Kosova

Njohja e pasaportave ilegale të serbëve, krerët e shtetit vetëm akuza ndaj BE-së, s’marrin përgjegjësi


Albin Kurti, Donika Gërvalla dhe Vjosa Osmani.

Për vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e vizave të serbëve të Kosovës, që kanë pasaporta ilegale të lëshuara nga Serbia, në të cilat Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, krerët e shtetit nuk kanë marrë fare përgjegjësi, por vetëm kanë hedhur akuza dhe i kanë dhënë leksione Unionit se sa i dëmshëm është ky vendim.

Të gjithë njëzëri kanë thënë se vendimi i BE-së dëmton karakterin multetnik të shtetit kosovar dhe saboton procesin e integrimit të komunitetit serb.

Kush çka tha konkretisht?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i Këshillit Evropian është i padrejtë, por që nuk mund të ndikojnë tek vendimet e Brukselit.

Deklaratën Kurti e ka bërë gjatë përurimit në Klinikën e Kardiokirurgjisë, më 23 korrik, kur është pyetur nga gazetarët rreth qëndrimit të tij për këtë çështje.

“E konsiderojmë të padrejtë, të dëmshëm dhe gjithashtu dekurajues për integrimin e serbëve. Sidoqoftë shteti i Kosovës, Republika jonë demokratike dhe e pavarur e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë”, tha Kurti.

“Ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë tek vendimet e Brukselit, japim qëndrimin tonë dhe qëndrimi jonë nuk mund të jetë i ndryshëm. Ajo çfarë ka thënë presidentja, ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës është qëndrimi i përbashkët i institucioneve tona”, shtoi.

Albin Kurti

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani, më 22 korrik, ka thënë se vendimi në fjalë dëmton karakterin multetnik të shtetit kosovar dhe saboton procesin e integrimit të komunitetit serb.

“Vendimi i Këshillit të BE-së sot që të përfshihen në listën e bardhë Schengen, përkatësisht të lejohet qarkullimi pa viza për qytetarët tanë me pasaporta të jashtëligjshme serbe të lëshuara në Kosovë, dëmton qytetarët tanë, Kosovën dhe karakterin multientik të saj si dhe vetë BE-në”, ka thënë Osmani për Albanian Post, në një përgjigje me shkrim që është përcjellë nga këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

Legjitimimi i këtyre pasaportave të jashtëligjshme nga BE-ja, ka vazhduar e para e vendit, “saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë, e në veçanti në një periudhë kur një numër i madh i qytetarëve të etnisë serbe në Kosovë po pajiseshin me pasaporta të Republikës së Kosovës”.

“Gjithashtu, ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj. Për më tepër, këto dokumente që përmbajnë informacione të paverifikuara, mund të barten nga persona që mund të cenojnë drejtpërdrejt rendin dhe sigurinë edhe në BE”, shtoi.

Presidentja ka theksuar se Kosova “nuk merr asnjë përgjegjësi për shkeljet që bartësit e këtyre dokumenteve të jashtëligjshme mund të bëjnë në zonën Schengen”.

“Vendimi i Këshillit të BE-së, mbështet strukturat dhe prezencën ilegale të Serbisë në Kosovë dhe bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me standardet e vetë BE-së në fushën e sundimit të ligjit”.

Vjosa Osmani

Osmani ka bërë me dije se për këtë vendim, vendi që ajo udhëheqë nuk është konsultuar fare, “megjithëse institucionet tona i kanë dërguar vazhdimisht argumentet tona pse ky vendim është i dëmshëm”.

“Ky vendim i BE-së, ligjërisht është i pazbatueshëm në Kosovë, ndaj pasojat e tij nuk mund t’i marrë Kosova dhe institucionet e saj, sikurse as përgjegjësinë juridike dhe atë politike”, pohoi.

“E drejta e lirisë së lëvizjes duhet të ekzistojë gjithnjë, por, presidentja ka potencuar se “jo në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës si dhe përpjekjeve e angazhimit tonë për sundim të ligjit në çdo cep të Kosovës.

Heqja e vizave për serbët e Kosovës, që kanë pasaporta ilegale të lëshuara nga Serbia, sipas Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të bën të kuptosh se disa vende të Bashkimit Evropian nuk janë të interesuar për integrimin e komuniteteve pakicë në Kosovë, në këtë rast të serbëve.

Këto komente, Gërvalla i ka bërë në një konferencë për media të mërkurën, tri ditë pasi që BE-ja mori vendim për njohjen e pasaportave ilegale serbe.

“Ne nuk kemi hezituar në vazhdimësi të paralajmërojmë dhe informojmë akterët e rëndësishëm në BE, siç e shihni ata kanë marrë një vendim, i cili sipas gjykimit tonë jo vetëm që çon në rrugë të gabuar, por të bën të kuptosh se disa akterë në BE nuk janë të interesuar për një integrim më të mirë të minoriteteve, të pakicave jo shqiptare, në këtë rast të pakicës serbe në Kosovë, por punojnë më shumë në një ndarje të tyre”, tha Gërvalla.

Donika Gërvalla

Ndryshe, të hënën e 22 korrikut, Bashkimi Evropian morri vendim që të ua heq vizat serbëve me pasaporta ilegale të lëshuara nga Serbia për Kosovën.

Si lëshohen pasaportat për serbët e Kosovës nga Serbia?

Autoritetet e Serbisë lëshojnë disa pasaporta të veçanta për serbët e Kosovës, sipas të cilave Kosova është pjesë e shtetit serb.

Me këto lloj pasaportash janë të pajisur serbët që jetojnë në Kosovë.

Ato nuk janë identike si pasaportat për serbët që jetojnë në Serbi.

Gjithashtu, ndryshe nga pasaportat për qytetarët që jetojnë në Serbi që lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, këto pasaporta lëshohen nga një institucion i quajtur Drejtoria Koordinuese serbe në Beograd.

Në dhjetor të vitit 2009, kur Bashkimi Evropian kishte vendosur t’ia liberalizojë vizat Serbisë për zonën Schengen, liberalizimi i vizave nuk kishte vlejtur edhe për këto pasaporta që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës, duke vendosur kështu një mosnjohje për këto dokumente si të rregullta.

Por, në vitin 2023 Bashkimi Evropian përmes Komisionit bëri një propozim që të ketë heqje të vizave edhe për këto pasaporta, duke i njohur edhe ato si dokumente valide.

Propozimin e komisionit tash e ka aprovuar edhe Këshilli Evropian (praktikisht qeveria e BE-së), duke i bërë ato zyrtarisht dokumente valide për BE-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore