Lajme

OAK kërkon krijimin e Komisionit Rregullativ për Derivate të Naftës dhe Gazit


Oda e Afarizmit të Kosovës.

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), i është drejtuar kryeministri, Albin Kurti, me kërkesë që sa më parë të ndërmerren masa në përputhje me situatën ekonomike në vend dhe krizën që ka kapluar si pasojë e zhvillimeve të fundit globale me ngritje enorme të çmimeve.

Kërkesë të veçantë OAK nga ekzekutivi e ka pasur të ndërmarr hapat e nevojshëm në mënyrë që të ulet akciza në derivate të naftës.

Sipas tyre, “ulja e akcizës, në mënyrë direkte do të ndikojë edhe në uljen e çmimit të derivateve të naftës, çmime këto të cilat në çdo vend të botës kanë pësuar ndryshime si rrjedhojë e luftës në Ukrainë dhe Rusi”.

OAK i ka propozuar gjithashtu Qeverisë, “që të mos ngrijë çmimet e derivateve të naftës, por të krijojë një Komision Rregullat për Derivate të Naftës dhe Gazit, siç kanë vepruar edhe vendet e rajonit”.

Ilustrim.

Një ndër përgjegjësitë e Komisionit Rregullativ për Derivate të Naftës dhe Gazit ka të bëjë me përfshirjen e monitorimit të luhatjeve të çmimeve të derivateve të naftës dhe gazit si dhe përcaktimin e çmimit për shitje me shumicë dhe pakicë për periudha të caktuara, tre deri në katër javë.

Ky komision bëhet e ditur se mund të obligoj bizneset e sektorit të naftës, që të kenë rezerva të caktuara mujore, e cila do t’u mundësojë atyre të operojnë lehtësisht me çmimet e paracaktuara nga Komsioni Rregullativ për Derivate të Naftës dhe Gazit.

Ndryshe, gjatë muajit maj të vitit 2020 në pikun e pandemisë COVID-19 ishte shënuar një rekord i rënies së çmimit të naftës në Kosovë.

Kështu çmimi i karburanteve gjatë kësaj periudhe kishte rënë deri në 80 cent për një litër karburant.

Në anën tjetër, në Kosovë përveç rritjes së çmimit të naftës, është shtrenjtuar edhe energjia elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë orë, pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore