Përballje

Njihuni me kundërshtarin e Tiranës në Ligën e Kampionëve


Këtë të marte në Nyon të Zvicrës është bërë tërheqja e shortit për raundin e parë kualifikues të edicionit të ri në Ligën e Kampionëve.

Kampioni i Shqipërisë, Tirana, mund të konsiderohet me fat në këtë short, pasi që përballë do ta ketë kampionin e Luksemburgut, Dudelange.

Pra, krahasuar me ekipe të mundshme si: hungarezët e Ferencvarosh, bullgarët e Ludogorets e rumunët e Cluj, bardhekalëtrëit janë shortuar me kundërshtarin më të lehtë në letër.

Vlera e ekipit Dudelange sipas “Transfermarkt” llogaritet të jetë 2.32 milionë euro, ku lojtari më i shtrenjtë i tyre është Dejvid Sinani, i cili vlen 250 mijë euro.

Ndërsa Tirana ka në përbërje ekip që vlera e tyre shkon deri në 6.30 milionë euro, ku Taulant Seferi vlen më së shumti me 650 mijë euro.

Dudelange është ekipi më i trofeshëm në Luksemburg me 16 tituj kampion dhe tetë kupa të fituara.

Kurse sa i përket garave evropiane, ata kanë marrë pjesë rregullisht në raundin e parë kualifikues, derisa sukseset më të mëdha i kishte në sezonin 2018/19 dhe 2019/20.

Në këto sezone, Dudelange mori pjesë në Ligën e Evropës, ku njërën herë ishin në grup me Milan-in, Olympiacos-in dhe Betis-in, derisa herën tjetër ishin në grup me Sevilla-n, APOEL dhe Qarabag.

Ndeshja e parë mes Tiranës dhe Dudelange do të zhvillohet me 5 ose 6 korrik në udhëtim, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet në “Air Albania” një javë më vonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore