Kosova

Nuk anashkalohet mundësia që Rusia të tentojë ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor


Ilustrim

Kanë kaluar plot 2 vjet nga agresioni rus në Ukrainë, ndërsa shumë njohës të çështjeve ndërkombëtare përfshirë edhe zyrtar të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit nuk e anashkalojnë mundësinë që Moska zyrtare ta destabilizojë edhe Ballkanin Perëndimor.

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nga analistët politikë po vlerësohen si dy vendet ku Rusia përmes Serbisë mund të nxisë ndonjë vatër të re të konfliktit në mënyrë që të shpërqendrohet vëmendja e botës perëndimore nga lufta në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

Zëvendës-ndihmës sekretarja kryesore për Evropën dhe Eurozani në DASH, Yuri Kim, ka potencuar se Moska ka treguar me veprimet e saj që nuk heziton aspak të destabilizojë vendet që i sheh si të pambrojtura.

“Ata sulmuan dy nga fqinjët e tyre, Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Rusia ende mban 20 për qind të territorit të Gjeorgjisë. Në Ballkan ne pamë se si ata po ndërmarrin veprime të kota dhe ne do të ndërmarrim veprimet tona për të siguruar që Rusia të mos ketë sukses në Ballkan ”, ka thënë Kim për Zërin e Amerikës.

Në anën tjetër Christine Hilt , analiste e lartë për çështjet makro-gjeopolitike në Grupin Eurasia, thotë se pretendimet për ndikimin rus në Ballkan janë sigurisht shqetësuese dhe se karta e Rusisë për të destabilizuar ndonjë vend tjetër është ende në lojë.

“Një nga vendet më të lehta për këtë është Kosova, e cila është një konflikt që ende nuk është zgjidhur, dhe sigurisht Rusia mund ta përdorë atë për të larguar vëmendjen nga vetja ndërsa vazhdon fushatën e saj në Ukrainë” , ka thënë ajo për Zërin e Amerikës.

Ndërsa Kongresmeni nga radhët e kampit republikan Pete Sessions , ka konsideruar se Rusia ka vite që po përpiqet të destabilizojë Ballkanin dhe se është e qartë se ajo përdor dezinformimin dhe forcën kur dëshiron të arrijë qëllimet e saj.

Kanë kaluar dy vite që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Konflikti që në fillimet e tij nuk shkoi sipas planit që Putin kishte në mendje. Përkundrazi Kremlini pësoi humbje të mëdha pa qenë në gjendje të mposhtte ukrainasit.

Ideja fillestare e Moskës ishte të kryente një ndërhyrje ushtarake të shkurtër duke i dhënë një goditje ushtrisë së Kievit, gjë që do të demoralizonte vullnetin e saj për të rezistuar.

Ishte pothuajse e sigurt që amerikanët shumë shpejt do të fillonin dërgesat e armëve, por Putin nuk e kishte menduar që Perëndimi do të ishte bashkuar i gjithi kompakt në mbështetje të plotë të Ukrainës dhe se kjo mund të kishte shkaktuar një konflikt të zgjatur.

Ndërsa Rusia ishte përballë një lufte agresioni, Ukraina ishte në mbrojtje të vendit ndaj dhe morali i saj në vitin e parë qe tejet i lartë. Misioni ishte mbrojtja e territorit dhe shtyrja e rusëve përtej kufijve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore