Shqipëria

ODIHR hap misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri


Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) hapi të premten e 7 prillit një mision vëzhgues të zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri, pas një ftese nga autoritetet kombëtare.

Misioni drejtohet nga ambasadorja Audrey Glover dhe përbëhet nga një ekip bazë prej 13 ekspertësh me qendër në Tiranë dhe 24 vëzhgues afatgjatë.

Këta të fundit, do të vendosen në të gjithë vendin nga 13 prilli.

“Doja të theksoja fjalën vëzhgojmë. Ne monitorojmë zgjedhjet për të para përputhshmërinë e zgjedhjeve me standardet ndërkombëtare. Kemi pasur bashkëpunim të mirë më KQZ-në dhe presim që të vazhdojmë në këtë drejtim. Të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjitha autoritetet vendase”, theksoi Glover.

Ajo shtoi se për ditën e zgjedhjeve grupit monitorues do t’i bashkohet delegacioni i Parlamentit Evropian si dhe përfaqësues nga Kongresi i KiE-së për autoritete vendore.

Përveç kësaj, ODIHR planifikon të kërkojë nga OSBE 300 vëzhgues afatshkurtër, që të mbërrijnë disa ditë përpara ditës së zgjedhjeve.

Misioni do të vëzhgojë zgjedhjet për pajtueshmërinë e tyre me angazhimet e OSBE-së dhe detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe me legjislacionin kombëtar.

Vëzhguesit do të monitorojnë nga afër procesin e regjistrimit të votuesve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe organeve përkatëse qeveritare, legjislacionin lidhur me zgjedhjet dhe zbatimin e tij, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të lidhura me zgjedhjet.

Si pjesë e vëzhgimit, misioni do të monitorojë edhe mbulimin mediatik të fushatës.

Takimet me përfaqësues të shumtë të autoriteteve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile, medias dhe komunitetit ndërkombëtar janë pjesë përbërëse e vëzhgimit.

Një raport i ndërmjetëm do të publikohet për të përditësuar publikun dhe median gjatë rrjedhës së vëzhgimit.

Një ditë pas zgjedhjeve, një deklaratë e gjetjeve paraprake do të paraqitet në një konferencë për shtyp dhe ODIHR do të publikojë një raport përfundimtar që do të përmbledhë vëzhgimin dhe do të bëjë rekomandime për përmirësime disa muaj pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri funksionojnë veçmas dhe të pavarura nën mandatet e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore