Lajme

Oferta e politikanit serb në zgjedhjet e Serbisë: Njohja e Kosovës dhe anëtarësimi në NATO


Ivan Videnoviç

Ivan Videnoviç, një prej zërave të fortë pro-perëndimorë dhe nënkryetar i lëvizjes “Zëri” në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, njëherësh profesor në Fakultetin e Fizikës në Universitetin e Beogradit, ka konfirmuar se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është një ndër shtyllat kryesore të programit politik nëpërmjet të cilit do të garojnë në zgjedhje.

Në një intervistë për portalin malazez “Analitika“, ai ka theksuar se në zgjedhjet e 17 dhjetorit do të hyjnë duke mos e fshehur premtimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimeve në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), diçka që Qeveria e Serbisë e refuzon.

“Ne nuk fshihemi pas frazave boshe. Ne duam të anëtarësohemi menjëherë në NATO dhe të anëtarësohemi shpejt në BE. Ne mendojmë se Kosova është e pavarur dhe duam marrëdhënie të ngushta miqësore me Kosovën”, ka deklaruar Videnoviç, ndërsa ka shtuar do të avokojnë zyrtarisht për ripërcaktimin e plotë të politikës rajonale të Serbisë.

“Në vitin 2003, ne përsëri kemi rënë në regresion nën barrën e panevojshme të humbjes së [ish-udhëheqësit të Serbisë, Sllobodan] Millosheviç dhe humbjes së Kosovës, duke lënë të paprekur bartësit e fatkeqësisë kombëtare dhe tradhtisë së vitit 1999. Në vitin 2008 ia kemi dorëzuar vendin banditëve të regjimit të [presidentit rus, Vladimir] Putin”, ka shtuar ai.

Perspektiva e Serbisë drejt BE-së është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore, duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore