Lajme

“Nuk ia jap Kurtit pensionin” – Nis protesta e serbëve në Veri


Proteta ne Veri

Për shkak se Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka ndaluar dinarin për të bërë pagesa dhe shit-blerje, serbët e Kosovës, nën organizimin e Asociacionit të Pensionistëve Serbë të Kosovës, po protestojnë në Veri të vendit.

Një numër i madh i serbëve janë mbledhur në sheshin që ata e quajnë “Braçe Miliç”, në Mitrovicë të Veriut.

Të grumbulluarit mbajnë pankarta “Pension gjithë jetën e kam, Kurtit nuk ia jap”, “Kjo është okupim”, “Pa përfitime sociale nuk kemi as ushqim” dhe slogane të ngjashme.

Protesta është përkrahur nga partia më e madhe serbe, Lista Serbe, por edhe nga parti opozitare të Listës Serbe.

Protesta e serbëve në Veri.

Kanë thënë se kjo nuk është protestë partiake, por protestë e qytetarëve të pakënaqur, të cilëve u është bërë e vështirë të pranojnë ndihmat që i marrin nga Serbia.

Gjatë protestës fillimisht është deklaruar kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Dushanka Gjoroviç, duke thënë se Kosova po mashtron se llogaritë mund të hapen për marrjen e pensioneve.

“Është gënjeshtër që mund të hapesh llogari për marrjen e pensioneve. Ne nuk duam asgjë të huajën, por e duam tonën atë që e kemi bërë me nderë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, ka theksuar se kjo protestë po i drejtohet botës për të dëgjuar thirrjet e tyre.

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Dushanka Gjoroviç.

“Për ne është e rëndësishme që të ndërprehet ky vendim. Kjo pasi që me anulimin e këtij vendimi na mundësohet që pensioni ynë të merret në banka dhe posta dhe na sigurohet jetesa si e gjithë bota”.

Kurse, profesoresha e Fakultetit Ekonomik, Dragana Millkoviç, ka konsideruar se vendimi për dinarin është diskriminues.

“Vendimi i BQK është diskriminues dhe direkt ndikon në mbijetesën e serbëve në Kosovë. Shtrohet pyetja si do të mund të blejmë bukë për ushqim, si do të mund studentët të marrin bursat”.

Profesoresha e Fakultetit Ekonomik, Dragana Millkoviç.

“Albin Kurti ka sjellë vendim të njëanshëm”, ka thënë ajo.

Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Albanian Post se për protestën është marrë leje, derisa si institucion, policia ka bërë përgatitjet e duhura.

“Po, serbët kanë marrë leje për protestën e organizuar. Ne jemi të përgatitur për mbikëqyrjen e kësaj proteste në mënyrë që gjithçka të shkoj sipas procedurave të duhura dhe të ruhet siguria publike”, ka thënë Elshani për AP.

Lista Serbe u ka kërkuar serbëve që të marrin pjesë masivish.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore