Sport

Oleksandr Usyk po mendon rikthimin në cruiserweight pas revanshit me Tyson Fury-n


Oleksandr Usyk

Kampioni i padiskutueshëm i botës në peshën e rëndë, Oleksandr Usyk (37 vjeç) tha se ai mund të rikthehet në kategorinë e peshave cruiserweight pas revanshit të tij me britanikun Tyson Fury (35 vjeç) më vonë këtë vit.

Usyk, tani kampion i WBA, WBC, IBF dhe WBO, mundi Fury-n me vendim të ndarë në një garë emocionuese në “Kingdom Arena” në Riad për t’u bërë kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda.

Ukrainasi ishte më parë kampioni i padiskutueshëm në cruiserweight përpara se të ngjitej në peshën e rëndë në vitin 2019.

“Mendoj se ndoshta pas ndeshjes së revanshit, do të zbres në peshë në cruiserweight. Unë dua më shumë cruiserweight”, tha Usyk në një episod të podcast-it “3 Knockdown Rule” të publikuar të mërkurën.

“Ndoshta mund të jem i padiskutueshëm për herë të dytë në kategorinë e cruiserweight, është plani im. Kur të filloj të përgatitem për kampin tim stërvitor (si një peshë e rëndë), duhet të ha gjatë gjithë kohës. Për mua është e vështirë, nuk më pëlqen”, theksoi ukrainasi.

Usyk është kampioni i parë i padiskutueshëm i peshave të rënda që nga fundi i mbretërimit të Lennox Lewis në prill të vitit 2000. Ai do të përballet me Fury-n në një revansh më 21 dhjetor në Riad të Arabisë Saudite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore