Kosova

Oda Gjermane: Investitorët tonë në Kosovë mund të heqin dorë ose të ndërpresin aktivitetet


Flamuri i Kosovës dhe Gjermanisë.

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka reaguar për situatën aktuale në Veri të Kosovës, duke thënë se janë të shqetësuar për kompanitë që mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë.

Përmes një komunikate për media nga kjo Odë është thënë se si përfaqësues të 198 kompanive anëtare, përfshirë kompani gjermane dhe kosovare, investitorë potencialë dhe kompani anëtare, që punojnë ngushtë me kompani gjermane, OEGJK në baza ditore dëgjon shqetësimet në rritje nga ankesat e pranuara.

“Anëtarët e OEGJK-së janë të shqetësuar se kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese. Lajmet për paqëndrueshmëri politike dëmtojnë besimin e klientëve dhe investitorëve gjermanë në mënyrë të konsiderueshme”.

“Kjo ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës, si lokacion për investime dhe biznes”.

Sipas Odës Gjermane, lehtësimi i tensioneve dhe nxitja e zhvillimit të një mjedisi të qëndrueshëm janë faktorë të rëndësishëm për krijimin e një klime të mirë të të bërit biznes.

“U bëjmë thirrje vendimmarrësve politikë në Kosovë që të ndërmarrin hapa për rivendosjen e një mjedisi të qëndrueshëm politik”, thuhet në njoftim.

Tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, të mërkurën.

Nga ana tjetër, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga policia serbe të mërkurën, reagimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare lidhur me këtë rast dhe dënimin e Serbisë për agresionin e shfaqur.

Vendet partnere të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – nuk kanë reaguar akoma lidhur me këtë akt, i cili nga autoritet e Kosovës është cilësuar si cenim i rëndë i sovranitetit dhe tregues i qartë se shteti serb dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërish në një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Pas këtij veprimi, Kosova ka ndaluar hyrjen e të gjitha mallrave në Kosovë.

Qeveria ndalon hyrjen e mallrave serbe në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore