Shqipëria

Nuk kam heshtur, çështja McGonigal nuk ka lidhje me mua – thotë Rama


Unë nuk kam heshtur. Nuk ka asgjë që lidhet me mua, me Qeverinë apo me këdo zyrtar tjetër shqiptar.

Kështu ka zgjedhur të përgjigjet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një dalje publike në Top Story, teksa është pyetur se pse nuk ishte i pranishëm në sallën e Kuvendit në interpelancën e thirrur nga opozita për çështjen e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal.

Rama shpjegoi se sot refuzoi dhe do të refuzojë të jetë në një sallë të Kuvendit dhe të përfshihet në debat me një opozitë që është në një nivel etik të frikshëm.

Sipas tij, çështja ka marrë bujë për shkak se hetimi kryesor lidhet me implikimin e një agjenti të FBI-së.

Por edhe pse iu referua si çështje, kryeministri tha se një e tillë nuk ekziston dhe drejtësia shqiptare nuk ka çfarë të hetojë.

Numri një i Qeverisë ka rikujtuar se McGonigal-in e ka takuar me kërkesën e tij dhe e ka pritur në zyrë, ku ka pasur një bashkëbisedim miqësor.

“Më ka folur dhe kemi folur për rajonin dhe influencën ruse, pasi ajo ishte fusha e tij e mbulimit”, tha Rama.

Ai shtoi se takimet e tjera kanë ardhur si rezultat i pranisë së ish-zyrtarit këtu, ose të pranisë së Ramës në SHBA.

Kryeministri u shpreh se nuk ka takuar asnjë zyrtar të FBI-së në prani të një biznesmeni.

Sa i takon oligarkut rus dhe akuzave se ai ka përftuar tendera në Shqipëri, Rama tha se nuk është aspak e vërtetë.

Edhe një herë kryeministri theksoi se aktakuza nuk flet për asnjë implikim të tij, apo edhe të vetëkorrupsionit nga McGonigal, i cili akuzohet për mashtrim.

“Rasti i ish-zyrtarit të FBI-së ka të bëje konkretisht se si ai i ka zbatuar rregullat e kodet etike të FBI-së me ligjet e vendit të vet”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore