Kosova

Nushi, Gashit: Poshtërsia e qëndrimeve tua për UÇK-në s’ka konkurrencë


Nol Nushi dhe Shkelzen Gashi.

Aktivisti i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, ka reaguar ndaj deklarimeve që ka bërë ish këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Shkelzën Gashi, rreth luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ka thënë “UÇK-ja s’ka qenë në gjendje për të ndalur vrasjet, dhunimet e poshtërimin”.

Nushi, deklaratën e Gashit e ka quajtur “kulm të poshtërsisë”, duke thënë se “poshtërsia e këtyre qëndrimeve të Xenit nuk ka konkurrencë”.

Ai ka theksuar se Gashi, i ka pasur 17 vjet në luftë dhe se në UÇK, janë 87 dëshmorë të moshës së Shkëlzen Gashit.


“Praktikisht, është duke e fajësuar UÇK-në për të gjitha masakrat, dhunimet e vrasjet e civilëve në luftën e Kosovës. Po i thotë përse ju nuk na mbrojtët, e kur po e pyesim përse nuk luftove ti Xen the ‘kam qenë i mitur si kam pasur 18 vjet’, po UÇK-ja s’ka qenë autoshkollë, kur shkon në shallter me apliku me letërnjoftim nuk është dashur me pas dokumente me shku e të regjistrohesh në UÇK, është dashur të kesh vetëm guxim”.

“E Xen ti nuk e ke pas atë guxim, as nuk e ke”.

Ndryshe, gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë.

Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore. Këto raste penale tani janë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të Kosovës.

Serbia nuk i pranon krimet e luftës në Kosovë, nuk kërkon falje dhe nuk tregohet e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e civilëve të masakruar në periudhën 98-99.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore