Lajme

OBSH: Të anulohen festat dhe planet e pushimit – Omicron po merr përhapje globale


Mes kërkesash më të reja të Organizatës Botërore të Shëndetësisë karshi njerëzve është anulimi i planeve të pushimeve dhe festave me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, në një periudhë kur varianti Omicron i COVID-19, po merr përhapje globale.

Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Një ngjarje e anuluar është më e mirë se një jetë e anuluar”, tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke shtuar se duhet të merren “vendime të vështira”.

“Në disa raste, kjo do të nënkuptojë anulimin ose vonimin e ngjarjeve”, tha ai.

Komentet e tij erdhën pasi ekspertët e shëndetit deklaruan se Omicron tani është varianti dominues në SHBA, shkruan BBC.

Madje, Tedros shtoi se tanimë kishte prova se varianti Omicron ka një përhapje dukshëm më të shpejtë sesa ai i Deltas.

Një numër vendesh përfshirë Francën dhe Gjermaninë kanë shtrënguar kufizimet ndaj COVID dhe po ashtu kanë vendosur kufizime të udhëtimit në përpjekje për të ndaluar përhapjen e variantit të ri.

Joe Biden – President i SHBA-ve.

Nga Shtëpia e Bardhë u bë e ditur se presidenti, Joe Biden nuk po planifikonte “të mbyllte vendin”, teksa eksperti më i lartë i sëmundjes infektive atje, Anthony Fauci, ka paralajmëruar se udhëtimi i Krishtlindjeve do të rriste përhapjen e Omicron edhe në mesin e të vaksinuarve plotësisht.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Departamenti i Shtetit kanë këshilluar amerikanët të mos udhëtojnë në tetë vende, përfshirë Spanjën, Finlandën, Çadin dhe Libanin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore