Lajme

Njohja e targave nga Serbia është tentim i maskimit të sulmit terrorist në Banjë, thotë Bislimi   


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ndërsa ka komentuar njohën e targave të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë, ka deklaruar se një gjë e tillë nuk dëshmon konstruktivitetin e Beogradit zyrtar, por është thjesht një tentim për ta maskuar dështimin e Serbisë në sulmin terrorist në Banjë.

Sipas kryenegociatorit të palës kosovare, çështja e targave mbi 10 vjet ka qenë marrëveshje e pazbatuar e për dy vjet marrëveshje e përdorur si mjet dhe qëllim për eskalim e destabilizim.

“Me vendimin për njohjen e targave RKS nga ana e Serbisë, shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së targave e mosnjohjes së tyre nga pala serbe. Në shtator 2021, Serbia e përdori këtë çështje për të kërcënuar Kosovën e fluturuar Mig-at përreth kufirit tonë”.

Që nga fillimi, pozicioni i delegacionit kosovar për çështjen e targave në Bruksel, sipas Bislimit, ka qenë i qartë.

“Na duhet një zgjidhje e përhershme në linjë me standardet e Bashkimit Evropian dhe propozimi i vetëm i Kosovës si dhe zgjidhja ideale në këtë drejtim ka qenë që Kosova dhe Serbia t’ia njohin targat njëra tjetrës në modelin aktual – të cilat janë në përputhje me standardet e BE-së – e pa asnjë ndryshim”.

“Fatkeqësisht, është dashur të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga ana e Serbisë, rezistencë dhe insistim në nivel teknik që stikersat të jenë zgjidhje permanente, si dhe tërheqje nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar, për të ardhur në përfundimin që është i njëjtë me propozimin fillestar te Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas Bislimit, ky është tregues se të gjitha destabilizimet që i ka bërë Serbia, kanë qenë të palogjikshme e të panevojshme, sepse prapë kemi arritur në situatën e njëjtë ku targat janë konvertuar në ato ekzistuese legale dhe tashmë nga 1 janari, Serbia i njeh ato.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore