Shëndet

Numri i personave me hipertension në botë është dyfishuar në 30 vitet e fundit


Ilustrim

Më shumë se 1.2 miliardë njerëz në botë jetojnë me hipertension, dy herë më shumë se 30 vjet më parë, sipas një studimi të publikuar në gusht të vitit 2021 nga revista mjekësore “Lancet”.

Presioni i lartë i gjakut lidhet drejtpërdrejt me më shumë se 8.5 milionë vdekje çdo vit dhe është faktori kryesor i rrezikut për goditje në tru, sëmundje ishemike të zemrës, sëmundje të tjera vaskulare dhe sëmundje të veshkave.

Ulja e presionit të gjakut mund të zvogëlojë numrin e sulmeve në zemër me një të katërtën dhe pothuajse të përgjysmojë numrin e rasteve të dështimit të zemrës dhe goditjes në tru.

Sëmundja mendohet të jetë “e lehtë” për t’u diagnostikuar dhe relativisht e lehtë për t’u trajtuar me barna të lira për të parandaluar probleme më serioze shëndetësore. Megjithatë, numri i personave që vuajnë nga hipertensioni është në rritje.

Për më tepër, pothuajse gjysma e njerëzve që kishin hipertension nuk ishin në dijeni të tij. Gjysma e të diagnostikuarve me hipertension nuk kanë marrë terapi.

Në mbarë botën, presioni i gjakut kontrollohej në më pak se një në katër gra dhe një në pesë burra me hipertension.

“Me gjithë përparimet mjekësore dhe farmakologjike në dekadat e mëparshme, përparimi global në menaxhimin e hipertensionit ka qenë i ngadaltë dhe shumica e njerëzve me hipertension mbeten të patrajtuar, me mangësi të mëdha në vendet e mesme dhe të pazhvilluara”, tha autori i studimit Majid Ezati nga Imperial College London.

Në Evropë, shkalla e hipertensionit është e lartë në vendet qendrore dhe lindore si Hungaria, Polonia dhe Kroacia. Hulumtimi tregoi se në këto vende, si dhe në Lituani, Bjellorusi dhe Rumani, më shumë se gjysma e grave kanë presion të lartë të gjakut.

Nga ana tjetër, në vendet e Evropës Perëndimore, ndër të cilat janë Zvicra, Britania e Madhe dhe Spanja, përqindja e popullsisë me hipertension është në nivelin më të ulët të regjistruar. Ato vende kanë gjithashtu shkallën më të ulët të hipertensionit te gratë, më pak se 24 përqind.

“Përhapja globale dhe shkalla e kontrollit të sëmundjeve prej afërsisht 20 përqind duhet të jetë një paralajmërim se ne do të luftojmë sëmundjet kardiovaskulare për shumë vite në vijim, veçanërisht nëse vazhdojmë kështu”, është shprehur Clara Chao nga Universiteti i Sidneit.

Ajo shtoi se transformimi dhe qasjet inovative për të reduktuar pasojat e hipertensionit dhe strategji më të mira për të rritur diagnozat janë urgjentisht të nevojshme.

Chao theksoi rëndësinë e përfitimit të transformimit dixhital, të tilla si monitorimi i pacientit në distancë, monitorimi i presionit të gjakut në shtëpi, përkujtuesit e mesazheve me tekst dhe ndërhyrje të tjera shëndetësore dixhitale për të inkurajuar sjelljen e shëndetshme dhe kontrollin e presionit të gjakut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore