Lajme

Oficeri serb, i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal, arratiset drejt Shqipërisë


Një oficer i Policisë serbe, Danilo Stojanoviç, i dyshuar si pjesë e një grupi të krimit të organizuar, është arratisur drejt Shqipërisë nga kufiri i Malit të Zi.

Lajmi është bërë i ditur nga Policia malazeze në një deklaratë për mediat.

Stojanoviç u arratis nga policia kufitare në vendkalimin Gërnçar midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, pasi makina e tij u ndalua.

“Pas një kontrolli të identitetit personal, oficerët e policisë e drejtuan automjetin në pikën e dytë të kontrollit, por ai e la automjetin dhe u arratis”, raportoi Policia malazeze, shkruan Albanian Post.

Sipas Policisë, nuk kishte asnjë urdhër ndalimi për Stojanoviçin kur ai hyri në Mal të Zi, më 14 prill, ose kur kaloi në Shqipëri më 17 prill.

Stojanoviç, sipas mediave serbe, dyshohet se është pjesë e grupit të krimit të organizuar të kryesuar nga bosi i dyshuar i drogës Darko Sariç, i cili u arrestua javën e kaluar.

Albanian Post ka kontaktuar me Policinë e Shtetit, por ende nuk ka marrë një informacion zyrtar.

Sariç, i akuzuar për kontrabandë ndërkombëtare të kokainës, e arrestuan në Beograd pas një operacioni ndërkombëtar të koordinuar nga Europol dhe Eurojust.

Në kuadër të këtij operacioni  janë arrestuar anëtarë të disa grupeve të organizuara kriminale.

Sipas Ministrisë së Brendshme Serbe janë arrestuar pesë anëtarë të një grupi të organizuar kriminal që vepron në Serbi, Evropë dhe Amerikën e Jugut.

Përveç Sariçit, i cili dyshohet se është organizator i atij grupi kriminal, janë arrestuar edhe anëtarët e tij, ndërsa siç thuhet në deklaratë, janë duke u kërkuar intensivisht edhe anëtarët e tjerë.

Në mesin e të arrestuarve është një nga avokatët mbrojtës të tij, avokati Dejan Lazareviç, i cili është gjithashtu avokati kryesor mbrojtës i drejtuesve të dyshuar të grupit kriminal, Veljko Belivuk dhe Marko Miljkovic.

Ata akuzohen për veprat penale të bashkimit, me qëllim kryerjen e veprave penale, vrasje e rëndë, prodhim dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve, prodhim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë dhe me kallëzim penal do të dërgohen në Prokurorinë për Krim të Organizuar.

Sariç ishte akuzuar më parë për kontrabandë ndërkombëtare të kokainës dhe pastrim parash, për të cilën u dënua me 15 vjet burg, por ai ka qenë në arrest shtëpiak që nga fundi i vitit 2021.

Mediat raportuan se arrestimet kishin lidhje me organizimin e vrasjes së ndodhur në Serbi, Malin e Zi, si dhe vrasjen e dy anëtarëve të klanit Skaljar në ishullin e Korfuzit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore