Kosova

OJQ-të nga Kosova dhe Serbia kërkojnë zgjerimin e debatit të normalizimit përtej dialogut të BE-së


Ilustrim

Disa organizata jo-qeveritare nga Kosova dhe Serbia së fundmi kanë përpiluar një platformë e mbështetur mbi 10 parime për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Platforma në fjalë, sipas organizatave jo-qeveritare kosovaro-serbe, do të shërbejë në eksplorimin e paradigmave të ndryshme që shkojnë përtej procesit burokratik të dialogut Kosovë – Serbi e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Le ta zgjerojmë debatin për normalizimin e marrëdhënieve përtej dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për të përfshirë çështje që, nëse nuk trajtohen, do të kenë një ndikim negativ në marrëdhëniet e ardhshme, duke përfshirë drejtësinë tranzicionale, arsimin dhe bashkëpunimin mes njerëzve”, thuhet në njoftimin e përbashkët të organizata jo-qeveritare ku prezantohet edhe platforma.

Njëra nga nenet e platformës sugjeron që Kosova dhe Serbia të zhvillojë mekanizma që deklaratat e përbashkëta e lëshuar zakonisht nga BE-ja të përpilohen pas konsultimeve të gjera edhe me komunitetet që potencialisht mund të ndikohen nga përmban kjo deklaratë.

Platforma e organizatave jo-qeveritare ndër të tjera vlerëson që të ketë komunikim të hapur mes shoqërisë civile dhe palëve të përfshira në dialog në atë mënyrë që perspektivat e komuniteteve të ndryshme të përmirësojnë cilësinë e debatit për çështje që kanë të bëjnë me procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

“Ne paraqesim këndvështrime pozitive dhe negative me në qendër njeriun mbi ndikimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me theks në pasojat e padëshiruara ose të paparashikuara të zbatimit në jetën e përditshme”.

“Ne u përgjigjemi çështjeve të shqetësimit të përbashkët në lidhje me shoqërinë civile në Kosovë dhe Serbi (siç janë paditë strategjike kundër angazhimit publik, targetimi i mediave, OJQ-të e kontrolluara nga shteti, financimi i donatorëve, etj.) për të krijuar një mjedis më të favorshëm për angazhim qytetar”.

Shoqëria civile e cila e sheh si të nevojshme zgjerimin e debatit për çështjen e dialogut potencon se do të angazhohen për një avokim të përbashkët dhe të koordinuar “ndaj autoriteteve qendrore dhe lokale, si dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, për të promovuar hapa konkretë që mund të kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Së bashku lavdërojmë dhe kritikojmë hapat e ndërmarrë nga qeveria qendrore dhe lokale, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare, të cilat ndikojnë pozitivisht ose negativisht në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Le të adoptojmë qëndrime që inkurajojnë komunitetet tona të ndërmarrin hapa proaktivë që kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështjet e integrimit dhe bashkëpunimit”.

“Ne ndjekim iniciativat për të mbështetur të drejtat e anëtarëve më të cenueshëm të shoqërisë, pavarësisht se cilit komunitet i përkasin, duke përfshirë përgjigjen ndaj rasteve të gjuhës së urrejtjes që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve si mohimi i krimeve të luftës, glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe fyerjet etnike”.

“Ne rrisim dukshmërinë e kontributit të shoqërisë civile në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke promovuar iniciativat e njëri-tjetrit, veçanërisht tregimet pozitive për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet ndërpersonale”.

Platforma në fjalë është përpiluar nga 18 organizata joqeveritare si nga Kosova ashtu edhe Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore