Lajme

Nuk miratohen rekomandimet e opozitës për rishqyrtim të masave, Vetëvendosje voton kundër


Kuvendi i Kosovës

Nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës rezoluta e tri partive opozitare me rekomandimet për masat kundër pandemisë COVID-19 si dhe rekomandimet e tjera mbi situatën e krijuar pas rritjes së rasteve me COVID-19.

Nga 62 deputet, pro rekomandimeve ishin 21 deputetë të opozitës dhe kundër 41 deputet të pozitës, përkatësisht nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në përfundim të seancës së jashtëzakonshme për pandeminë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, paraqiti gjashtë rekomandime para deputetëve për miratim.

“Në emër të tri grupeve opozitare, ne paraqesim një rezolutë e cila përkufizohet: Qeveria me urgjencë të rishqyrtojë masat kufizuese pas konsultimit me ekspertët shëndetësor dhe nivelin lokal të ketë masa konform situatës pandemike”.

“Të hartojë në kohë vendosjen e masave kufizuese, larg masave që merren në panik dhe që prodhojnë vetëm situatë paniku. Qeveria të prezantojë planin para Kuvendit për vaksinimin për vitin 2022. Qeveria të sigurojë vaksina masive mobile në shkolla, institucione publike dhe private me qëllim të gjurmimit dhe monitorimi të rasteve me COVID-19”.

Në mesin e rekomandimeve ishte edhe ai që Kosova të konsultohet me shtetet fqinje, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për masat kundër COVID-19.

Gjithashtu, pjesë e rekomandimeve të opozitës për Qeverinë ishte edhe rekomandimi që të dërgohen në organet e drejtësisë keqpërdorimet me çmimet e barnave dhe artikujve të tjerë mjekësor.

“Qeveria në konsultim me ekspertët shëndetësor të miratojë strategjinë për COVID-19 dhe rritjeve të kapaciteteve, pa i bllokuar shërbimet tjera shëndetësore që vlejnë edhe për institucionet shëndetësore. Keqpërdorimet financiare në emër të pandemisë, blerjet e barnave dhe pajisjeve mjekësore me çmime abuzive të adresohen në organe e hetuesisë”.

Armend Zemaj. LDK

“Me urgjencë të sillet ligji për pagat në Kuvend miratim dhe e fundit masat për kufizim të lëvizjes së lirë të koordinohen me shtetet e rajonit, sidomos Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Zemaj.

Të njëjtat rekomandime i ka quajtur të papranueshme, ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

“Ky debat synohet të devijohet me rezolutë që përbënë çdo gjë. Në rezolutën e propozuar kërkohet që të sillet ligji i pagave që më herët është refuzuar në një seancë të Kuvendit”.

Mimoza Kusari-Lila, LVV

“GP i LVV-së një rezolutë që përbënë tema që nuk lidhen për çka është thirrur seanca nuk mund t’i mbështesë dhe do të votojmë kundër saj”, tha ajo.

Me përfundimin e debatit për pandeminë, Kuvendi i Kosovës mbylli punimet për seancën, ndërsa seanca tjetër e paraparë për sot (e enjte) pritet të mbahet javën e ardhshme tha Nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala i cili edhe e udhëhoqi seancën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore