Alibia e Uashingtonit për braktisjen e Kievit

Në minutën e fundit u anulua takimi mes SHBA-ve, Evropës dhe Ukrainës. Marco Rubio, Sekretari i Shtetit, dhe Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i Presidentit Donald Trump, refuzojnë një ftesë për tak...
Nathalie Tocci
Loading Icons...
test12

Alibia e Uashingtonit për braktisjen e Kievit

Nathalie Tocci
Loading Icons...

Në minutën e fundit u anulua takimi mes SHBA-ve, Evropës dhe Ukrainës. Marco Rubio, Sekretari i Shtetit, dhe Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i Presidentit Donald Trump, refuzojnë një ftesë për takimin ministror në Londër vetëm disa orë para fillimit të tij. Hapi prapa i administratës Trump vjen pas sinjaleve nga Moska për një hapje të mundshme ndaj një propozimi (i pahijshëm) nga Uashingtoni.

Plani i SHBA-ve për Ukrainën do të përfshinte të dy elementët e njohur – domethënë që Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO dhe se Rusia do të kontrollojë territoret e okupuara të Ukrainës – dhe pika të papranueshme, si në formë ashtu edhe në thelb.

Në formë, ai do të parashikonte njohjen e aneksimit të Krimesë në Rusi. Aneksimi i territoreve përmes përdorimit të forcës është i paligjshëm. Kjo vlen për Ukrainën, e cila duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj dhe të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj; një zotim që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk ka të drejtë ta bëjë.

Por kjo vlen edhe për pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar. Mendoni vetëm për konfliktin arabo-izraelit në të cilin, pas 58 vjetësh, asnjë vend nuk e njeh aneksimin izraelit të Jeruzalemit Lindor dhe vetëm Shtetet e Bashkuara, pikërisht gjatë administratës së parë të Trump në 2019, njohën aneksimin izraelit të Lartësive të Golanit që i përkasin Sirisë, si edhe sovranitetin e Marokut mbi Saharën Perëndimore si “shpërblim” për marrëdhëniet e normalizuara me Izraelin.

Pra vetëm me përjashtim të Shteteve të Bashkuara, prandaj është e vështirë të imagjinohet se ndonjë vend tjetër do të ishte i gatshëm të njihte aneksimin e Krimesë nga Rusia. Kina ndoshta nuk do ta bënte këtë, pasi pavarësisht afërsisë me Moskën, ajo mbetet e ankoruar fort pas parimit të integritetit territorial. E lëre më tej vendet evropiane (ndoshta me përjashtim të Hungarisë).

Në thelb, plani i Uashingtonit nuk thotë asgjë konkrete për garancitë e sigurisë për të parandaluar që një armëpushim në fakt të hapë rrugën për një rifillim të luftës në të ardhmen e afërt. Ai përmend një “garanci të fortë sigurie”, por specifikon se do të sigurohet nga vendet evropiane dhe të tjera, pa përmendur Shtetet e Bashkuara.

Uashingtoni nuk mund të mos e dijë se plani është i dënuar të dështojë. Pyetja e vërtetë është se cili është qëllimi i tij i vërtetë. Trump duhet ta ketë kuptuar se jo vetëm që paqja e famshme 48-orëshe nuk erdhi në 48 ditë, por se ndoshta nuk do të vijë as për 4 dhe as për 48 muaj.

I bezdisur me Ukrainën (si dhe Gazën), presidenti amerikan dëshiron të shikojë diku tjetër, nga lufta tregtare me Kinën te negociatat me Iranin. Pak ditë më parë, Rubio kishte njoftuar tashmë se do të braktiste negociatat për Ukrainën nëse nuk arrihet një marrëveshje. Duke ditur se nuk do të kishte marrëveshje, mbeti të përcaktohet se kush do të fajësohej.

Pa “planin e paqes” të Trump, vënia e gishtit mbi Kievin do të kishte kërkuar një shtrirje të madhe të imagjinatës edhe për një administratë të mbështjellë nga dezinformatat, paaftësia dhe mendimi magjik. Deri në atë pikë, ishte Moska ajo që, si me fjalë ashtu edhe me vepra, hodhi poshtë propozimin për një armëpushim gjithëpërfshirës që Kievi në vend të kësaj e pranoi. Sidomos pas sulmit rus ndaj civilëve në Sumy të Dielën e Palmës, shqetësimi i Uashingtonit, i detyruar të kapej pas çdo dege duke e quajtur sulmin një “gabim”, ishte bërë i dukshëm.

Çfarë mënyrë më të mirë për të dalë nga kjo se sa me një “plan paqeje” të bukur që është i papranueshëm për Kievin? Aq sa zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, gjatë një misioni në Indi, e bëri të qartë se nëse palët nuk pranonin planin e paqes të SHBA-ve, Uashingtoni do të tërhiqej.

Zelensky përsëriti gatishmërinë e tij për të vazhduar me një armëpushim të plotë, të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar. Ashtu siç përjashtoi, siç ishte e pashmangshme, njohjen formale të aneksimit të territoreve të saj.

Moska, nga ana e saj, as nuk e ka pranuar dhe as nuk e ka refuzuar propozimin e Uashingtonit, edhe pse ka thënë se do të ishte e gatshme të “vendoste” për territoret që pushton (duke falënderuar, në të mirën e saj, ato që aneksoi pa i pushtuar fare). Mjaft për t’i dhënë dritën jeshile braktisjes së Uashingtonit, që ia kalon fajin Zelenskit, siç duket edhe nga postimi i djeshëm i Trump.

Skenari është vendosur për atë që dukej të ishte skenari më real në Ukrainë që nga fitorja e Trump në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Sipas të gjitha gjasave, Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga lufta, e cila, nga ana tjetër, do të vazhdojë. Do të jenë vendet evropiane, duke filluar me koalicionin e vullnetarëve të udhëhequr nga franko-britanikët, që do të vazhdojnë të mbështesin Kievin në rezistencën e tij kundër pushtimit rus. Dhe kjo mbështetje do të përshtatet gjithnjë e më shumë në një përpjekje më të gjerë, në të cilën mbrojtja e Evropës do të bjerë gjithnjë e më shumë në duart e evropianëve, pa amerikanët. Ndërsa Amerika e Trump dhe Rusia e Putinit, të shtyrë nga një vizion perandorak dhe kleptokratik i marrëdhënieve ndërkombëtare, do të rivendosin marrëdhëniet dhe do të rifillojnë të bëjnë biznes. Në fund të fundit, kjo është ideja e “paqes” që i bashkon ata.