Pajisje

Nokia dhe Lenovo, zgjidhin problemet ligjore


Kompanitë finlandeze e teknologjisë, Nokia, ka pushuar një luftë shumë vjeçare për patentë me prodhuesin kinez të kompjuterëve, Lenovo, duke zgjidhur të gjitha çështjet gjyqësore që ishin në pritje në të gjitha juridiksionet.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se lajmin e kanë bërë të ditur vetë kompanitë ndërsa kushtet e marrëveshjes për ndërlicensim mbeten konfidenciale.

Prodhuesi kinez, Lenovo, ka deklaruar se do të bëjë një pagesë ekuilibruese neto ndaj prodhuesit finlandez të pajisjeve teknologjike.

Megjithatë nuk janë dhënë detaje financiare për pagesën që do të kryhet.

Për sa i përket betejës ligjore të Nokia-s ndaj Lenovo-s, ajo ka nisur që në vitin 2019 me pretendimin e shkeljes së 20 patentave të teknologjisë së kompresimit të videos.

Përveç rasteve në Gjermani, kishte edhe raste të tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Brazil dhe në indi.

Sipas Reuters, një gjykatë në Mynih ka vendosur që Lenovo ka shkelur një nga patentat e Nokia-s. Gjykata vendosi një urdhër ndalimi dhe gjithashtu tërheqje të produkteve nga shitësit me pakicë. Mirëpo urdhri u ndal në muajin nëntor nga një gjykatë gjermane e apelit.

“Marrëveshja globale e arritur do të mundësojë bashkëpunim në të ardhmen midis kompanive tona për të mirën e klientëve në të gjithë botën”, ka thënë shefi i pronës intelektuale në Lenovo, John Mulgrew.

Për sa i përket patentave të Nokia-s, portofoli i tyre përbëhet nga 20 mijë familje të patentuara. Këtu përfshihen edhe 3 mijë e 500 familje të patentuara të deklaruara thelbësore për standardin e teknologjisë së rrjetit 5G.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore