Kosova

“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”: Protestë para nisjes së seancës për vrasjen e 30-vjeçares


Ilustrim

Në hyrje të objektit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku pritet të nis seanca gjyqësore ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj, të mërkurën e 29 nëntorit, në rrugën “Dalip Alshiqi” në kryeqytet, disa aktiviste nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, kanë protestuar përmes mbishkrimit: “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

Gjyqi ndaj bashkëshortit të viktimës, Naim Murseli, i cili dyshohet për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, dorasit të identifikuar nga Policia e Kosovës, Granit Plava dhe pjesëtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kushtrim Kokalla, i cili dyshohet për pjesëmarrje në vrasje, do të mbahet të dielën nga ora 09:30 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Familjarët e viktimës dhe të dyshuarit kanë arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por nuk dihet nëse seanca gjyqësore do të jetë e hapur për mediat. Kjo ngjarje e rëndë ka ngjallur shumë reagime nga institucionet kosovare dhe shoqëria civile për shkak se krimi ka ndodhur pikërisht në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata kundër dhunës ndaj gruas.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë për të martën e 5 dhjetorit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë kundër dhunës gjinore dhe femicidit, kundër një shoqërie të zhytur në krim simptomatik ndaj grave. Në Kosovë janë raportuar mijëra raste të dhunës në familje gjatë këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore