Olta Xhaçka, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, është paraqitur sërish në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mëngjesin e ditës së sotme së 7 prillit.
Ajo dha dëshminë e saj për gati 1 orë për një kallëzim për përdorimin e helikopterëve që është denoncuar nga deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi dhe kallëzimet e ish-ushtarakut Artur Meçollarit për bazën e Limionit dhe bazën detare të Shëngjinit.
Kjo është hera e dytë që ministrja Xhaçka paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, ku herën e kaluar deklaroi se ishte thirrur për t’u pyetur lidhur me akuzat e bëra nga opozita sa i takon përdorimit të aseteve publike në fushatë elektorale.
Sakaq, ndaj saj ka pasur edhe një kallëzim nga Artur Meçollari për privatizimin e pronave të ushtrisë gjatë vitit 2021 kur Xhaçka ka qenë ministre e Mbrojtjes.
Herën e parë Xhaçka u paraqit në SPAK për të dhënë një dëshmi në cilësinë e personit që ka dijeni për hetimet për privatizimet e pronave të ushtrisë.
“Jam thirrur për ato akuza që i ka bërë opozita në adresë të ministrit të mbrojtjes, kur e kam mbajtur si pozicion. Unë jam në dispozicion për këtë kemi punuar që drejtësi të na mbajë në dispozicion”, tha Xhaçka.
Kryediplomatja shtoi se “është e mirëseardhur dita kur të marrim përgjigje nga drejtësia për këto shpifje për përdorimin e aseteve publik për arsye elektorale, por dhe alarmet false, që asete të cilat për fat të keq kanë qëndruar mes ndryshqeve do të kthehen në asete me vlerë, siç është rasti i portit të Sarandës”.
“Nuk ndryshon as baza detare, që do jetë më emirë si një bazë ndihme për funksion të flotës së forcave të armatosura, por do jetë dhe një port turist. S’ka pasur asnjë shkelje ligji, gjithmonë në funksion të detyrës”.
Dy ditë para kësaj, Prokuroria e Posaçme vendosi në sekuestro preventive bazën ushtarake detare në Sarandë, e cila dyshohet se ka kaluar në duart të privatëve në mënyrë të paligjshme dhe korruptive.
Vendimi lidhet me denoncimin e ish zëvendëskomandantit të forcave detare Artur Meçollarit për privatizimin e pronave të ushtrisë.
Dosja për tjetërsimin e pronave të ushtrisë u kallëzua në SPAK gjatë 2021, dhe bën fjalë për dhënien me qira të bazës së Limionit. Për këtë çështje janë denoncuar edhe ish ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka.
Pak ditë më parë për këtë çështje në SPAK u paraqit dhe ish-shefi i shtabit të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku , aktualisht deputet i PS.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com