Lajme

Norvegjia dëbon 15 diplomatë rusë të akuzuar për spiunazh


Autoritetet norvegjeze kanë dëbuar 15 zyrtarë rusë të cilët i kishte akuzuar për spiunazh nën mbulesë diplomatike.

Lajmi u bë i ditur nga multimediali britanik “BBC”.

Ministrja e Jashtme Anniken Huitfeldt tha se Norvegjia nuk do të lejojë Moskën të përdorë ambasadën e saj për të kryer “aktivitete të fshehta të inteligjencës”.

Kjo lëvizje është e fundit në një varg dëbimesh ruse që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës vitin e kaluar.

Kremlini do të përgjigjet dhe po peshon një “përgjigje të përshtatshme”, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Tass.

Autoritetet norvegjeze i kishin monitoruar individët “me kalimin e kohës” përpara se të shpalleshin persona non grata – të papranueshëm ose të padëshiruar – thuhet në një deklaratë të qeverisë.

Ata duhet të largohen “së shpejti” nga vendi, por detaje të tjera rreth aktiviteteve të tyre të supozuara nuk janë zbuluar, vëren BBC-ja.

Norvegjia tha se Rusia përbën “kërcënimin më të madh të inteligjencës” me të cilën përballet vendi dhe se kërcënimi po rritet në sfondin e “përkeqësimit të situatës së sigurisë” të Evropës.

Norvegjia ndan një kufi tokësor prej 197 kilometrash me Rusinë në Arktik dhe marrëdhëniet e tyre kanë vuajtur gjatë gjithë krizës në Ukrainë.

Pavarësisht se nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, Norvegjia ka imituar disa sanksione evropiane kundër Rusisë.

Ajo dëboi tre individë që tha se ishin oficerë të inteligjencës në prill 2022, një veprim të cilit Rusia iu përgjigj duke dëbuar tre diplomatë norvegjezë.

Në tetor 2022, policia norvegjeze arrestoi një pedagog universiteti të akuzuar për spiunazh për Moskën.

Akademiku, i identifikuar në mediat norvegjeze si shtetasi rus Mikhail Valerievich Mikushin, dyshohet se ishte paraqitur si një brazilian. Ai ka mohuar akuzat ndaj tij.

Duke njoftuar dëbimin e fundit, ministri i jashtëm i Norvegjisë theksoi se qeveria dëshiron të mbajë marrëdhënie normale diplomatike me Moskën.

Dhjetra zyrtarë rusë të akuzuar për shpërdorim të privilegjeve diplomatike për të kryer punën e inteligjencës janë urdhëruar të largohen nga vendet evropiane muajt e fundit, duke përfshirë Irlandën, Holandën, Austria, Republikën Çeke dhe Belgjikën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore