

E lexova me vëmendje shkrimin e Blendi Kajsiut, i cili sjell një analizë të gjatë mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, raportin e SPAK-ut me qeverinë dhe atë që ai e quan humbje morale e politike e Edi Ramës përballë një fitoreje juridike. Është një shkrim që mbështetet në fakte, në krahasime historike dhe në një lexim moral të luftës kundër korrupsionit.
Pikërisht për këtë arsye ia vlen t’u përgjigjem argumenteve të tij, jo për t’i mohuar, por për t’i vendosur në një kornizë tjetër institucionale dhe historike.
Ai e ndërton argumentin mbi disa teza të qarta, se standardi antikorrupsion kërkon dorëheqje të menjëhershme, se rasti Balluku përbën regres krahasuar me dorëheqjen e Ilir Metës në vitin 2011 dhe se gjykata e opinionit publik ka dhënë tashmë verdiktin e saj. Pikërisht këtyre tezave po përpiqem t’u përgjigjem.
Blendi Kajsiu ka të drejtë për një gjë thelbësore, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut është një fitore juridike për Edi Ramën dhe, në planin e ngushtë etik, mund të lexohet si humbje politike. Por problemi nis pikërisht aty ku ky lexim etik shndërrohet në kriter për funksionimin e drejtësisë penale dhe për balancën e pushteteve.
Krahasimi me dorëheqjen e Ilir Metës në vitin 2011 është i fuqishëm në retorikë, por i pasaktë institucionalisht. Meta dha dorëheqjen në një sistem drejtësie të kapur, të paralizuar dhe të paaftë për të ndëshkuar këdo. Dorëheqja e tij nuk ishte akt besimi te drejtësia, por menaxhim politik në kushtet e një pandëshkueshmërie të garantuar. Hetimi vazhdoi pa paraburgim, pa masa ekstreme, pa shkatërrim të lirisë personale. Ishte një kohë kur morali përdorej si zëvendësim i drejtësisë që mungonte.
Hetimet e Duarve të Pastra në Itali nuk ndryshuan vetëm klasën politike, por edhe vetë mënyrën se si bëhet politika. Ato shënuan kalimin nga partitë ideologjike te politika e thjeshtuar, e drejtpërdrejtë dhe gjithnjë e më konfliktuale, ku prokuroria u kthye në aktor qendror dhe jo vetëm në organ drejtësie. Që prej asaj kohe pushteti imperial i prokurorëve filloi të gërryente lirinë personale dhe të nënshtronte politikën, ndërsa parimet e gjykimit të drejtë mbetën më shumë retorikë sesa praktikë.
Vetë shteti italian u detyrua ta pranojë këtë devijim, kur me Dekretin Biondi për parashtrimin liroi rreth tre mijë persona nga paraburgimi, nga të cilët vetëm pesë për qind u rikthyen në burg. Ishte një pranim i heshtur se paraburgimi preventiv ishte përdorur masivisht dhe padrejtësisht, si instrument presioni dhe jo si mjet i domosdoshëm i drejtësisë.
Sot situata është diametralisht e kundërt me kohën e mëparshme. SPAK ekziston, heton, arreston dhe mbyll në burg zyrtarë të lartë pa gjykim përfundimtar. Raste si Saimir Tahiri, Erion Veliaj, Sali Berisha apo të tjerë që kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim për periudha të gjata tregojnë se besimi është zhvendosur nga gjykata te prokuroria. Dhe ky është problemi real që shkrimi i Kajsiut e anashkalon, se kush e përcakton fajësinë maksimale, gjykata apo prokuroria.
Kur standardi antikorrupsion fillon të matet me dorëheqje, pezullime dhe paraburgime para gjykimit, nuk kemi më drejtësi evropiane, por drejtësi penale të mbingarkuar me mision moral. Kjo është pikërisht rruga që ndoqi Italia me hetimet e Duarve të Pastra. Në literaturën italiane të drejtësisë kjo periudhë përshkruhet si momenti kur drejtësia humbi masën dhe politika humbi guximin.
Në Shqipëri nuk e themi dot haptazi se Shtetet e Bashkuara janë pas SPAK-ut, por në Itali kjo u tha hapur duke vënë në qendër pakënaqësinë amerikane në lidhje me politikën italiane në Mesdhe. Historiani italian Andrea Spiri vëmendjen e veçantë amerikane me proceset gjyqësore e lidh me një figurë kyçe që është i ngarkuari me punë i Ambasadës amerikane, Daniel Serwer, i cili e drejtoi atë edhe gjatë tranzicionit nga presidenca Bush në atë të Klintonit.
Prokurori i parë i asaj vale, Antonio Di Pietro, kishte kaluar një trajnim disa mujor në Shtetet e Bashkuara i ftuar bga DASH. Elitat juridike italiane e përshkruanin si njeri pa kulturë juridike të thellë, por shumë intuitiv.
Dhe është vetë Serwer ai që e siguron Uashingtonin për besueshmërinë e protagonistit të hetimit duke thënë “E njoh Di Pietron prej kohësh”.
Më pas skuadrës së hetimeve iu bashkuan prokurorë të tjerë me profil më të lartë profesional dhe procesi mori përmasa të pakontrolluara.
Sigurisht që prokurorët e skuadrës si Borrelli, D’Ambrosio dhe Di Pietro nuk shkonin te amerikanët për të “marrë urdhra”, por është e paqartë pse kreu i Prokurorisë, Francesco Saverio Borrelli, ndjeu nevojën të fliste me amerikanët rreth “ndikimit politik të hetimit” në qershor 1992, dhe pse në maj 1993, kur Borrelli shkoi te konsulli i ri, demokrati Richard Shinnpick, dhe filloi t’i shpjegonte hetimin, raporti u censurua dhe u deklasifikua vetëm pjesërisht.
Historia italiane është e qartë dhe brutale. Mbi njëzet e pesë mijë njoftime hetimi, mbi katër mijë arrestime, qindra dënime, por edhe mbi dyzet vetëvrasje të personave nën hetim. Paraburgimi u shndërrua në mjet presioni dhe jo në masë të jashtëzakonshme. Aq sa shteti italian u detyrua të miratojë Dekretin Biondi për parashkrimin, duke liruar rreth tre mijë persona, prej të cilëve vetëm pesë për qind u rikthyen në burg. Një pranim i heshtur se nëntëdhjetë e pesë për qind e paraburgimeve kishin qenë abuzive.
Ky precedent nuk është akademik. Është paralajmërim.
Francesco Saverio Borrelli, protagonisti kryesor i skandalit “Duart e Pastra”, ka ndërruar jetë në moshën 89 vjeç. Si kryeprokuror i Milanos, ai drejtoi hetimin për Tangentopoli-n. Ai gjithmonë e mbrojti punën e tij kundër korrupsionit, megjithatë në vitin 2011 kërkoi falje për katastrofën që pasoi “Duart e Pastra”. “Nuk ia vlente të hidhej në ajër bota e mëparshme për të rënë në atë aktuale”, tha.
Në këtë kontekst vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është amnisti morale për Ballukun dhe as pengesë për SPAK-un. Nuk shpall pafajësi, nuk ndalon hetimin, nuk relativizon korrupsionin. Vendos vetëm një kufi, që përbërja e ekzekutivit të mos ndryshohet përmes masave penale përpara se gjykata të flasë. Kjo nuk është dobësim i luftës kundër korrupsionit, por mbrojtje e ndarjes së pushteteve.
Morali politik ka vendin e vet. Por kur ai kthehet në kriter për arrestim, pezullim dhe delegjitimim para gjykimit, drejtësia humbet rolin e saj dhe shndërrohet në instrument frike. Historia italiane e tregon qartë se kur prokuroria fiton pushtet imperial, politika paralizohet, liria personale gërryhet dhe besimi në drejtësi bie.
Prandaj fitorja juridike e Ramës nuk është thjesht mbrojtje e një zyrtareje. Është një sinjal se shteti nuk mund të qeveriset nga paraburgimi preventiv dhe nga presioni moral para vendimit gjyqësor. Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e pamëshirshme, por edhe e drejtë. Sepse kur drejtësia humbet masën, ajo nuk forcohet, ajo komprometohet.