Ndjehem thellësisht e nderuar që jam mes jush sonte dhe, sinqerisht, jo plotësisht e bindur se e meritoj një hapësirë kaq të veçantë në një mbledhje kaq të veçantë.
Faleminderit, Fiona. Do të thotë shumë për mua që ti, një mendje e ndritur që e kam ndjekur me shumë respekt prej kohësh, më ke besuar një detyrë të tillë.
Dhe nuk mund të rezistoj pa përmendur këtu edhe një person tjetër shumë të dashur për mua, një grua që e vlerësoj jo vetëm për gjykimin e saj të thellë, por mbi të gjitha për forcën e saj të karakterit.
Ajo është Cherie Blair, dhe kurrë s’do të jem në gjendje ta falënderoj sa duhet që, si një mike e vërtetë, më ndihmoi të kapërcej një paragjykim të rrezikshëm, idenë se puna ime profesionale nuk mund të vazhdonte normalisht pasi im shoq u bë Kryeministër.
Të dashur miq,
Në një mbledhje me kaq shumë kuptim sa kjo, do të kishte pak kuptim t’i mbaja një ligjëratë kujtdo këtu për globalizimin, për atë që funksionon dhe atë që jo.
Por ndoshta ka kuptim të ndaj me ju disa mendime që pyetja “A jetojmë ende në epokën e globalizimit?” ngjall në dikë si unë, që ka kaluar nëpër tunelin e komunizmit.
Isha 28 vjeç kur kapërceva kufirin dhe u largova për herë të parë nga vendi im i vogël. Në atë moshë përdora për herë të parë librin ‘Essential English’ për të folur me një të huaj, mbajta në dorë për herë të parë një kartëmonedhë dollari amerikan dhe bëra shkëmbimin e parë valutor, hyra për herë të parë në një bibliotekë të mbushur plot me libra në gjuhë të huaj.
Ishte viti 1992. Sapo kisha parë dritën në fund të një tuneli shumë të gjatë. Ëndrra jonë më e madhe ishte liria. Liria për të lëvizur, për të votuar, për të folur, për të besuar apo për të mos besuar në Zot, për të punuar. Ëndrra e lirisë na kishte përpirë tërësisht, edhe pse ende nuk dinim ç’të bënim me të, apo çfarë do të sillte ajo në jetët tona.
Në atë çast, bota e zhvilluar dhe e lirë po ndiqte ëndrrën e vet të madhe, globalizimin. Një botë përtej fundit të historisë: pa ideologji, pa mure, pa kufij, me më shumë liri dhe jetë më të mirë. Kujtimet e luftës dhe plagët e ndarjeve të thella e bënin dëshirën për unitet dhe paqe edhe më të fortë midis kombeve.
Kështu që, ndërsa ne po iknim nga komunizmi dhe ëndërronim t’i bashkoheshim botës suaj, ju po ëndërronit për një fshat global dhe po e bënit realitet me shpejtësi. Me pak fjalë, as ne dhe as ju nuk ishim plotësisht të vetëdijshëm për atë që na priste.
Për dikë të lindur në një vend që gjithmonë ka prodhuar më shumë histori se sa ka mundur të përtypë, “fundi i historisë” dukej si një bekim dhe hapja e rrugëve, deteve dhe qiellit për t’u ribashkuar me qytetërimin tuaj, si një mrekulli.
Sot di më shumë. Të gjithë dimë më shumë. Dhe, megjithëse kurrë nuk do të kthehesha pas, rikthimi i historisë, me detet e saj të trazuara dhe qiellin e saj me stuhi, e bën rrugën përpara shumë më pak të sigurt sesa dukej dikur.
Dimë mirë përparësitë që globalizimi i ka sjellë njerëzimit. Ai ka lidhur njerëzimin në mënyra dikur të paimagjinueshme. Ekonomitë prodhojnë më shumë, më mirë dhe më lirë duke arritur edhe te ata që, pa globalizimin, do ta kishin pasur të pamundur mbijetesën.
Inovacioni lulëzon falë bashkëpunimit global në shkencë dhe teknologji, duke sjellë arritje të mëdha në mjekësi, energji të rinovueshme dhe komunikim.
Muzika, filmi dhe arti udhëtojnë lirshëm, duke mbartur talent, tinguj dhe rrëfime përtej kulturave, duke na ndihmuar të kuptojmë dhe njohim më mirë njëri-tjetrin. Komunikimi është më i shpejtë dhe më gjithëpërfshirës se kurrë; “cloud computing”, inteligjenca artificiale dhe ndërveprimi online e kanë thelluar integrimin digjital përtej çdo parashikimi.
Këto janë përparësitë që i lejojnë edhe një vend të vogël si Shqipëria të ndihet dhe të veprojë pa kufij, si bija e saj Nënë Tereza, e cila dikur tha:
“Me gjak jam shqiptare. Me shtetësi, indiane. Sa për thirrjen time, i përkas botës.”
Ajo na kujtoi se identiteti nuk është mur, por urë. Se përkatësia kur ndahet nuk zvogëlohet, shumëzohet.
Po aq të pakufizuara janë arritjet e Ismail Kadaresë, shkrimtarit tonë të madh të përkthyer në më shumë se 45 gjuhë, dhe të shqiptarëve si Dua Lipa, Ermonela Jaho apo Mira Murati, që kanë arritur majat e artit, shkencës dhe teknologjisë botërore.
Pa përfitimet e globalizimit, bukuria natyrore e Shqipërisë do të kishte mbetur e izoluar. Dymbëdhjetë milionë vizitorë erdhën vitin e kaluar në një vend me më pak se tre milionë banorë. Çdo takim, çdo vakt i përbashkët, çdo fotografi e bërë në brigjet apo vendet tona kulturore është Shqipëria që rizbulon vendin e vet në historinë globale.
Po kështu, integrimi ynë europian, i riafirmuar në çdo forum ndërkombëtar dhe i mbështetur nga shumica dërrmuese e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, do të kishte mbetur një ëndërr që zbehej, po të mos kishim ndarë vrullin e pandalshëm që solli globalizimi.
Por dimë gjithashtu se ky “iluzion i bukur që vrapoi më shpejt se zemra e vet”, siç e përshkroi dikush, nuk ka vdekur. Është thjesht “duke u shpërbërë, i minuar nga kundërshtitë e veta”, siç tha me të drejtë një tjetër.
Sot, globalizimi politik duket thellësisht i fragmentuar. Legjitimiteti i institucioneve globale vihet në dyshim. Varfëria dhe pabarazia vazhdojnë kokëfortësish. Rivalitetet gjeopolitike po shtohen. Izolacionizmi po ringjallet. Nacionalizmat po rishfaqen. Luftërat po e shtrijnë ndikimin e tyre përtej kufijve. Lëvizjet kundër emigrantëve po rriten.
Të drejtat e fituara po gërryhen. Jeta digjitale dhe rrjetet sociale na çorientojnë dhe pasiguria mbizotëron në botën virtuale ku jetojmë çdo ditë, ku të dhënat tona zhduken në një errësirë që nuk e shohim dot.
Në vitin 2025, ajo që dikur e shihnim si historinë më të madhe të përparimit njerëzor, sot dyshohet dhe bombardohet çdo ditë me pyetje, ndërsa pasiguritë e çdo lloji shtojnë stresin, ankthin dhe tensionin ndërbreznor.
Arsyet janë padyshim më të gjera se sa mund t’i kap unë, por, duke u mbështetur në të kaluarën tonë komuniste dhe para-komuniste dhe në tri dekadat e tranzicionit, do të ndalesha në një faktor kyç:
Ende nuk kemi mësuar si të jetojmë dhe sillemi globalisht në këto rrethana të reja. Nuk kishim si ta dinim më parë dhe ende nuk dimë sa duhet sot. Ndërsa globalizimi zgjeronte territoret e tij, edhe reflektimi dhe i nxëni ynë duhej të ishin zgjeruar po aq. Por të dyja kanë qenë të pamjaftueshme krahasuar me shkallën e zgjerimit të globalizimit.
Megjithëse sot mendimtarët dhe studiuesit na arrijnë më lehtë përmes mediave sociale, podkasteve dhe programeve të panumërta, ne ende i dëgjojmë shumë pak filozofët, ekonomistët, sociologët, psikologët, teknologët, gjuhëtarët apo mjekët. Edhe më pak dëgjojmë njerëzit e zakonshëm dhe përditshmërinë e tyre.
Dhe kështu, përpiqemi të menaxhojmë një botë tepër komplekse dhe dinamike me praktikat, besimet dhe kufizimet e së shkuarës në vend që ta kuptojmë, mësojmë dhe përshtatemi bashkë me të.
A jetojmë ende në epokën e globalizimit?
Po, jetojmë sepse, siç tha Tony Blair në vitin 2019, “Globalizimi nuk është zgjedhje, është realitet.”
Për ta mbyllur, ndërsa përgatitesha për këto fjalë, nuk munda të mos bëja një paralelizëm mes fazës së sotme të globalizimit plot sfida dhe pyetje dhe çantës së shkollës së Zaho-s, djalit tim 11-vjeçar.
A ju kujtohet si në brezin tonë çantat e shkollës mbaheshin me dorë prandaj quheshin “çantë-dore shkolle”? Sot, asnjë fëmijë nuk e mban më çantën në dorë. Të gjithë i mbajnë në shpinë, sepse me kalimin e viteve çantat u bënë gjithnjë e më të mëdha, më të rënda, aq sa asnjë fëmijë i vogël s’mund t’i mbajë ndryshe. Dhe kështu, fëmijët tanë shkojnë dhe kthehen çdo ditë në shkollë të përkulur nën peshën e saj.
E dini pse? Sepse në atë çantë, në atë shpinë fëmije, qëndrojnë bashkë e kaluara dhe e tashmja. Brenda saj janë iPad-i ose kompjuteri personal, por edhe tekstet tradicionale, lapsi digjital dhe kutia e lapsave plot me lapsa, kalkulatori dhe fletorja me katrorë ku mësohet logjika e matematikës si dikur, fletoret e shënimeve dhe fletoret e detyrave të shtëpisë si më parë.
Në shkollë ka mësues që ende nuk dinë ku mbaron e kaluara dhe ku fillon e tashmja në metodat dhe sjelljet e tyre arsimore ndërsa vetë ata duhet të bëhen sërish nxënës për t’u mbajtur në hap me ndryshimin digjital. Dhe jemi ne, prindërit, që panikojmë për misterin e së ardhmes, duke zbatuar pa pushim rregullat e së shkuarës.
Kjo është çanta e globalizimit mbi shpatullat e Zaho-s. Plot mundësi të pafundme për të mësuar, por e rëndë, e ndërlikuar dhe, ndonjëherë, kaotike. Të gjithë e mbajmë sot atë çantë.
Kjo është çanta e globalizimit.
Të dashur miq,
Është e drejtë të shqetësohemi thellë kur shohim se vendimet e përditshme sfidojnë parimet dhe qëllimet e ëndrrës fillestare të globalizimit. Por nuk duhet të alarmohemi nga ngadalësimi i tij. Ky ngadalësim mund të jetë një dhuratë që na jep kohë për të reflektuar, për ta bërë udhëtimin më të lehtë, më të qartë, më pak stresues dhe më të lehtë për t’u mbajtur nga fëmijët tanë.
Faleminderit.
Adresimi në darkën e organizuar me të ftuarit e Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë dhe të Politikave Globale, Londër 2025