A ju kujtohet ai titull i gushtit në Albanian Post. “Nëse ky është fundi Ali Ahmetit, ai e ka zgjedh vet”.
Atëherë e thashë qartë: “Nëse shqiptarët nuk zgjedhin të organizohen ndryshe, atëherë do të organizohen të tjerët për ta. Dhe s’do kenë më as parti, as votë, as shtet.”
Tani pas fatalitetit ne zgjedhje nuk është më paralajmërim. Është realitet. Dhe ky është përditësimi që s’mund të heshtet.
Dhe çka bën një lider në këto raste?
Ka ditë në histori kur një lider ka veç një pyetje për veten: A jam ende njeriu që ndërtova për popullin tim?
Ali Ahmeti s’ka më përgjigje për këtë pyetje. Sepse ajo që dikur ishte një përgjigje për shqiptarët, është shndërruar në një heshtje që i rëndon të gjithëve.
Ashtu si çdo udhëheqës që qëndron gjatë, Ahmeti nuk e pa fundin kur po i vinte. Ai e ndihmoi të ndodhte.
Me çdo kompromis që bëri me pushtetin maqedonas. Me çdo heshtje ndaj Albin Kurtit. Me çdo lëshim ndaj Aleksandër Vuçiqit për ndërhyrje në Maqedoninë e Veriut. Me çdo mik të rremë dhe çdo armik të nderuar.
Kur ai ndaloi së luftuari për të drejtën, të tjerët nisën të fitojnë pa të drejtë. Kur ai e braktisi idealin për llogarinë, të gjithë filluan të llogarisin pa të. Kur ai heshti, Mickoski foli. Kur ai uli kokën, Kurti ngriti gishtin. Dhe kur ai mendoi se po luante me kohën, koha luajti me të.
Ali Ahmeti është bërë sot simbol i një pafuqie që e meriton vetëm kush nuk ka guxim të dalë nga skena në kohë. Sepse ai nuk humbi nga kundërshtarët e tij.
Ai humbi nga versioni më i dobët i vetvetes. Nga frika për të ndërtuar trashëgimi në vend të pushteti. Nga obsesioni për të qenë i fundit që flet, edhe kur s’ka më kush dëgjon.
Ndërsa shqiptarët janë futur në një cikël të ri – të përçarë, të zhgënjyer dhe të pabesuar – historia nuk do ta falë mungesën e një orientimi në këtë moment kritik. Dhe orientimi i munguar ka një emër: Ali Ahmeti.
Por fundi i Aliut s’mund të shkruhej pa ndihmën e atyre që e përdorën.
Mickoski u ndihmua nga Albin Kurti. Por nuk i duhet më. Sepse ai e mbaroi misionin. E shkatërroi nga brenda skenën politike shqiptare. I ndihmoi të ndahen, të fyejnë njëri-tjetrin, të akuzojnë pa kufij.
E krijoi partinë e vet shqiptare. Dhe më e dhimbshmja: i fitoi shqiptarët brenda shtëpisë së Aliut në Kërçovë.
E poshtëroi atë dhe Taravarin në Gostivar. E poshtëroi në Dibër. Në Strugë. Në Çair. Në të gjitha bastionet që dikur mbanin flamurin si kurorë mbi vetëdije.
Kur Kurti mbaroi misionin e tij, Mickoski nuk pati më nevojë as për të. As për Shqipërinë. As për Kosovën. Sepse ai tashmë sillet si zot i shqiptarëve – pa pasur nevojë për asnjë prej liderëve të tyre. Ai e përdori Kosovën si argument për t’i thyer. Shqipërinë si krahasim për t’i përçmuar. Dhe vetë shqiptarët si mjet për ta sunduar Maqedoninë.
Dhe kështu, Ali Ahmeti nuk është më një figurë e historisë. Është një simbol i së shkuarës që nuk pranoi të bëhej trashëgimi. Një emër që nuk tremb më as Mickoskin, as bashkëpunëtorët e tij. Flamujt nuk trembin askënd kur bien nga dritaret e zyrave dhe mbeten të hedhur në dysheme, të harruar si premtimet.
Kush mendoi se do të mbijetojë me lavdinë e luftës, harron se luftën e ka bërë Kosova, atëherë kur Shqipëria heshti. Ndërsa politikën e kanë bërë të tjerë. PDSh-ja në kohën e saj. PDSH-ja që nuk e mbijetoi dot bashkimin, por e mbajti gjallë ndjenjën e përfaqësimit.
Tani, kur nuk ka më organizim politik, nuk ka më përfaqësim kombëtar. Ka vetëm feude politike. Pikërisht atë që Maqedonasit kanë ëndërruar gjithmonë. Të kenë shqiptarë të përçarë. Me emra lokalë. Me interesa të vogla. Me flamuj që valojnë vetëm në përvjetorë.
Dhe vetëm një pyetje mbetet për të gjithë: A do të dalë dikush për të ndërtuar organizimin e ri politik?
Sepse ai i vjetri ka vdekur.
Dhe nga një organizim i vdekur nuk lind asgjë.
Post Scriptum
Tani që çdo gjë ndodhi siç ishte paralajmëruar, ky shkrim nuk është më parashikim, por dokument i mungesës së ndërgjegjes kolektive shqiptare në një moment kyç. Dhe nëse ende ka ndonjë që s’e ka kuptuar se çfarë ka ndodhur me Ali Ahmetin, mjafton ta lexojë edhe njëherë këtë tekst – dhe të pyesë veten: kush është i radhës që do të harrohet me dorën e vet?