e medias që mendojnë se rrëzimi i “mbretëreshës” është hapi i fundit drejt rrëzimit të “mbretit”.
Në këtë rrethim, SPAK lëvizi me lehtësi. Sepse Belinda Balluku është nga të rrallat figura të pushtetit që ka shumë armiq dhe shumë pak që dalin publikisht ta mbrojnë. Në politikë nuk është e rëndësishme kush je, por kush flet për ty ditën kur goditesh.
Dhe këtu vjen pika e vështirë për t’u thënë troç: Një vendim gjeopolitik nuk mund të gjykohet si tender i ujësjellësit.
Tuneli i Llogarasë është bërë pjesë e një ekuilibri të marrëdhënies me Turqinë. Edi Rama ka qenë i qartë në një gjë: gjeopolitika është kompetencë e tij, jo e ministrit. Ka raste në histori ku vendimet ekonomike janë marrë për shkak të aleancave. Bechtel Enka nuk ka ardhur vetëm për rrugë, por për shkak të Amerikës. Investimet energjetike nuk janë bërë vetëm me kalkulim financiar, por për të mbajtur të hapur një korridor të sigurisë. Largimi i kinezëve nga aeroporti është bërë me presion strategjik. Këto nuk janë as lajme, as thashetheme. Janë logjika të shtetit modern.
Belinda Balluku ka qenë aktore e një vendimi që nuk është marrë në zyrën e saj. Ai vendim është marrë në Këshillin e Sigurisë. Në telefonata ndërkombëtare. Në marrëdhënien e një shteti të vogël me një fuqi rajonale. Mund të jetë vendim i gabuar. Mund të jetë moralisht i diskutueshëm. Por nuk është vendim i një ministri për një tender. Dhe këtu prokurori ose duhet të akuzojë Kryeministrin, ose të lexojë kontekstin. Të dyja bashkë nuk shkojnë.
Edi Rama ndodhet përballë një prove morale dhe politike. Deri sot ai ka larguar nga detyra ata që janë nën hetim. Por ky rast nuk është i njëjtë. Sepse ky rast nuk është thjesht një çështje procedure, por një çështje shteti. Nëse ai zgjedh të mbrojë Belinda Ballukun, nuk mbron një person, por një parim, sepse gjeopolitika është kompetencë e Kryeministrit dhe nuk mund të gjykohet me rregulloren e prokurimit publik. Nëse ai zgjedh ta largojë, nuk mbron drejtësinë, por pajtohet me një drejtësi që nuk njeh kontekst.
Në këtë moment, të gjithë presin vendimin. Dhe heshtja është bërë pjesë e skenarit. Por drejtësia e vërtetë pyet gjithmonë këtë. Çfarë kemi të bëjmë këtu? Një shkelje të procedurës, apo një shpërfillje të gjeopolitikës si gjuhë e shtetit
Nëse është e para, le të flasim për faj.
Nëse është e dyta, atëherë po gjykojmë jo Belindën, por mënyrën se si shteti shqiptar i ka mbijetuar botës.
Dhe pikërisht këtu qëndron mungesa e madhe e prokurorit. Ai ka lexuar shkronjën, por jo skenën. Ka parë tenderin, por jo shtetin. Ka gjykuar firmën, por jo marrëdhënien ndërkombëtare. Ai ka menduar se drejtësia është tabelë llogarie, ndërkohë që drejtësia është pasojë. Sepse kur një vend i vogël vendos të mos prishë marrëdhënien me një fuqi rajonale në moment të brishtë, ai nuk po shkel ligjin, ai po përpiqet të mbijetojë.
Kjo nuk është një çështje morali personal. Është çështje konteksti shtetëror.
Në Francë, ta zëmë kontratat ushtarake jepen pa tender, në emër të sovranitetit strategjik.
Në SHBA, kompanitë e luftës marrin fonde pa konkurencë në emër të sigurisë kombëtare.
Në Gjermani, projektet energjetike bëhen duke anashkaluar procedura, në emër të stabilitetit ekonomik.
Atje nuk e quan askush “favor”.
E quajnë interes shtetëror. Shqipëria ka kaq mundësi. Të largoi kinezët nga aeroporti apo ta nderoi sulltanin për ndihmën e dhënë në një situatë kur të gjithë ikin të ndihmojnë.
Vetëm këtu, kur një ministri përdor të njëjtën gjuhë, prokurori ngre akuza sepse mendon se drejtësia është një aparat pa mendje.
Por drejtësia pa kontekst nuk është drejtësi. Është veprim automatik.
Është aritmetikë. Është dënim, por jo kuptim.
Dhe një drejtësi që nuk kupton kontekstin, nuk gjykon shtetin, por e dëmton rëndë atë.
Sepse në politikën e jashtme nuk ka tenderë.
Ka ekuilibra.
Dhe ai që sheh vetëm procedurën, nuk po mbron ligjin, por po sakrifikon shtetin.
Në politikën e jashtme nuk ka tenderë, ka ekuilibra. Dhe ekuilibrat nuk auditohet me çmim për metër.