Kosova

Oda Ekonomike Amerikane: Fondi Sovran cenon parimet e konkurrencës së lirë


Arian Zeka

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, beson se plani i Qeverisë së Kosovës për themelimin e një Fondi Sovran, nëpërmjet të cilit synohet që të merren në pronësi pasuri strategjike të vendit, sikurse kompleksi metalurgjik i Trepçës, Telekomi dhe Korporata Energjetike e Kosovës, nuk është forma e duhur për t’i kthyer këto kompani në kompani që gjenerojnë fitim.

Sipas tij zgjidhja, gjithë në këtë mes, do të ishte privatizimi i këtyre ndërmarrjeve publike, si forma e vetme për rivitalizimin e tyre.

“Fondi Sovran, cenon parimet e konkurrencës së lirë në Kosovë, dhe po flasim për një dispozitë kushtetuese meqenëse me këtë Fond trajtimi i ndërmarrjeve publike bëhet në mënyra të ndryshme nga ndërmarrjet private dhe i vë këto ndërmarrje publike në një pozitë shumë më të favorshme, sidomos kur bëhet fjalë për qasjen në financa”, ka thënë Zeka në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Me Fondin Sovran beson Zeka, Qeveria e Kosovës do të ndërhyjë në sektorin financiar.

“Funksionimi i industrisë financiare në vend përgjatë viteve ndoshta ka qenë historia më e mirë me të cilin jemi mburrur brenda dhe jashtë vendit. Kemi një sektor financiar të shëndoshë dhe rrjedhimisht krijimi i një konkurence nga ana e shtetit, që ka natyrisht për burim taksat e qytetarëve dhe paratë e tatimpaguesve, natyrisht që nuk i bën mirë, as sektorit financiar, si të tillë, por paradoksialisht bie në kundërshtim me atë që drejtuesit aktualë të qeverisë, në të kaluarën, kur nuk kanë qenë pjesë e qeverisë, e kanë promovuar”, ka shtuar ai.

Zeka më tej ka thënë se Kosova me vitet të tëra po dështon në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi.

Ndonëse vëllimi i investimeve të huaja direkte në Kosovë ka shënuar rritje, për Zekën këto investime po bëhen në sektor që nuk krijojnë vende të qëndrueshme.

“Për vite me radhë realisht Kosova dështon në aspektin e tërheqjes së investimeve jo vetëm nga korporatat serioze, por edhe korporatat në përgjithësi, dhe atyre amerikane. Thjesht duket sikur nuk jemi fare në hartë kur vjen puna për tërheqjen e investimeve. Për hir të së vërtetës, vëllimi i investimeve të huaja direkte në vend ka shënuar rritje. Por nëse analizohet struktura se ku ndodhin këto investime, shohim se janë në sektorin e pasurive të patundshme dhe në ndërtimtari. Atëherë fare lehtë mund të dalim në përfundimin se bëhet fjalë për investime të pjesëtareve të diasporës në sektorin e pasurive të patundshme. Rrjedhimisht nuk flasim për krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore