Kosova

OEK-u: Vendimi i Qeverisë për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me peshë mbi 7.5 tonë ka ndikim të rëndë mbi operimin e kompanive


Ilustrim

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me peshë mbi 7.5 tonë shkaku temperaturave të larta.

Sipas OEK-ut, ky vendim ka ndikim të rëndë mbi operimin e rregullt të kompanive dhe aktiviteteve ekonomike brenda dhe jashtë vendit.

“Kompanitë prodhuese kanë drojë se mund të humbasin tregjet e jashtme të fituara me shumë mund, për shkak të kufizimeve të eksportit, veçanërisht për produktet sezonale vendore që mund të eksportohen vetëm në këtë periudhë”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata nuk i kanë konsideruar të arsyeshme kufizimet e tilla meqë thonë se asnjë vend i rajonit nuk ka vepruar njësoj.

Tutje, OEK-u ka kërkuar nga Qeveria që të shqyrtohet kjo masë e ndalimit.

“Në emër të komunitetit të biznesit, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës të shqyrtojë edhe një herë këtë masë të ndalimit, për të mos dëmtuar biznesin dhe për të mos humbur tregjet e jashtme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e eksportit të vendit tonë”, thuhet në reagim.

Ndryshe, është njoftuar se nga 14 korriku, deri më 31 korrik do të ndalohet qarkullimi i automjeteve me peshë mbi 7.5 tonë në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale.

Ky vendim erdhi bazuar në rekomandimet e Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve dhe Policisë së Kosovës, për ruajtjen e rrugëve nga dëmtimet si rezultat i temperaturave të larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore