“Nuk ia jap Kurtit pensionin” – Nis protesta e serbëve në Veri
Proteta ne Veri
Altina Marmullaku
12.02.2024 12:25Për shkak se Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka ndaluar dinarin për të bërë pagesa dhe shit-blerje, serbët e Kosovës, nën organizimin e Asociacionit të Pensionistëve Serbë të Kosovës, po protestojnë në Veri të vendit.
Një numër i madh i serbëve janë mbledhur në sheshin që ata e quajnë “Braçe Miliç”, në Mitrovicë të Veriut.
Të grumbulluarit mbajnë pankarta “Pension gjithë jetën e kam, Kurtit nuk ia jap”, “Kjo është okupim”, “Pa përfitime sociale nuk kemi as ushqim” dhe slogane të ngjashme.
Protesta është përkrahur nga partia më e madhe serbe, Lista Serbe, por edhe nga parti opozitare të Listës Serbe.
Kanë thënë se kjo nuk është protestë partiake, por protestë e qytetarëve të pakënaqur, të cilëve u është bërë e vështirë të pranojnë ndihmat që i marrin nga Serbia.
Gjatë protestës fillimisht është deklaruar kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Dushanka Gjoroviç, duke thënë se Kosova po mashtron se llogaritë mund të hapen për marrjen e pensioneve.
“Është gënjeshtër që mund të hapesh llogari për marrjen e pensioneve. Ne nuk duam asgjë të huajën, por e duam tonën atë që e kemi bërë me nderë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, ka theksuar se kjo protestë po i drejtohet botës për të dëgjuar thirrjet e tyre.
“Për ne është e rëndësishme që të ndërprehet ky vendim. Kjo pasi që me anulimin e këtij vendimi na mundësohet që pensioni ynë të merret në banka dhe posta dhe na sigurohet jetesa si e gjithë bota”.
Kurse, profesoresha e Fakultetit Ekonomik, Dragana Millkoviç, ka konsideruar se vendimi për dinarin është diskriminues.
“Vendimi i BQK është diskriminues dhe direkt ndikon në mbijetesën e serbëve në Kosovë. Shtrohet pyetja si do të mund të blejmë bukë për ushqim, si do të mund studentët të marrin bursat”.
“Albin Kurti ka sjellë vendim të njëanshëm”, ka thënë ajo.
Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Albanian Post se për protestën është marrë leje, derisa si institucion, policia ka bërë përgatitjet e duhura.
“Po, serbët kanë marrë leje për protestën e organizuar. Ne jemi të përgatitur për mbikëqyrjen e kësaj proteste në mënyrë që gjithçka të shkoj sipas procedurave të duhura dhe të ruhet siguria publike”, ka thënë Elshani për AP.
Lista Serbe u ka kërkuar serbëve që të marrin pjesë masivish.