Lajme

“Nuk dua shtet tjetër, dua Serbinë time!” – protestojnë gratë serbe në Veri


Protesta ne Veri.

Rreth tre mijë gra kanë protestuar në Mitrovicë të Veriut të mërkurën e 23 nëntorit.

Protesta ishte, siç thanë organizatorët, për mos getoizimin e fëmijëve të tyre në Veri.

Gjatë ditës kanë protestuar edhe serbët në Komunën e Graçanicës me qëllim të mbështetjes së pjesëtareve të komunitetit serb në Veri.

Kryetarja e komunës, Lilana Shubariç ka deklaruar se serbët në jug mbështesin bashkatdhetarët e tyre në Veri dhe vendimin e tyre për braktisjen e institucioneve të Kosovës, duke shtuar se “nëse dhuna politike vazhdon, ata e dinë se çfarë të bëjnë”.

Punëtorët e institucioneve serbe në Kosovë, shpesh e kanë “obligim pune” të protestojnë për shkak të situatës politike, ose të mbështesin listën Serbe, partinë kryesore politike serbe në Kosovë.

Tensionet në Veri të Kosovës janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj të shkallëzuar për konvertimin targave nga ato ilegale në RKS.

Gjendja u përkeqësua kur Lista Serbe vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Serbët kanë deklaruar nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Për të diskutuar për situatën e krijuar në mes të dy shteteve pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat në Bruksel të hënë u mbajt takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili pas 8 orë bisedimesh përfundoi pa rezultat konkret.

Kur mbetën edhe pak orë para se të nis zbatimi i vendimit për gjoba, natën vonë të hënën doli ambasadori amerikan me një deklarim publik në Twitter dhe kërkoi shtyrje 48 orëshe.

Jeff Hovenier shprehu shqetësim për mos arritjen e marrëveshjes dhe kërkoi edhe një sforcim në këtë drejtim.

Tre minuta më vonë, po në Twitter u përgjigj Kurti pozitivisht.

Mu për këtë arsye zëvendës-kryeministri i Kosovës dhe formalisht krye-negociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, të mërkurën është nisur për në Bruksel, ku do të ketë takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç, për të diskutuar pikërisht çështjen e targave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore