Lajme

Nura siguron banesë për tre fëmijët e gruas së vrarë në Llaushë


Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka bërë të ditur se kanë siguruar një banesë për banim të tre fëmijëve të Lirije Qerimajt, 48-vjeçares e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti, Skender Qerimaj më pesë janar në Llaushë.

“Tre fëmijë të mrekullueshëm me zemër të madhe, që po përjetojnë momente të vështira pas ngjarjes tragjike që u ndodhi ditë më parë, do të bëjmë gjithçka të mundshme që të mos ndihen kurrë të vetmuar”, ka shkruar Nura në Facebook.

Ai ka thënë se do të mbështesin tre fëmijët më të gjitha veprimet e nevojshme.

“Jo vetëm një banesë që mund të jetë më e pakta në këtë kohë, por do t’iu ofrojmë edhe ngrohtësi, si të ishim një familje biologjike, duke i mbështetur edhe me veprime të tjera të nevojshme që i kërkon jeta”.

Foto nga kryetari i Skenderajt, Fadil Nura në Facebook.

Më 5 janar, 51-vjeçari Skender Qerimaj dyshohet se vrau bashkëshorten e tij Lirije Qerimaj në Llaushë të Skenderajt, pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me të.

Pesë ditë para vrasjes, më 1 janar, 48-vjeçarja Lirije Qerimi kishte raportuar në polici për dhunën fizike që dyshohej se i shkaktonte bashkëshorti i saj Skender Qerimi.

Policia kishte njoftuar për këtë rast edhe prokuroren kujdestare e cila është Stojanka Kasaloviç.

Kryeprokurori i Shtetit i Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, si autoritet kompetent, që të shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores lidhur me rastin e viktimës L.Q. nga fshati Llaushë e Skenderajt.

Po ashtu, nga të gjeturat eventuale t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Të premte në mesditën e 7 janarit, është protestuar në qytetin e Skenderajt kundër dhunës dhe vrasjes së grave, pas vrasjes së Lirije Qerimaj nga bashkëshorti i saj në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Protesta paqësore është organizuar nga OJQ ‘Gratë Intelektuale të Drenicës’. Protesta ka filluar në ora 12:00 nga sheshi “Adem Jashari”, për të vazhduar te Gjykata në Skenderaj, ndërsa marshi ka përfunduar para stacionit policor.

Thirrjet e grave ndaj shtetit.

Lirije Qerimaj ishte vrarë me pesë janar me armë zjarri ndërsa i dyshuari ishte arrestuar menjëherë nga Policia e Kosovës, ndërsa ishte konfiskuar edhe arma me të cilën dyshohet se është përdorur në rast.

Policia kishte njoftuar për këtë rast edhe prokuroren kujdestare e cila është Stojanka Kasaloviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore